6 Shtator 2022

Muzeu i “Nënë Terezës” në Prizren, që kishte filluar të ndërtohej para më shumë se një dekade, të hënën i ka hapur dyert duke prezantuar ekspozitën e përhershme dedikuar jetës dhe veprës së Gonxhe Bojaxhiut – Shën Terezës. Profesionistët nga fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij “CHwB Kosova” kanë pohuar se ekspozita informon publikun për jetën dhe veprën e Nënë Terezës dhe synon nxitjen e frymës humane tek të rinjtë. Ndërsa zyrtarët e lartë shtetërorë kanë pohuar se hapja e kësaj ekspozite ka peshë të veçantë kulturore dhe humane.

Edona Rugova nga “CHwB Kosova” ka bërë të ditur se kjo organizatë me mbështetjen e BE-së viteve të fundit ka realizuar intervenime për funksionalizimin e këtij Muzeu, bashkë me realizimin e ekspozitës që shtrihet në tri katet e ndërtesës, duke shpalosur detaje nga prejardhja, jeta dhe misioni i Nënë Terezës.

“Këto detaje të jetës së saj janë të renditura kronologjikisht dhe në katin e sipërm flitet edhe për çmimin që e fitoi, çmimin ‘Nobel’, dhe vazhdimin e saj deri te procesi i shenjtërimit të saj”, ka shpjeguar Rugova.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se kujdesi ndaj trashëgimisë së Nënë Terezës nuk është kujtesë, e cila ndërlidhet vetëm me përkatësinë e saj etnike ose me madhështinë e veprës së saj, porse është kujdes para së gjithash ndaj shembullit të cilin ajo ia dhuroi njerëzimit.

“Përurimi i kësaj ekspozite, në muzeun që do ta bartë vulën e veprës së saj, ka peshë të veçantë kulturore e humane. Ne si bashkëqytetarë e bashkëkombës të së shenjtës sonë e shumë vizitues të huaj do të kthehen këtu për t’i gjetur të dëshmuara rrënjët e familjes së Nënë Terezës e vatrën e cila rriti breza të tërë familjarësh të saj”, ka deklaruar Osmani.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se ky muze do të ruajë frymën e Nënë Terezës, si dhe vazhdimësinë e mirësisë, humanizmit dhe shpresës në Kosovë.

“Ky muze, i cili Prizrenit ia kthen Shën Nënë Terezën në përditshmëri hap shtegun e synimit të saj, i cili mishërohej në misionin e madh që ajo kishte: të krijonte institucione të qëndrueshme në shërbim të më të varfërve”, është shprehur Kurti.

Nënë Tereza është bërë simbol i humanizmit në botë si pasojë e angazhimit të gjatë në shërbim të të sëmurëve e të varfërve. Ishte fituese e çmimit “Nobel” për paqe dhe vite më vonë u shenjtërua nga Vatikani. Ajo vdiq më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë të Indisë.

Bijë e prindërve Nikollë dhe Dranafile Bojaxhiu, Anjeza lindi më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup, asokohe një prej qyteteve më të rëndësishme të përpjekjeve për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane.

I ati i Anjezës, Nikolla, vlerësohej si një prej qytetarëve më të rëndësishëm të Shkupit, ndërkohë që biografët e Nënë Terezës kanë vënë në dukje se ai ishte “një burrë me interesime politike, që tregonte simpati për luftëtarët shqiptarë të lirisë, të cilët jo vetëm që i mbështeste financiarisht, por edhe i mirëpriste”.

Pasi ndërmerrte shpesh pelegrinazhe në Kishën e Letnicës, sot në Viti, Anjeza në moshën 18-vjeçare, më 1928, iu bashkua Motrave të Loretos në Rathfarnham të Irlandës.

Një vit më vonë, më 1929, ajo bashkë me simotrat e tjera arriti në Indi. Puna e saj prej misionareje filloi në vitin 1948, duke iu dalë në ndihmë skamnorëve dhe të uriturve.

Gjatë viteve ‘50 dhe ‘60, Nëna Terezë krijoi një koloni për të prekurit nga lebra, jetimore, klinika të shumta për t’iu dalë në ndihmë banorëve të Kalkutës.

E konsideruar si simbol i humanitarizmit në shekullin e njëzetë, më 17 tetor 1979, Tereza mori çmimin “Nobel” për paqe “për punën e ndërmarrë në betejën për të kapërcyer varfërinë dhe fatkeqësinë, që përbëjnë kërcënim për paqe”.

Me këto çmime misionarja shqiptare kryesonte listën e Gallupit për njerëzit më të admiruar të shekullit njëzet.

E vlerësuar gjithandej botës, Nënë Terezës iu dha qytetaria e nderit në Shtetet e Bashkuara në vitin 1996. E njohur asokohe nga mbarë bota, presidenti amerikan, Ronald Reagan, gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë më 20 qershor 1985, ia ndau asaj “Medaljen e Lirisë”.

Kur u nda nga jeta, pas vetes kishte lënë një trashëgimi të qëndrueshme: një kongregacion katolik me 4.500 murgesha, që sot është aktiv në 133 vende gjithandej botës.

Gazeta Koha. Net, Prishtine