9 Maji 2024

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se “është koha për një status të ri për vendet që janë në proces bisedimesh me Bashkimin Europian, që do të ishte statusi i vëzhguesit”.

Gjatë fjalës së mbajtur në panelin me temë “Perspektiva Europiane e Ballkanit Perëndimor” në Gjermani, Rama sqaroi se statusi i vëzhguesit të jetë pa të drejtë votimi, por me të drejtë pjesëmarrjeje për të qenë në Bruksel dhe për të qenë pjesë e të gjitha korridoreve, zyrave, e burokracisë.

“Për të qenë në Parlamentin Europian pa të drejtë vote, por për të qenë ndërkohë së bashku për të kuptuar sesi funksionojnë gjërat, për të ndërtuar njohuritë, atë ndjenjën e përbashkësisë, ndërkohë që nuk besoj, nga ana tjetër, në nxitimin drejt anëtarësimit të plotë sepse të nxitosh drejt anëtarësimit të plotë, të pari, është diçka që nuk ndodh, por po themi, ja të gjitha shtetet anëtare zgjohen të gjithë dhe thonë “ja t’i marrim këta djemtë brenda””, shtoi ai.

Rama tha se kjo do të thotë se vendet tona duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë. “Kjo do të ishte e keqe për ne, sepse na duhet të bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë, pasi të ndërtosh shtete europiane që funksionojnë mbështetur në sundimin e ligjit, mbështetur në institucione nuk është për të kënaqur Angela Merkel apo Olaf Scholtz, apo për t’i bërë qejfin Ursulës, apo kujtdo tjetër. Kjo ka të bëjë me interesat tonë dhe me fëmijët tanë, kështu që na duhet t’i bëjmë këto detyra shtëpie.

Të nxitosh është njësoj si t’i japësh dikujt patentën pa mbaruar kursin e drejtimit dhe pastaj ta përballësh me rrezikun që të përplaset rrugës”, nënvizoi Rama.

Gazeta Sot