Dhimbja për 650 mijë pensionistët. Ju votuam, por na keni braktisur. –

Letër Zotit Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Ju drejtohem direkt Juve, se mund të reflektoni pak në raport me politikanët e tjerë që kanë pushtuar shtetin shqiptar. Populli po kalon në periudhat më të vështira ekonomike, sociale dhe shoqërore. Ai është i braktisur dhe qeveritarët, përfshirë fatkeqësisht edhe qeveria Rama, të cilin e votuam, duke menduar se do të na përfaqësonte, as që mendojnë se janë përfaqësues të popullit, por janë kthyer në sundimtarë me një jetë përrallore. Nuk është puna se Partia Socialiste nuk mund të vazhdojë më të qeverisë, mbasi ajo është kthyer qeverisje e të Djathtës ekstreme, por është fatkeqësi e madhe që 650 mijë pensionistëve, jo vetëm që nuk u rrit pensionet, por hoqi edhe indeksimin 3 % të pensioneve për vitin 2019. Para dy ditësh më erdhi një i afërmi im që jeton në Durrës, i cili më tha se për 8 muaj nuk kishte ngrënë asnjë herë gjellë me mish. Burrë e grua marrin 290 mijë lekë të vjetra. Gjithë natën nuk munda të flija. Pensionistët flasin me vete trotuareve dhe po u shkurtohet jeta nga ky trajtim çnjerëzor, antishqiptar. Po juve, si në personalitet afat gjatë i politikës shqiptare, kjo politikë antinjerëzore dhe antishqiptare nuk ju shqetëson? Juve duhet të jepni alarmin kundër qeveritarëve, deputeteve dhe shtetarëve që e kanë kthyer Shqipërinë pronë të tyre, ndërsa shqiptarët skllevër, si asnjë herë më parë. Nëse edhe Juve nuk e kuptoni dhe nuk e ndjeni këtë shqetësim njerëzor që po ju paraqes, atëherë më falni, që ju besova t’u drejtohem.

Hajro Limaj, Kolonel (R), Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare. Ish-atashe ushtarak në Republikën e Turqisë, Personalitet i Shquar i Labërisë