30 Mars 2026

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, njoftoi se Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka shpallur qytetin e Delvinës pasuri kulturore të paluajtshme, në kategorinë “Ansambël Arkitektonik Urban”.

Ky vendim vlerëson rëndësinë historike, arkitekturore dhe urbanistike të qytetit, duke synuar mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Sipas ministrit, kjo masë jo vetëm që ruan identitetin historik dhe kulturor të Delvinës, por edhe nxit zhvillimin e turizmit kulturor, mbështet ndërhyrjet restauruese dhe rrit ndërgjegjësimin publik mbi vlerën e trashëgimisë kulturore si një aset kombëtar të çmuar.

“Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale shpall qytetin e Delvinës pasuri kulturore të paluajtshme, në kategorinë “Ansambël Arkitektonik Urban”, duke vlerësuar rëndësinë e veçantë historike, arkitektonike dhe urbanistike të këtij qyteti, si dhe duke synuar mbrojtjen, ruajtjen, konservimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Nëpërmjet këtij statusi synohet jo vetëm ruajtja e identitetit historik dhe kulturor të qytetit, por edhe nxitja e zhvillimit të turizmit kulturor, promovimi i ndërhyrjeve restauruese dhe rritja e ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e trashëgimisë kulturore si një aset i çmuar kombëtar”, shkruan Gonxhja.

/tvklan.al