80 vitet e Robert Radojës, personalitet i shquar i muzikës shqiptare. –

Robert Radoja një nga figurat më të shquara të muzikës shqiptare, një profesor i nderuar, një artist i madh e modest për kontributin e tij të shquar, dhe mbi të gjitha një njeri i jashtëzakonshëm, dashaimrës dhe mik i të gijthëve. Mbrëmë, ky personalitet i muzikës, festoi 80- vjetorin e lindjes. Me emrin e tij lidhen breza të tërë muzikantësh që kanë marrë duartrokitjet e publikut në skenat shqiptare.

Fakulteti i Muzikës në Universitetin e Arteve për kontributin e tij organizoi një mbrëmje muzikore.

Mbrëmja ishte titulluar ”Një urim Robert Radoja në 80-vjetorin e lindjes”, e cila bëri që mjeshtri i muzikës të kalonte një ditë të gëzuar lindje dhe të veçantë një një atmosferë festive. Në mbrëmjen festive ishin të pranishëm studentë, pedagogë,miq të shumtë dhe orkestra e RTSH-së të cilët mbushën sallën e madhe të Universitetit të Arteve mes urimesh e këngësh.

Robert Radoja ka orkestruar këngë të muzikës së lehtë duke qenë prezent në rreth 40 festivale si ato të zhvilluara në Radio Televizion ashtu dhe ato të Këngës për Fëmijë.

***

Profesor Robert Radoja u lind në 15 prill 1938 në Bolonja (Itali). Në vitin 1951 fillon studimet në Liceun Artistik në Tiranë për piano. I mbaron ato në vitin 1959. Në vitin 1962 fillon studimet e larta në Konservator ku edhe diplomohet për Piano në vitin 1966. Po në këtë vit fillon punën në Pallatin e Pionierëve në Tiranë në sektorin e Muzikës. Gjatë kësaj periudhe ai orkestron këngë të muzikës së lehtë duke qenë prezent në rreth 40 festivale si ato të zhvilluara në Radio Televizion ashtu dhe ato të Këngës për Fëmijë. Në vitin 1981 emërohet Redaktor i Muzikës në kinostudion “Shqipëria e re”. Në këtë detyrë ai do të punojë deri në vitin 1986. Robert Radoja që prej vitit 1985 do të jetë edhe pedagog në Akademinë e Arteve, Dega Piano, si dhe pedagog për Muzikën e Dhomës dhe Shoqërime në klasën e Flautit. Kompozimi i tij i parë në muzikën filmike do të jetë në vitin 1970 me muzikën e filmit “Guximtarët”. Në Festivalin e 41-të në Radiotelevizion, të zhvilluar në Tiranë prej datës 13 deri në 15 dhjetor të viti 2002, puna e tij e palodhur në vite do të vlerësohej me “Çmimin e Mirënjohjes”.

Në 28 dhjetor 2016 Presidenti Nishani e nderoi me tituliln e lartë “Mjeshtri i Madh”.