Ç’do të ndodhë kur Covid-19 të “takojë” virozat e vjeshtës dhe dimrit? Ekspertët: Një gjë dihet, presim një valë…

19 korrik  2020

Optimistët kishin shpresuar se Covid-19 mund të mos i rezistonte të nxehtit të një vere britanike. Sidoqoftë, këto shpresa janë zbehur: virusi rishpërtheu kohët e fundit në disa shtete ku temperaturat arritën pikun.

Por, çfarë ndodh me Covid-19, dhe ne, kur të bjerë shi dhe të ftohet koha, e bashkë me vjeshtën afrohet gripi dhe virozat e stinës? Sidomos situata e gripit dimëror në mes të një pandemie Covid-19?

Një gjë është theksuar. “Ne mund të presim një valë të Covid-19 në vjeshtë,” thotë virologu Ab Osterhaus nga Qendra e Kërkimit për Infeksione të Reja  në Hanover.

Deri atëherë, ai shpreson, se mund të jemi më të aftë në trajtimin e rasteve të rënda, dhe të ketë kapacitete spitalore teksa testohet, gjurmohet dhe karantinohen të gjitha rastet dhe kontaktet e tyre, duke frenuar përhapjen e virusit, më mirë se sa mundemi tani.

Shqetësimi më i madh në Mbretërinë e Bashkuar është se spitalet mund të kenë vështirësi për të përballuar sezonin e gripit në dimër. Këtë vit ata do të duhet të përballen edhe me Covid-19, i cili nuk tregon asnjë shenjë sprapsje atëherë, dhe madje mund të shtohet përhapja nëse rezulton se temperaturat e ftohta, ose qarkullimi i viruseve të tjerë të vjeshtës dhe dimrit, rritin shpërthimin e tij.

Problemi i parë është përcaktimi se cilin virus ka një pacient i semure. Gripi, Covid-19 dhe sëmundjet e tjera të frymëmarrjes janë praktikisht të padallueshme në bazë të simptomave, paralajmëron Barbara Rath nga Universiteti i Nottingham.

Sipas saj, edhe humbja e shijes dhe aromës që shumë njerëz shfaqin me Covid-19 nuk është unike.

Ne kemi nevojë për më shumë informacione dhe teste më të mira diagnostikuese“, thotë ajo, sepse ndryshimi ka rëndësi: personeli mjekësor ka nevojë për veshje të plotë mbrojtëse për të menaxhuar një pacient me Covid, por ato mund të vaksinohen për gripin.

E panjohura e vërtetë është ajo se çfarë i bën Covid-19 viruseve të tjerë. Në vjeshtë ka një seri të parashikueshme shpërthimi të viruseve të zakonshme. Fillon me rinovirusin, shkaktarin kryesor të ftohjes së zakonshme, e cila shpërthen çdo shtator ndërsa fëmijët e vegjël shkojnë në shkollë.

Tani shtrohet pyetja se ku do të përshtatet Covid-19 në mes të këtij ngacmimi viral. Jo çdo virus mund të qëndrojë më vete.Ndonjëherë mund të infektoheni nga dy menjëherë. Pra, çdo të ndodhë me Covid-19?,” thotë Ian MacKay nga universiteti i Queensland.

Mjekët në Spitalin Tongji në Wuhan raportojnë se në janar dhe shkurt të këtij viti, pasi Covid-19 u zbulua në qytet ndërsa gripi qarkullonte akoma, shumë pacientë të infektuar nga Covid-19 kishin të dy viruset. Infeksioni i dyfishtë nuk dukej të ndryshojë shanset e tyre për të mbijetuar në krahasim me njerëzit vetëm me Covid-19, por ata kishin pësuar dëmtime në zemër, inflamacion të organeve, reagim të më vonshëm të sistemit imunitar e disa gjendje të tjera.

Ekspertet presin qe këtë vjeshtë viruset sezonalë dhe Covid do të përplasen kokë më kokë.

“Ne duhet të shpresojmë për më të mirën, por të përgatitemi për më të keqen,” thotë virologu Ab Osterhaus.

Dhe kjo në thelb do të thotë të përgatitemi për grip, sepse është i vetmi nga këto viruse për të cilët kemi një ilaç specifik antiviral dhe një vaksinë./Përshtati Panorama, burimi: The Guardian