“Është herët. Heqja e masave rrezikon valën e dytë, më keq se më parë”

10 prill  2020

Ndërsa pandemia e koronavirusit vazhdon të përhapet në të gjithë botën me ritme të ndryshme, disa vende kanë filluar të konsiderojnë heqjen e masave të bllokimit, megjithë rrezikun e rigjallërimit të virusit vdekjeprurës brenda kufijve të tyre.

Italia, më parë një pikë e nxehtë për virusin, ka raportuar një rënie të numrit të rasteve, gjë që mund të tregojë se mund të ketë kaluar kulmin e infeksionit.

Shifra sugjerojnë gjithashtu se masat e rrepta të bllokimit të Italisë, të hyra në fuqi në 9 mars, kanë qenë efektive në ngadalësimin e përhapjes.

Vende të tjera, përfshirë Kinën, Spanjën dhe Korenë e Jugut, kanë raportuar gjithashtu një rënie të rasteve, duke shkaktuar optimizëm se sëmundja mund të zbutet përmes distancimit social.

Kina, ish epiqendra e sëmundjes, është përpjekur gradualisht të heqë bllokimin e rreptë të koronavirusit javët e fundit, duke rihapur dyqanet, baret dhe kinematë pas muajve të tërë mbyllje. Kulmi i saj i koronavirusit erdhi në mes të shkurtit, kur afro 780 milion njerëz ishin nën një formë të kufizimit të udhëtimeve, ose karantinë.

Lehtësimi i kufizimeve ka rezultuar në një rritje të turistëve në vende më parë të shkretë, megjithëse masa të caktuara shëndetësore dhe të sigurisë mbeten në fuqi. Këto masa gjithashtu kanë qenë subjekt i ndryshimeve të shpejta, pasi janë zbuluar raste të reja.

Edhe Danimarka ka parë të bjerë numri i rasteve me koronavirus javët e fundit, duke inkurajuar kryeministren Mette Frederiksen të propozojë heqjen graduale të masave të bllokimit pas Pashkëve.

“Gjatë javës së kaluar numri i pranimeve në spitale është rritur pak më ngadalë se një javë më herët dhe pa një shpërthim në numrat që kemi parë në vendet e tjera,” u tha Frederiksen gazetarëve në 30 Mars.

“Nëse gjatë dy javëve të ardhshme e deri për Pashkë vazhdojmë të qëndrojmë së bashku duke qëndruar të distancuar, dhe nëse numrat mbeten të qëndrueshëm për dy javët e ardhshme, atëherë qeveria do të fillojë një hapje graduale, të qetë dhe të kontrolluar të shoqërisë sonë, sapo të kalojnë Pashkët”.

“Heqja e kufizimeve ka të ngjarë të përfshijë rikthimin ngadalë në punë dhe shkollë ndërsa kufizimet e tubimeve sociale do të mbeten”, tha ajo.

Austria ka ecur në këtë rrugë, me një propozim për të rihapur gradualisht dyqanet pas Pashkës, ndërsa ende zbaton masa duke përfshirë përdorimin e detyrueshëm të maskave të fytyrës në transportin publik.

Më 6 prill, Kancelari Austriak Sebastian Kurz prezantoi atë që ai quajti një “plan të kujdesshëm”, se si të ringjallej biznesi në vend.

“Austria ka reaguar më shpejt dhe me masa më kufizuese se vendet e tjera,” tha ai në një njoftim për shtyp. “Pra, ne kemi qenë në gjendje ta parandalojmë më të keqen që të ndodhte. Kjo rrethanë tani na jep mundësinë që të dalim nga kjo krizë më shpejt, por vetëm nëse të gjithë vazhdojmë t’i përmbahemi masave”.

“Java e Pashkëve do të jetë një javë vendimtare për ne dhe do të përcaktojë nëse ringjallja pas Pashkëve, të cilën ne të gjithë e dëshirojmë shumë, do të ndodhë”, shtoi ai.

Si pjesë e planit, dyqanet e vogla dhe qendrat e kopshtarisë dhe artizanatit do të lejohen të rihapen nga 14 Prilli. Kurz tha se shpresonte që të gjitha dyqanet dhe qendrat e tjera do të hapen nga 1 maji, “nën masa speciale mbrojtëse”.

Italia gjithashtu mund të jetë afër heqjes së kufizimeve të situatës së koronavirusit. Gazeta e përditshme italiane “Corriere della Sera”, tha më 6 prill se disa bizneset në vend mund të lejohen të rihapen që në mes të prillit, dhe se heqja e disa kufizimeve të udhëtimit mund të vijë në maj.

Por, pavarësisht ringjalljes së besimit për ndalimin e përhapjes së sëmundjes, ekspertët kanë paralajmëruar se heqja e kufizimeve shumë herët mund të çojë në një “valë të dytë të infeksioneve”.

“Ka shkëmbime të mëdha dhe komplekse midis shëndetit dhe ekonomisë”, tha Nick Uilson, profesor në Departamentin e Shëndetit Publik në Universitetin e Otagos në Zelandën e Re.

“Dhe disa njerëz të fushës së biznesit ndoshta mendojnë se është më mirë ta mbash ekonominë të funksionojë në një nivel më të lartë – edhe nëse kjo mund të nënkuptojë një numër të madh vdekjesh.”

Minh Cuong Duong, një specialist i sëmundjeve infektive dhe epidemiolog në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor në Australi, tha se udhëheqja e Austrisë dhe Danimarkës janë të etur për t’i kthyer shoqëritë e tyre në “jetën normale publike”.

“Unë mendoj se qeveritë duan të adresojnë shqetësimin e komunitetit në lidhje me kthimin në jetën normale publike, dhe të lehtësojnë ndikimin social dhe ekonomik që sjell bllokimi,” tha Duong.

Ai theksoi se vendimi për rihapjen e industrive ishte “një ringjallje e kujdesshme, hap pas hapi” bazuar në “shenja pozitive”, pas disa javëve të masave të rrepta të bllokimit.

“Bllokimi në vetvete ndihmon në ngadalësimin e përhapjes së COVID-19 dhe kështu lejon më shumë kohë për të përgatitur dhe vendosur masa të tjera kontrolli, për të ndaluar transmetimin dhe për të zvogëluar rastet e reja dhe vdekshmërinë, si ekzaminimi, gjurmimi i kontakteve, karantinimi i rasteve të dyshuara dhe administrimi i rasteve të infektuara”, Tha Duong.

“Sapo të jenë të siguruara këto gjëra, heqja e bllokimit mund të ndodhë”.

Duong theksoi se çdo shenjë negative, si një rritje në numrin e infeksioneve, “do të sillte mbylljen e menjëhershme”.

Sidoqoftë, ekspertët pajtohen që pavarësisht nga perspektiva e përfitimeve ekonomike, heqja e bllokimit pa masa paraprake mund të rezultojë në një rritje të rasteve, më keq se më parë.

“Nëse ata lehtësojnë masat e izolimit … atëherë rreziku është që të përfundojnë si Italia dhe Spanja dhe Nju Jorku, me spitale dhe reanimacione të mbingarkuara,” tha Uilson, profesori në Zelandën e Re.

“Masat e bllokimit u japin kohë këtyre spitaleve si dhe bëjnë që të fitohet kohë deri në gjetjen e kurave”.

Dr David Muscatello, një pedagog në Shkollën e Shëndetit Publik dhe Mjekësisë në Komunitet në Universitetin e Uellsit të ri Jugor, Sidnei, tha që është e vështirë të parashikohet nëse lehtësimi i kufizimeve të koronavirusit në këtë fazë do të ndihmojë.

“Nëse kufizimet janë aq të suksesshme saqë të duket se na kanë vënë në kontroll të transmetimit të virusit,” thotë ai, “atëherë do të mbetet shumë njerëz që janë të ndjeshëm ndaj infeksionit nga koronavirusi. Epidemia mund të rindizet, dhe kjo mund të ketë pasoja edhe më të rënda, veçanërisht për shëndetin e njerëzve dhe sistemin shëndetësor”.

Business Insider

Gazeta Dita