11 Prill 2023

Kompania gjermane EMS Shipping&Trading ka regjistruar një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit ICSID, (Uashington) për shkelje nga ana e shtetit shqiptar në marrëveshjen koncesionare për administrimin e Portit të Durrësit.

A2CNN raporton se kompania gjermane e ka dorëzuar këtë padi më 7 prill dhe ankohet për ndërtimin e Portit të Ri, pasi cënohet aktiviteti i tyre aktual.

Kompania gjermane EMS Shipping&Trading ka marrë në administrimin Terminalin Lindor në Portin e Durrësit që prej vitit 2013.

Kjo kompani ka të drejtën e operimit për ngarkimin dhe shkarkimin e anijeve. Kontrata koncesionare me shtetin shqiptar është 35 vite dhe nga mbarimi duhen edhe 25 vite, që rrjedhimisht sjell më shumë para në kërkesën për dëmshpërblim.

Fitimi i kompanisë llogaritej në vitin 2021 në 1.3 milionë euro, një shumë që pritet të shumëfishohet nëse Arbitrazhi iu jep të drejtë gjermanëve.

Kjo është padia e radhës për shtetin shqiptar në Arbitrazhin ndërkombëtar.

Më herët, Gjykata ka vendosur urdhërimin e ekzekutimit të pagesës prej 110 milionë euro për biznesmenin Francesco Becchetti.

Këto vendime kanë bërë që kryeministri Edi Rama të paralajmërojë largimin e Shqipërisë nga ICSID.

Gazeta Dita