Bëjnë gurore brenda rezervatit. –Ja si tallen me turizmin në Shqipëri!

  • Farma Sotira ndodhet në rezervatin natyror Gërmenj-Shelegur, një destinacion i natyrës shqiptare që ofron bukuri të pafundme, në çdo stinë të vitit.

Por dy pronarët e Farmës Sotira,  Toni dhe Jonida kanë dërguar disa video në Dritare.net, pasi ata kanë një shqetësim të madh, shqetësim ky që mund të rrezikojë seriozisht biznesin e tyre dhe bukuritë e zonës, dhe të bëjë që turistët ta shmangin atë vend.

   

Ata kanë dërguar pamje dhe kanë ngritur shqetësimin se pilërisht në kufi me farmën e tyre, që praktikisht është edhe kufiri i  rezervatit natyror Gërmenj-Shelegur ka nisur tanimë ndërtimi i një guroreje.

Ata shprehen të shqetësuar se bukuritë e natyrës, cicërimat  e zogjve, era e lehtë që lëkund pemët, dhe çdo tingull natyror po zëvendësohet me zhurma të mëdha të ndërtimit të kësaj guroreje, e më pas kur të vihet në funksion tymi do të prish bukuritë e asaj zone.

“Ne nuk e kemi vetëm për vete, ne po mendojmë për të gjithë Kolonjën. Sepse neës neve na dëbtohet biznesi, shumë banorë, fermerë, blegtor do të preken nga ky dëmtim, sepse ne produktet i marrim nga ata, pra efekti është zinxhir”-shprehen pronarët e Farmës Sotira, për dritare.net.

Është pikërisht Ministria e Mjedisit, dhe Inspektoriati Kombëtar i Mjedisit që lëshon këto leje për gurore, që sipas informacioneve të Dritare.net, firma që po ndërton guroren atje është me bazë në Skrapar.

Toni dhe Jonida, bëjnë thirrje përmes Dritare.net që të ndërhyhet urgjentisht për të ruajtur, as më pak e as më shumë sesa një bukuri të madhe natyrore, të virgjër e të me një panoramë mahnitëse.

Dritare.net, do të vazhdojë ta ndjekë këtë problem, dhe do të kërkojë se kush e ka dhënë lejen? Kush po përfiton dhe kush po tallet me turizmin në vendlindje, në një nga perlat më të pazhvilluara të Shqipërisë?

Nga: I.M-Dritare.net