22 Gusht 2023

Galeria e Artit Tiranë mirëpriti këto ditë piktorin e njohur Zymer Mulliqi, që hapi ekspozitën e tij personale “Rrugëtim”. Hapja e një ekspozite me vepra arti është një ngjarje e bukur për kryeqytetin, dhe ajo e një piktori të rëndësishëm si Zymer Mulliqi nga Kosova në Galerinë e Artit Tiranë merr një vlerë të madhe.

Një ekspozitë me piktura dhe grafika dhe një nivel shumë i lartë i përfaqësimit të këtij artisti nga Kosova. Natyra, mjedisi, ambiente të ndryshme dhe njeriu si pjesë e një tërësie mjedisore në GAT. Ekspozita në GAT u hap me praninë artdashësve, drejtorit të galerisë dr. Abaz Hado, miqve dhe kolegëve të artistit nga Kosova. Piktori Zymer Mulliqi tregon se ekspozita “Rrugëtim” përmban punime në pikturë, që janë bërë kryesisht gjatë dy viteve të fundit. “Në punimet në pikturë janë motive të ndryshme figurative, qofshin ato kompozime, figurë, portrete. Janë tema të ndryshme, tema të inspirimit nga letërsia, nga trashëgimia kulturore, trashëgimia natyrore jo vetëm e Kosovës por dhe e Shqipërisë”, tregon piktori.

Një ekspozitë e re në GAT që artdashësit mund të gjejnë këto ditë vepra të artistit të njohur nga Kosova, i cili ndërsa tregon për punët thotë se dhe Pogradeci në krijimtarinë e tij është një vend inspirimi. “Ka qenë një moment, ku kam bërë dhe disa punë në Pogradec. Pogradeci është një vend inspirimi që vazhdimisht më lidh me Lasgushin, dhe unë në një farë forme e kam lidh gjithmonë ndoshta dhe me një inspirim me Ernest Hemingway me “Plaku dhe deti”, por unë në këtë rast them plaku dhe liqeni, ka qenë dhe piktor dhe poet i madh. Gjithmonë e kam një ndjejë inspirimi sa herë që shkoj në Pogradec. Diku në një skutë e shoh Lasgushin në imagjinatën time. Por te mua frymëzim është dhe pjesa veriore e Shqipërisë. Janë gjëra që lidhen me traditën, pak me etnografinë, ku aty qëndrojnë ngjyrat e tokës sonë”, tregon piktori Zymer Mulliqi.

Krijimtaria e artistit

Krijimtaria piktorit Zymer Mulliqi nga Kosova ka kaluar nëpër disa etapa, gjithnjë në kërkim të identitetit krijues. Sipas kritikëve, Mulliqi para së gjithash synon të prezantohet si krijues serioz me ndërgjegje dhe përgjegjësi të lartë krijuese dhe profesionale. Zymer Mulliqi artin e sheh si domosdoshmëri të shpirtit. Ai është një artist që kombinon ngjyrën dhe grafikën. Në këtë ekspozitë janë rreth 60 punime në pikturë dhe grafika. Ekspozitën e parë personale në Shqipëri Zymer Mulliqi tregon se e ka hapur në vitin 2003, ku është prezantuar edhe në qytete si Durrës apo Vlorë, por këtë herë ekspozitën e tij vetjake në Galerinë e Artit Tiranë e ka titulluar “Rrugëtim”. “E titullova “Rrugëtim” këtë ekspozitë, sepse ka gjëra që kanë lëviz në periudha të ndryshme. Janë si një udhëpërshkrimi…”, tregon ai. Sipas piktorit, ku flet me traditën është kënaqësi, është mburrje, është kënaqësi. “Sepse ne në traditën tonë kemi gjëra të bukura, që na i kanë lakmi të tjerët”, shprehet më tej ai.

Puna në studio dhe ekspozita

Gushti solli në Galerinë e Artit Tiranë një bashkëpunim të rëndësishëm me artistin nga Kosova, por piktori  Zymer Mulliqi ka qenë dhe drejtor i Galerisë së Arteve në Pejë. Ai thotë se galeritë e qyteteve janë të rëndësishme në jetën artistike, por kur flasim për Tiranën, sipas tij GAT është me shumë vlerë. “Një galeri shumë e mirë. Tirana është një kryeqytet, që duhet të ketë më shumë galeri, sidomos turizmi në këto përmasa ku vijnë turistë nga vendet e ndryshme të botës galeritë e artit ndoshta janë vendet më të frekuentuara. Kështu që hapja e Galerisë së Artit Tiranë është shumë me vlerë. Por dhe fondi me veprat e artit është shumë i rëndësishëm, është domosdoshmëri kohe”, shprehet piktori.

Ekspozita “Rrugëtim” e piktorit Zymer Mulliqi me piktura dhe grafika në Galerinë e Artit Tiranë

Gjatë këtij viti Zymer Mulliqi tregon se më tepër ka punuar në studion e tij të pikturës. Në Tiranë ai thotë se hapja e kësaj ekspozite ishte dhe një dëshirë e kolegëve dhe miqve të tij. “Unë punoj në studion time në Pejë dhe tani jam në pension, kam qenë aty drejtor i galerisë disa vite. Në Tiranë ishte një dëshirë e kolegëve të mi, që të hapja këtë ekspozitë. Kam kënaqësi që kam hapur një ekspozitë në Tiranë. Në një galeri të re, që unë e  quaj kryeqyteti jonë shqiptar, sepse nuk bëj ndarje kurrë Kosovë-Shqipëri.  Për mua është arti shqiptar në përgjithësi”, thotë ai. I diplomuar në drejtimin e  dizajnit grafik në Prishtinë, por Zymer Mulliqi tregon se pothuajse gjatë gjithë jetës është marrë me pikturë. “Arti është ndjenjë jo zanat”, shprehet ai. Piktori Zymer Mulliqi, i cili ka marrë pjesë në disa ekspozita në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë, është edhe fitues i disa çmimeve.

Gazeta Sot