Alfred Moisiu i ashpër me palët: Arrestime të zyrtarëve të lartë. Tërmet politik, pasojat më të rënda tek pozita. –

29 qershor 2019

Ish-presidenti Alfred Moisiu i ka gjykuar ashpër palët politike për situatën aktuale të vendit, për të cilën ai i cilëson përgjegjëse.

Në një intervistë për “Kjo jave” në News 24, Moisiu tha se mosndëshkimi i politikanëve që kanë shkelur ligjin, ka rritur “zullumet”.

Ai u shpreh se mendon se do të ketë arrestime të zyrtarëve të lartë, dhe se kjo është e vetmja formë që “ne të mësojmë”.

Moisiu tha se është zhgënjyer nga akti i opozitës për djegien e mandateve, ndërsa tha se në këtë kohë po ndodh një tërmet politik që do të ketë pasoja për të dyja palët, por më shumë për opozitën.

I pyetur se a mendon se do të ketë arrestime të zyrtarëve të lartë, ai u shpreh: Duhet të ketë arrestime të zyrtarëve të lartë, padyshim, sepse ndryshe ne nuk mësojmë, madje kjo frikë i ka detyruar disa politikanët  të bëjnë veprime të pamatura.

“Ky është një tërmet politik, dhe do të ketë pasoja tek të dy krahët, por tek opozita më shumë, sepse bënë një vendim shumë të pamatur për djegien e mandateve. Sjelle negative ndaj popullit, përbuzje”, u shpreh ai.

Ai ka komentuar edhe përgjimet e botuara nga “Bild”, ndërsa tha se janë shqetësuese dhe se Prokuroria duhej të niste hetimet.

“Përgjimet e fundit janë shqetësuese dhe se sapo dolën mendoj që Prokuroria të niste hetimet”, tha Moisiu.

Gazeta Paorama