5 Tetor 2023

Gazment Bardhi foli për mediat pas daljes nga parlamenti. Bardhi akuzoi sërish Bashën si pronar i dy kateve në kullën më të shtrenjtë në Tiranë.

Bardhi tha se një muaj pasi Basha humbi zgjedhjet e vitit 2021, bëri një kontratë porosie për dy kate në kullën te Liqeni Artificial i Tiranës.

“Ku i ka marrë Basha dy katet? Situata si kjo e sotmja e provokuar nga Basha janë të përsëritura sa herë maxhoranca është në vështirësi. Ditën kur McGonigal pranoi fajësinë, Basha erdhi në Kuvend dhe në vend të merrej me këtë çështje, i kurdisur si ato kukullat nga Rama e Veliaj, ngriti shqetësimin e kryetarit të grupit të PD.

Kryetarja e Kuvendit e ka opinionin e Drejtorisë juridike, por ka interes që sa herë që maxhorancës i duhet, vjen në Kuvend dhe ngre këtë çështje. E vërteta është që në 2021 demokratët luftonin të bënin Bashën kryeministër.

Ai një muaj pasi humbi zgjedhjet i futi një porosi një kontrate për dy kate në kullën më të shtrenjtë të Tiranës te Liqeni. Tani më shumë kohë kalon në zyrat e arkitekturës për zyrat dhe ambientet tregtare sesa për të bërë opozitë. Sa i takon kullës 64 kate, nuk kam shkuar unë në garazhet e apartamentit të pronarit të kullës për të kërkuar ndjesë.

Transaksionet e tij nuk janë transparente. Nëse kam shpifur të shkojë në gjykatë. Vetëm të mos e bëjë siç e bëri me Veliajn që harroi të shkonte në gjykatë.

Familjarët e Bashës janë e vetmja aleancë me kullat sa kohë që janë sot pronarë të dy kateve në Lion Residence. Unë nuk kam betejë me Bashën, nëse ai vjen më akuzon mua si pjesë e aleancës së Kullave, do të marrë përgjigje”, u shpreh Gazment Bardhi.

Nga OraNews