4 Prill 2024

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, hodhi akuza të tjera në lidhje me laboratorin e kokainës së Xibrakës, duke theksuar se dy prokurorët e çështjes u ngjitën në detyrë. Nga Kuvendi, Noka tha se i vetmi person i pa identifikuar nga Prokuroria ishte vëllai i kryeministrit.

“Shqipëria është një narkoshtet që zë fill nga kryeministri. Si mund të mos vijë kryeministri të japë shpjegime kur vëllai i tij është i kapur me zë dhe figurë. Me urdhër politik rezulton se të gjithë personat e Xibrakës ishin të identifikuar vetëm njëri nuk ishte identifikuar. I them zotërisë kryeministër, por kur Policia e Shtetit thotë se një nuk është i identifikuar është që ta kërkojë në sistem fotografinë e personit dhe pika e dytë është ta shoqërojnë.

Mos vallë ishte ky një deputet me imunitet dhe nuk mund të ndalohej nga policia? Po ua them unë; personi nga grupet e vëzhgimit është identifikuar, por kur është parë se kush është, është dhënë urdhri politik dhe personi i pa identifikuar që përdorte automjetin është vëllai i kryeministrit. Këtë se thotë as Gazment Bardhi as Flamur Noka. Këtë e thonë të dhënat zyrtare të nxjerra nga TIMSI.

Si shpjegohet që dy prokurorët e çështjes që njëri shkoi në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe tjetri do shkonte drejtues i SPAK. Atë ditë ndërhyri dikush më i fuqishëm se Rama dhe ndikoi që të mos zgjidhej. Ky është realiteti. Nuk ndodh dot në asnjë vend një situatë e tillë dhe tani kryeministri i kapur në çark nuk denjon të vijë këtu të japë llogari.

Ta kuptoj hallin Pandi. Përgjimet e Kukësi ku dole ti, 300 mijë euro atje 300 këtu ta ka mbyllur dosjen SPAK-u.

Një ditë do të hapet ajo dosje për ty, Ramën dhe të gjithë organizatën kriminale”, tha ai.