3 Shkurt 2023

Louis Dupré (1789-1837) ka qenë një piktor francez i njohur  veçanërisht për vepra që i përkasin orientalizmit.

Dy pikturat më poshtë, të ekspozuara në Francë titullohen “Bijtë e Aliut”. Bëhet fjalë për fëmijët e Ali Pashë Tepelenës.

Siç dihet, “Luani i Janinës” pati tre djem. Katër ishin gratë që janë martuar zyrtarisht me Ali Pashë Telenën. E para Emine Hanemi, vajza e pashait të Delvinës. E dyta, Katerina e Tepelenës, e treta Jorgjia, dhe në fund të jetës u martua me Vasiliqinë. Ai ishte 73-vjeç, ajo ishte një 16-vjeçare nga Pleshevica e Filatit në Çamëri.

Po si ishin djemtë e Aliut? Gazeta franceze “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit 1817, këtë përshkrim:

“… Ali Pasha nuk e di se cilit nga tre djemve të tij do t’i lë tashgimninë e “mbretërisë – pashallikut” që ka formuar.

Më i rrituri, Muktar Pasha ndërthur guximin dhe veprimtarinë e babait të tij me një karakter më bujar dhe sjellje më të buta. Ai është i ndjeshëm ndaj dashurisë dhe miqësisë. Një bukuroshe greke, e lindur në një familje të shquar, e quajtur Eufrozine (Euphrosyne), i kishte rrëmbyer zemrën të riut Muktar. Tek ajo, ai merrte pjesë në mbrëmje ku gjendeshin individët më të dashur të të dyja gjinive. Dhe ku zakonet orientale ishin të dëbuara.

Një natë Ali Pasha urdhëroi që Eufrozina dhe pesëmbëdhjetë mikeshat e saj të kapeshin dhe të mbyteshin në liqenin afër Janinës. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë Eufrozinën. Nga frika që kishin ndaj reagimit të Muktarit. Kështu Pashai shkoi vetë ta tërhiqte zvarrë këtë të pafat.

Veli Pasha, djali i tij i dytë, është një njeri me shpirt të tretur. Bujar dhe pa ndonjë talent të fortë. Ai përçmon publikisht zakonet, gjuhën dhe fenë e turqve; zakonisht, ai flet vetëm italishten dhe greqishten moderne. Një ditë pyeti një udhëtar italian, duke i treguar atij xhaminë e madhe të Janinës; A mendoni se kjo ndërtesë është e mjaftueshme për të ndërtuar një opera si ajo në Itali?

Ai përçmohej edhe nga shqiptarët, edhe nga turqit. Nuk arriti të fitojë as dashurinë e grekëve që thonë se e kanë frikë. Ali Pasha druhet nga veset e Veliut aq sa edhe nga virtytet e Muktarit. Ai do të dëshironte t’i linte trashëgiminë djalit të tij të tretë, Sali beut. I cili është ende vetëm një fëmijë…

Aliu u shpërndau djemve pushtet në pika kyçe të territorit të gjerë nën qeverisjen e tij, por kur Porta e Lartë dërgoi ushtrinë për të vrarë Pashain, tre djemtë dhe nipi (djali i Veliut) e tradhtuan.

Ashtu vepruan dhe krerë të tjerë lokalë shqiptarë, të cilëve ai u kërkoi ndihmë.

Myftari e Veliu i dorëzuan osmanëve Prevezën e Gjirokastrën, duke u dorëzuar edhe vetë. Sulltani u pati premtuar falje dhe pushtet, por i mashtroi.

Të tre djemve ju prenë kokat nga Porta e Lartë, pas ekzekutimit të Aliut.