Adi Puleshi, piktorja ekspresive që ka krijuar një studio të hapur në Pedonale

Ani Jaupaj.

Nga revista Leving

Për mënyrën e re të jetës e të punës prej nga po na drejton pandemia, po mësohemi vetë, pa na sqaruar kush! Të gjithë kanë gjetur një mënyrë për t’u përshtatur. Nuk më kujtohej ta kisha parë piktoren Adriana Puleshi, bashkë me disa nga punët e saj, në Pedonale, për të diskutuar me miq e të pasionuar pas pikturës, por kur e pyeta më tha se kishte tre vite aty. “E kam gjetur si mënyrë komunikimi që nisi prej turistëve. Kjo është një rrugë e bukur, me shumë njerëz, turistët kalojnë gjithnjë, kështu që u kthye në stacion”- tregon Adi. Edhe këtë vit që turistë nuk ka pasur si më parë, Adriana Puleshi vijon të qëndrojë aty, bashkë me të shoqin, për të pritur e përcjellë miq, blerës të mundshëm, por edhe kureshtarë që duan vetëm të pyesin.  “Në ditët me diell jemi gjithnjë këtu, ka qenë edhe një mënyrë për të ruajtur një lloj kontakti me njerëzit gjatë pandemisë. Unë punoj në studio, në shtëpi, por ura e komunikimit tashmë është edhe kjo.”– Në rrugë, Adi ka ekspozuar disa punë të vogla, të përshtatshme për t’u zhvendosur por edhe të mjaftueshme  për të kuptuar e njohur stilin e ngjyrave, shprehjes dhe fuqisë së punëve të saj. Pastaj, studioja e saj e hapur është kthyer vetiu edhe në një ritual takimesh mes miqsh, në një kënd frymëzimesh të papritura që çelin nga gjithfarë historish që dëgjon apo portretesh që shikon…Adi e ka të thjeshtë leximin e gjendjes së njeriut dhe tjetërsimin e saj në pikturë, sepse piktura ka lindur me të.

Adi (Adriana) Peleshi

Nuk janë të shumtë njerëzit që janë të bindur për atë që duan të jenë dhe të bëjnë që në vitet e para të shkollës, dhe të vazhdojnë të mendojnë njësoj se kanë zgjedhur gjënë më të mirë, edhe pasi shkolla të jetë harruar. Adriana Puleshin nuk e nxiti askush drejt pikturës. Lapsin e matematikës e përdori edhe për të vizatuar në tryezën e bukës, bashkë me motrat e saj. Sigurisht që vizatimet e një vajze të vogël në vitet ’70, s’mund të ishin veçse peizazhe, fruta a objekte të shtëpisë, por Adi tërhiqej më shumë nga portretet e motrave tek i shihte duke vizatuar.

Adi (Adriana) Peleshi

Adi (Adriana) Peleshi

Adi (Adriana) Peleshi

Sytë e duart i kërkonin pikërisht portrete. Dikur do të ishin ato të kornizuarat brenda telajos së kohës, por vite më pas, prej asaj që ishte, ekspresiviteti e gjaku i saj i guximshëm nuk do të linin më asgjë. Kur nisi Politeknikumin, shumica e kohës i rrëshqiste duke u bërë portrete shoqeve të shkollës. Sa fletë të bardha fshiheshin mes librash vetëm pse porositësja këmbëngulte ta kishte vizatimin në kohë. U kuptua shpejt nga Adi vetë, por edhe nga të gjithë përreth saj, që mprehja e lapsit nuk mund të ishte vetëm një kalim kohe.