Ekspertët në Angli të shqetësuar, vendi regjistron shifra alarmante infeksionesh të reja

28 DHJETOR 2020

Niveli shumë i lartë i infeksionit Covid në Angli ka shqetësuar autoritet vendase, ndërsa Shërbimi Kombëtar Shëndetësor (NHS), po lufton për të përballuar rritjen e numrit të pacientëve.

Të hënën, Mbretëria e Bashkuar raportoi një shifër rekord prej 41,385 raste të reja me Covid dhe 357 vdekje.

NHS tha se numri i njerëzve që trajtohen për virusin në spital është tani 20,426, që është më i lartë se kulmi i mëparshëm prej rreth 19,000 në prill.

Zyrtarët shëndetësorë në Uells dhe Skoci kanë thënë gjithashtu se ata rrezikojnë të mbingarkohen.

Shifra e së hënës për rastet e reja është numri më i lartë ditor i raportuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe hera e parë që totali ditor ka tejkaluar 40,000.

Mendohet se shkalla e infeksionit ishte shumë më e lartë gjatë pikut të parë në prill, por kapaciteti i testimit ishte shumë i kufizuar për të zbuluar numrin e vërtetë.

Dr Yvonne Doyle, drejtore mjekësore në Shëndetin Publik në Angli, tha: “Ky nivel shumë i lartë i infeksionit është shqetësues, në një kohë kur spitalet tona janë më të prekshmet, me shtrimet e reja që po rriten në shumë rajone.”

Gazeta Shqip