Burg për njerëzit në rrugë dhe liri për… qentë e rrugës. –

 5 maji 2019

Nga: Frano Kulli. – 

A s’këlthiti pak a shumë kështu Kryeministri ynë zoti Edi Rama, përpara disa dëgjuesve të mpitë, zyrtarë të tij të bindur,  që sikurse gjithherë ashtu edhe sot bëjnë përpara tij këtë tip dëgjese, me vështrimin e me ndjesinë e të gjitha gjymtyrëve të mpita përpara tij? U foli atyre, për të dëgjuar gjithë ne të tjerët, sigurisht. Sepse ata, që më shumë ngjajnë si manekinë, qysh se kur janë aty, janë vetëm për të dëgjuar… -Burg, tha, deri në dhjetë vjet burg për ata që do të na prishin sigurinë ushqimore.

Sigurisht këtu e kishte fjalën për rritësit e kultivuesit e domateve e specave, të karotave e bizeleve, a të shalqirit pak më vonë, besoj unë, që në vend të rritjes “bio” të perimeve me të cilat ushqehemi, më pastaj ne e shpejtojnë atë me injektimin e hormoneve. Burg për mbarështruesit e dhive e lopëve, ka dashtë me thanë, besoj, që në vend se t’i rrisin e mbarështrojnë ato me bar e një konvejer (varg ushqimesh: tërfil, jonxhë, lakër foragjere etj. – Fjalori i Gjuhës shqipe, Tiranë 1980) i gjelbër, që përbëhet prej ushqimesh të fushës, të kodrës a të malit, e shpejtojnë gjithashtu rritjen e tyre me koncentrate, duke na tregtuar më pastaj ne mishin, po edhe djathin e kosin edhe qumështin e gjithë nënproduktet e tij, prej kafshëve me rritje të stimuluar. U duk se thirri: Eureka… dje, zoti Kryeministër.

Sikur të kishte gjetur vetë zgjidhjen shpëtimtare. Dhe ja, Mesia, vetë ai pra, erdhi e tani do të na shpëtojë. Ani, pse zotnia e tij ka gjashtë vjet këtu, mbi krye tonë, ka më se njëzet vjet këtu mbi krye të Tiranës sonë.

Dhe e ka bërë e po bën atë lesh e lí, si po don. Ani, pse për ne të tjerët, për gjithë ne të tjerët, që nuk banojmë në Surrel ky është një shqetësim i madh, i cili ka vite e vite që shfaqet në formë klithme publike, si një trazimi ynë që ka prekë palcën e jetesës sonë këtu. Prej frikës së stimulimit ndër ne, në këtë mënyrë, të sëmundjeve kancerogjene e të tjera kësisoj, që me të vërtetë përbëjnë rrezik të shkallës sipërore të kërcënimit të shëndetit e jetës sonë. Dhe bash përgjegjësi për këtë, së paku prej gjashtë vjetësh e këndej, është vetë ai dhe qeverisja e tij.

Si gjithnjë edhe kësaj here, kumtin e tij, zoti Kryeministër na e dha me mbushje të zërit e interpretim ngulitës e të fortë, duke e rritur kështu shkallën e fortësisë prej përmendjes së përsëritur të fjalës “burg”.

Burgu ka qenë ndër fjalët e shpeshpërsëritura në artikulimin e zgjedhur të Kryeministrit tonë qysh në fillesën e vet kryeministrore. Dhe burg, në të vërtetë ka ofruar; për të pamundurit për të paguar dritat, për të pamundurit për të paguar ujin, për të pamundurit, po të pamundu shqiptare rit ama, për të paguar taksat që ai i rrit përditë!

Po mos o Zot, larg kjo fjalë për ministrat e tij, adhurues të mbjelljes së kanabisit, mos o Zot, për të mëdhenjtë pasunarë që s’paguajnë as faturën e vogël të dritave e ujit të shtëpisë së tyre të stërmadhe. -Burg – tha, zoti Kryeministër edhe për ata që do të guxojnë… t’u afrohen policëve.

T’u afrohen atyre policëve që ne na dhunojnë përditë të fshehur pas ferrave për të na kapur si pré, ne kalimtarëve në rrugën tonë; na dhunojnë me atë bllokun e gjobave në dorë, do si letra bakalli, që mostrën e tyre – vjetërsinë të dhunshme s’e gjen kund tjetër, veçse ndër ne. Sigurisht, me bekimin e Kryeministrit për t’i shtuar diçka rrogës së tyre të pakët, po për t’i shtuar edhe më shumë arkës së bërë trokë të qeverisë me gjobat që shkundin xhepat tonë.

Frano Kulli-

Burg dhe gaz lotsjellës për njerëzit kur protestojmë kundër qeverisë së tij dhe të tijve, thua se janë policët e Kryeministrit dhe jo policët e shtetit, që duhet të shërbejnë mbrojtjen e shtetasve dhe mbrojtjen e rendit të tyre civil… Dhe ky ishte kumti final, që zoti Kryeministër kishte dje për ne.

Na bënte thirrje që të rrinim urtë… nëse donim t’i shpëtonim burgut të tij. Mirëpo, masat shtrënguese kur pakënaqësia ka dalë në rrugë, nuk kanë rezultuar asnjëherë të dobishme. Së paku, nga Ramiz Alia e këndej. Vetëm kur pushteti t’i ka terratisur shumë sytë e mendjes, ndodh që t’u drejtohesh zgjidhjeve të tilla….

Po burg do të bënin edhe ata që dhunojnë qentë e lirë të rrugëve, besoj se deshi të thoshte, zoti Kryeministër, kur përmendi burgun e njerëzve në emër të lirisë së kafshëve. Qenve që kanë mëse dy vjet që kanë pushtuar sheshet dhe rrugicat e qyteteve, qysh se i ka tredhur e matrikuluar e i ka lëshuar rrugëve mëkëmbësi i tij në krye të Tiranës.