“Armë e shuma të mëdha parash”, PD flet me emra dhe kallëzon në SPAK Edi Ramën dhe drejtorin e Policisë: Si u arrestua dhe u lirua krimineli që blinte vota për kandidatin e PS!

10 MAJ 2021

Partia Demokratike kallëzon në SPAK kryeministrin Edi Rama, drejtorin e Policisë së Shkodrës Niko Brahimaj, kandidatin e PS Frrok Gjini dhe dy vëllezërit Babaj, Ilir e Basri Babaj. Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat bëri me dije kallëzimin.

“Në krye të skemës kriminale të manipulimit të zgjedhjeve qëndron personalisht Edi Rama. Pjesë e saj janë, drejtori i Policisë së Shkodrës Niko Brahimaj, kandidati për deputet Frrok Gjini dhe dy vëllezërit Babaj”, tha Bardhi, duke lexuar publikisht emrat e kallëzuar “Edi Rama, Frrok Gjini, Niko Brahimij, Ilir Babaj, Basri Babaj, dhe disa persona të tjerë të paidentifikuar.”

Sipas kallëzimit që Bardhi tha se kanë bërë në SPAK, Basri Babaj është kapur disa ditë para zgjedhjeve me armë dhe para në një makinë të blinduar, por me ndërhyrjen e kryeministrit Rama ai është liruar.

“Basri Babaj është ndaluar dhe është shoqëruar nga drejtori i Policisë Niko Brahimaj, të mërkurën, disa ditë para datës së zgjedhjeve. Në makinë janë gjetur 2 armë zjarri, shuma të mëdha parash si dhe materiale zgjedhore, e lista të banorëve të zonës. Me ndërhyrjen e Ramës, Basri Babaj është lënë i lirë mesnatën e asaj dite”, deklaroi Gazment Bardhi.

Sipas sekretarit të PD, Edi Rama ka telefonuar vetë vëllezërit Babaj dhe iu ka kërkuar që të vazhdonin të punonin për fitoren e PS në Shkodër.

Gazeta Sot