9 Maji 2024

Që prej orëve të para të kësaj të mërkure qytetarët e Maqedonisë së Veriut i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur si shumicën që do të formojë qeverinë e re, ashtu edhe për raundin e dytë të presidencialeve.

Partitë shqiptare gjatë fushatës nuk kanë folur për mbështetjen e asnjë prej dy kandidatëve, duke ua lënë në dorë qytetarëve të zgjedhin për cilin do të votojnë.

E në fakt debati politik është përqendruar tek ajo që analistët e kanë cilësuar përçarje e shqiptarëve që garojnë të ndarë me dy partitë rivale BDI dhe Vlen.

Dhe për të kuptuar më shumë mbi atë çfarë ka ndodhur sot dhe çfarë e pret Shkupin zyrtar pas këtyre votimeve, në emisionin “Ora e Betit” ishte studiuesi Ardian Muhaj.

“Zgjedhjet parlamentare dhe rezultati i tyre u paralajmëruan një javë më parë me raundin e parë të presidencialeve.

Dhe ajo që duhet parë është fakti s epse humbi LSDM-ja kaq thellë?! Tani kemi edhe një votë edhe për raportuesit e Brukselit që janë shumë të varur nga qeveritë dhe propagandat e tyre dhe pikërisht kur kanë lëvdatat më të mëdha ndaj qeverive, atëherë ndodh përmbysjet kaq të mëdha”, tha Muhaj.

Nga OraNews