“Doni luftë, luftë do keni”. Plumbat ndaj bluve në Lezhë si Kartelet Meksikane, guximi i një 21-vjeçari për të qëlluar mbi Policinë e Shtetit.

28 SHTATOR 2021

Për Saimir Hoxhën kjo ishte një ditë e zakonshme pune. Veshi uniformën e profesionit të nderuar për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë në shoqëri, përshëndeti gruan dhe fëmijët dhe doli për të bërë atë prej pak kohësh e bënte në Lezhë.

44-vjeçari ishte pjesë e grupit patrullues që kontrollonte vendet ku ishin mbjellë kanabis, një problematikë që vendi ynë e vuan prej kohësh.

Bashkë me pjesëtarët e tjerë të grupit, Hoxha u nis për të kryer misionin e tij, zhbërjen e krimit dhe kapjen e kriminelëve. Por me siguri as nuk e çonte nëpër mend që kjo do të ishte dita e fundit e jetës së tij.

Dhe aq më tepër një fund të dhimbshëm si ai që pati, i vrarë nga duart e kriminelëve dhe me trupin të hedhur në kanal.

Teksa po patrullonin në zonë, kanë konstatuar një mjet të ndaluar. Nga dyshimi, efektivi i vrarë ka shkuar pranë automjetit dhe për të bërë verifikimin e personit. Por sapo i është afruar, 21-vjeçari Aldo Rama ka qëlluar me armë duke e plagosur. Plumbi e ka kapur në zemër efektivin, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Operacioni anti-kamnabis kishte nisur që mbrëmjen e djeshme në të gjithë zonën e Lezhës.

Një ngjarje e ngjashme me ato të karteleve të dhunshme të drogës në Amerikën Latine. “Përqafime, jo plumba” ishte moto e policisë meksikane pak kohë më parë, të cilës kartelet e drogës iu përgjigjën me një politikë të tyren.

Rrëmbyen, torturuan e vranë një numër të madh forcash policore për të treguar “dhëmbët” e tyre. “Nëse doni luftë, luftë do keni. Për çdo anëtar tonin që arrestoni, do vrasim dy prej jush,” është moto e tyre ku ekzekutimi i policëve është problemi më i vogël.

Asnjë ndryshim me ngjarjen e sotme në Lezhë, ku një 21-vjeçar gjakftohtë gjen guximin dhe qëllon me plumba ndaj uniformës së Policisë së Shtetit.

GAZETA SHQIP