‘Çobani i fundit’ i dhisë së kuqe, Peposhi: – Nuk kemi treg, përballemi edhe me rrezikun nga kafshët e egra

8 Dhjetor 2025
Blegtori Qazim Peposhi është ndër personat e fundit që ka mbetur në Kukës i cili kujdeset për dhinë e kuqe, autoktone e zonës. Ai shprehet se përveç faktit se i duhet të përballet me rrezikun nga kafshët e egra, mundimi që merr përsipër nuk i shpërblehet pasi për prodhimet që i sjell tufa nuk ka treg.
Në fshatin malor të Lusnës, në Kukës, jeton Qazim Peposhi- një nga dy çobanët e fundit që ende ruajnë dhinë autoktone të zonës. Së bashku me bashkëshorten e tij kujdesen çdo ditë për 150 krerë dhi, tri lopë, tre kuaj dhe katër qen. Me këto bagëti kanë rritur tre fëmijë dhe u kanë siguruar shkollimin, duke mbajtur gjallë një mënyrë jetese tradicionale që sot po zhduket.
Peposhi është ndër të paktët që ende mbarshton dhinë e kuqe autoktone, një nga racat më të hershme shqiptare. Kjo race sot rrezikon të zhduket jo vetëm nga mungesa e mbështetjes, por edhe nga braktisja e maleve. Ai punon në male ku përballja me ujkun dhe arushën është e zakonshme. Megjithatë, ligji nuk i jep të drejtë të mbajë një çifte për vetëmbrojtje-një armë që dikur mbante vetëm për siguri, ai është dënuar edhe me burg.
Përveç rrezikut, Peposhi përballet edhe me mungesën e tregut. Produktet si mishi, qumështi, kosi dhe djathi shiten vetëm te të afërmit, sepse në zonë nuk ka treg. Kjo e bën të vështirë që puna e tij të kthehet në të ardhura të qëndrueshme, pavarësisht cilësisë dhe traditës që ato mbartin. Peposhi është një nga zërat e fundit të një tradite qindra vjeçare, që nëse nuk ndihmohet sot, rrezikon të shuhet.
