Alabbar e thotë troç: – Gabova me ndërtimin në portin e Durrësit

Pallatet e fundosura ne Durres
2 Gusht 2026
Biznesmeni Mohamed Alabbar, investitori i projektit të Marinës së Durrësit, ka pranuar dështimin me projektin miliona dollarë në Shqipëri.
Në një intervistë për mediat e huaja, themeluesi i kompanisë “Emaar” është shprehur se “në Shqipëri ndërtova shumë shpejt” dhe se kjo, “ishte gabim”.
Mohamed Alabbar erdhi në Shqipëri mes bujës së madhe mediatike dhe premtimeve ambicioze. Kryeministri Edi Rama e prezantoi si njeriun pas mrekullive të Dubait, ndërtuesin e “Burj Khalifa”-s dhe investitorin që do ta shndërronte Durrësin në një destinacion luksoz të ngjashëm me ato të Lindjes së Mesme.
Por disa vite pas nisjes së projektit “Durrës Yacht & Marina”, realiteti duket larg pritshmërive të krijuara. Investimi i premtuar prej miliarda dollarësh vijon të shoqërohet me pikëpyetje, ndërsa më herët autoritetet pranuan zyrtarisht se dy prej godinave të ndërtuara në kantier kishin pësuar ulje të konsiderueshme në strukturë.
Ndërsa sot është vetë Alabbar pranon gabimet e bëra në Shqipëri. Në një rrëfim të publikuar këtë 1 gusht themeluesi i kompanisë “Emaar” thotë troç se “në Shqipëri ndërtoi shumë shpejt” dhe se kjo “ishte gabim”.
Në prill 2026 emisioni investigativ ‘Piranjat’ zbuloi hijet e forta të dyshimit mbi cilësinë e ndërtimit dhe standardet e zbatuara tek projekti i njohur ndryshe si kompleksi i Alabarit i prezantuar si një investim strategjik prej 3.2 miliardë eurosh në zonën e portit të Durrësit.
Dy prej godinave të para të ndërtuara në këtë kompleks gjigant ishin fundosur. ‘Piranjat’ sollën dëshminë e një nënkontraktori të angazhuar në punimet e betonit që zbuloi se dy pallatet e para kishin pësuar ulje të konsiderueshme në tokë, duke arritur deri në 74 centimetra zhytje. Fundosja u pranua më pas edhe nga autoritetet shtetërore.
Gjatë videos ndalet edhe te një tjetër projekt i tij në bregdetin e Malit të Zi, të cilin gjithashtu e cilëson si një gabim. Sipas tij, vendimmarrja u ndikua nga këshillat e një juristi indian, çka, sipas biznesmenit, rezultoi një zgjedhje e gabuar.
