31 Gusht 2026

Nga Julia Vrapi

Banesat monument kulture në Gjirokastër prej vitesh përballen me probleme të shumta që rrezikojnë ruajtjen e vlerave të tyre historike dhe arkitekturore. Dhjetëra prej tyre kanë nevojë për ndërhyrje, ndërsa pronarët shpesh përballen me vështirësi për t’i mirëmbajtur.

Nga 390 banesa monument kulture në Gjirokastër, rreth 90 prej tyre janë aktualisht në rrezik. Ministri Blendi Gonxhja thotë se shteti do të ndërhyjë për shpëtimin, restaurimin dhe mbrojtjen e tyre, duke marrë përsipër punimet dhe duke ndihmuar ndjeshëm qytetarët.

“Shteti do të ndërhyjë energjikisht për shpëtimin, restaurimin dhe mbrojtjen e banesave monument kulture që rrezikojnë të degradojnë apo të humbasin për shkak të neglizhencës, fragmentimit të pronësisë, braktisjes nga pamundësia për t’i dalë zot apo mosveprimit të qëllimshëm, duke marrë përsipër gjithë punimet dhe duke ndihmuar ndjeshëm qytetarët, por edhe duke ngarkuar pronarin me pjesën e arsyeshme të kostos së detyrimit përkatës!”, shprehet ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Puna për shpëtimin dhe restaurimin e banesave monument kulture në Gjirokastër tashmë ka nisur, por ministri Blendi Gonxhja shprehet se kantieret e para pritet të hapen në fillim të vitit të ardhshëm, me projekte të hartuara sipas manualeve zyrtare të restaurimit dhe të miratuara nga KKTKM. “Nisim nga Gjirokastra, pasuri botërore në UNESCO, ku nga 390 banesa monument kulture, rreth 90 janë në rrezik!

Nuk ka më: ra, se u la në mëshirë të fatit! Puna teknike dhe administrative ka nisur, ndërsa kantieret e para do të hapen në fillim të vitit të ardhshëm, ku projektet do të jenë të hartuara me manualet zyrtare të restaurimit dhe me aprovim nga  KKTKM”, vijon Gonxhja.

Gjirokastra, e përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, mbart një vlerë të veçantë historike dhe arkitekturore, çka e bën ruajtjen e banesave monument kulture një çështje të rëndësishme për trashëgiminë kulturore.

Procesi do të ndiqet nga afër nga strukturat përgjegjëse për trashëgiminë kulturore

Procesi do të ndiqet nga afër nga strukturat përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, për të garantuar zbatimin korrekt të ndërhyrjeve dhe respektimin e standardeve të restaurimit. Gonxhja thekson se nisma do të mbështetet çdo vit me fonde nga buxheti i shtetit dhe do të mbikëqyret nga strukturat përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, duke nënvizuar rëndësinë e këtyre banesave për identitetin, trashëgiminë, turizmin dhe zhvillimin ekonomik.

“DRTK-të rajonale dhe IKTK qëndrore do të ndjekin e mbikëqyrin procesin, praktikat dhe komunikimin me çdo të interesuar. Nisma e shumëpritur vjen me mbështetje vjetore buxhetore dhe zbatohet nga MTKS, në kuadrin e rëndësisë strategjike, identitare, vlerës universale e kolektive, potencialit promovues turistik e ekonomik që banesat monumente kulture mbartin e evokojnë, si pasuri arkitektonike dhe etnografike e si dëshmi të gjalla të trashëgimisë dhe traditës”, shprehet ai.

Ndër vite, edhe specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore kanë kërkuar më shumë vëmendje dhe ndërhyrje konkrete për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe restaurimin e banesave monument kulture në Gjirokastër. Ekspertët kanë vënë në dukje se shpëtimi i tyre është i rëndësishëm jo vetëm për ruajtjen e vlerave arkitekturore dhe historike të qytetit, por edhe për mbrojtjen e identitetit të Gjirokastrës si një prej qendrave më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend.