29 Gusht 2026

Ngushtimi i lakut hetimor nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku ka ndezur alarmin e kuq brenda mazhorancës socialiste, duke krijuar një trazirë të madhe politike.

Teksa disa ditë më parë drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, la të hapur mundësinë e një kërkese të re për heqjen e imunitetit parlamentar, Balluku ka nisur të lëvizë me shpejtësi gurët e saj. Me pretekstin e një retreat-i politik dhe organizativ, ajo ka thurur sot një plan të mirëmenduar, duke mbledhur 12 deputetët të Partisë Socialiste të qarkut të Fierit në Hekal të Mallakastrës.

Sfida ndaj kryeministrit dhe kërcënimet me video kompromentuese

Por kjo mbledhje konsiderohet si një demonstrim i pastër force brenda partisë dhe një mesazh i drejtpërdrejtë për kryeministrin Edi Rama. Prapaskenat tregojnë se gjithçka që ish-numri dy i qeverisë po bën tani buron nga frika e panikut të thellë.

Veprimet e SPAK-ut, i cili ka nisur një ofensivë arrestimesh si në të majtë ashtu edhe në të djathtë, e kanë vendosur atë përpara një rreziku real. Mësohet se përveç mbledhjes së “ushtarëve” të saj parlamentarë, Balluku e kërcënon Edi Ramën edhe me disa video kompromentuese. Përmes këtyre pamjeve sensitive, ajo synon ta mbajë kryeministrin nën presion në mënyrë që mazhoranca ta marrë përsëri në mbrojtje politike.

Ajo e di mjaft mirë se lufta me zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe prangosja e saj mbeten një nga kushtet kryesore të vendosura nga Bashkimi Evropian për ecurinë e negociatave të integrimit të Shqipërisë. Për rrjedhojë, çdo përpjekje e saj për të mbajtur nën kontroll deputetët është një mburojë për të shmangur përballjen me drejtësinë e re.

Kështu që thirrja mbështetësve të saj në Mallakastër synon t’i kujtojë Ramës se goditja e saj mund të shkaktojë përçarje fatale për të gjithë grupin parlamentar socialist. Pra kjo tregon se situata brenda selisë rozë mbetet tepër eksplozive dhe me tensione të larta që pritet të shpërthejnë së shpejti. Më poshtë po zbulojnë një pjesë të deputetëve besnikë të Ballukut, të cilët kryesisht i përkasin Qarkut të Fierit:

1.      Belinda Balluku

2.      Petrit Malaj

3.      Kiduina Zaka

4.      Erjo Mile

5.      Ana Nako •

6.      Ceno Klosi

7.      Klevis Jahaj

8.      Asfloral Haxhiu

9.      Antoneta Dhima

10.  Elton Korreshi

11.  Zegjine Caushi

12.  Dhimitër Kruti

Detaje nga dosja e SPAK për Ballukun

Kujtojmë se disa ditë më parë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zgjeruar hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke i shtuar akuzat e reja për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”, ndërsa ka vendosur edhe sekuestro preventive mbi një vilë luksoze në Dhërmi, me vlerë 145 mijë euro.

Përmes një njoftimi zyrtar të SPAK, bëri të ditur me dije se Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e prokurorisë për sekuestrimin e një vile dykatëshe të tipit “Begonia”, e ndodhur në resortin turistik “Ëhite Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut. Pasuria dyshohet se është përfituar në mënyrë të parregullt në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” sh.p.k. gjatë një procedure prokurimi të zhvilluar nga Albcontrol, institucion që drejtohej nga Balluku në periudhën kur janë kryer veprimet e hetuara.

“Ekzistojnë dyshime se pasuria e sekuestruar lidhet me përfitimin e parregullt, të kërkuar dhe marrë nga shtetasja Belinda Balluku, në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik, përmes një procedure prokurorimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a.”, thuhet në njoftimin e SPAK. Balluku është aktualisht e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, por hetimet e mëtejshme kanë çuar prokurorët drejt dyshimeve për vepra të tjera penale.

Çështja lidhet me procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit 88.6 milionë lekë, si dhe me një shtesë kontrate prej mbi 14.1 milionë lekësh pa TVSH.

Sipas SPAK, gjatë përgatitjes së dokumenteve të tenderit dhe zhvillimit të procedurës, janë kryer veprime në kundërshtim me legjislacionin e prokurimeve publike, duke krijuar avantazhe të padrejta për operatorin ekonomik fitues, “Eurocol” sh.p.k. “Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Albcontrol” sh.a., në bashkëpunim me persona të tjerë nën hetim, kanë kryer veprime të kundërligjshme në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit”, thuhet në dosjen hetimore.

Prokuroria pretendon se favorizimi i kompanisë fituese ka vijuar edhe pas shpalljes së tenderit, përmes parapagimit të menjëhershëm në masën 50% të kontratës dhe gjatë zbatimit të saj.