Nga Elmas BOGDANI

Vetë kreu i SPAK Altin Dumani ka zbuluar në një raport shifrën për numrin e personave që janë nën hetim nga prokurorët specialë. Ai tha se janë plot 612 zyrtarë të lartë që janë futur “në rrethin e kuq” që nga viti 2020, kur dhe nisi punën SPAK.

Sipas sinjaleve që dha Dumani në konferencën e fundit për gazetarët, drejtësia e re pritet të firmosë dhjetëra fletë arresti, ku në prangat e policisë do të bien zyrtarë të pushtetit vendor, ish-ministra të qeverisë Berisha dhe ministra të Ramës. Gazeta “SOT” po rendit disa nga çështje më të nxehta që pritet të shkundin opinionin publik gjatë muajve në vijim, por gjithashtu në duart e prokurorëve mund të ketë edhe çështje të tjera, të cilat mund të jenë sekrete dhe të panjohura për publikun.

Ja lista me ministra dhe ish-ministra

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ish-ministrja e Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, ish-ministri Damian Gjiknuri, ish-ministri Fatmir Mediu, ish-ministri Aldo Bumçi, ish-ministri Arben Imami, ish-ministri Petrit Vasili, ish-ministri Vangjel Tavo, ish-ministri i Berishës, Ilir Meta dhe një grup biznesmenësh e oligarkësh të fuqishëm në Shqipëri, duket se janë një hap larg burgut. Të gjithë emrat e sipërpërmendur dyshohet se janë përfshirë në afera të rënda korruptive dhe kriminale. Dosjet që mbajnë emrat e këtyre ish-ministrave, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po i kopsit një nga një.

Dosjet që janë drejt fundit të hetimeve

Më i rrezikuari këto javë do të jetë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe Shkëlqim Cani. Vetë Altin Dumani zbuloi pak ditë më parë se prokurorët po reflektojnë sugjerimet e Gjykatës e Posaçme Antikorrupsion që për dosjen e sterilizimit, të cilët kërkuan ndjekje penale ndaj dy ish-ministrave Shkëlqim Cani dhe Ilir Beqaj. “Nuk përjashtohet mundësia në çdo kohë të ketë persona të tjerë nën hetim. S’kam koment për vendimin e gjyqtarit. Vijon të jetë nën hetim nga dy prokurorët e çështjes (Edvin Kondili e Eneid Nakuçi).

Kam ushtruar kompetencat e mua si drejtues i prokurorisë sa më takon ligji. Sa i takon hetimit pasuror, është praktikë në SPAK që kryhet si për veprën penale të korrupsionit edhe për krimin e organizuar, është hetim paralel”, deklaroi Dumani. Nga ana tjetër, të rrezikuarat kryesore janë dhe Frida Krifca e Olta Xhaçka. SPAK konfirmoi së fundmi se ka nisur hetimet për skandalin me fondet e BE. Pak muaj më parë Brukseli ndërpreu fondet IPARD, pra paratë që shkojnë për bujqësinë, pas dyshimeve se ka abuzime dhe korrupsion, ku dyshohet se është përfshirë ish-ministrja e Bujëisë, Frida Krifca. Madje është bërë dhe një padi në SPAK lidhur me këtë çështje nga OLAF. Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një takim me gazetarët tha se se kanë nisur hetimet për këtë dosje.

Pasi çështja u pushua për moskompetencë, ka një hetim të ri tha ai. “Hetimet për këtë dosje kanë nisur dhe janë në proces paraprak. Po verifikojmë nëse ka vepër penale apo jo”, ka thënë Dumani. Nga ana tjetër Olta Xhaçka ndodhet në ditët e saj më të vështira. Ajo dhe burri i saj janë bërë si të shtëpisë në SPAK për abuzimet me pronat. Po ashtu të rrezikuarit kryesorë janë dhe Fatmir Mediu së bashku me Bumçin dhe Imamin. Dosja e Gërdecit dhe Kompleksi Partizani ku shfaqen emrat e tyre po hetohet me thellësi nga SPAK. Madje Dumani zbuloi para pak ditësh se po merren dhe informacione nga amerikanët. Shumë shpejt mund të trokasin prangat. Gjithashtu drejtësia e re mund të presë fletë-arreste dhe tek kupola e LSI. Lobimi me para të pista dhe dosja CEZ-DIA që mban emrin e Ilir Metës dhe bashkëpunëtorëve të tij ish-ministrja janë drejt qepjes.

Dosja e inceneratorëve

Fokusi kryesor nga drejtësia e re do të jetë afera e inceneratorëve, e cila pritet të shkaktojë “prerje kokash” dhe furtunë arrestimesh në radhët e ministrave dhe deputetëve aktualë. Vetë SPAK deklaroi pak javë më parë se çështja në hetim është në nivel ministrash e deputetësh. Gazeta ka mësuar se Prokuroria e Posaçme ka thelluar hetimin për këtë çështje dhe janë në hetim disa persona kyç që janë përfshirë dhe kanë ngjyer gishtin në gjellën e inceneratorëve. Burime nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit theksuan se afera e inceneratorëve do të zbardhte e gjitha dhe kushdo që ka abuzuar do të japë llogari para ligjit.

Kumbaro dhe Balluku

Në rrezik është dhe Kumbaro e Balluku. SPAK ka nisur një hetim për korrupsion, ku hetuesit e BKH ndaluan në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Ministrinë e Energjetikës, ndërsa thuhet se kanë sekuestruar celularë të disa drejtorëve të ministreve Belinda Balluku dhe Mirela Kumbaro. “Një hetim për korrupsion, sipas burimeve në ministrinë e Infrastrukturës dy zyrtarëve iu janë sekuestruar celularët.

Dumani la të kuptohet se bëhet fjalë për korrupsion, por tha se çështja është nën hetim”, deklaroi pak ditë më parë në një media gazetarja Lala. Më tej gazetarja Klodiana Lala tregoi se sa i përket masave shtesë, Dumani pranoi se ka marrë automjet të blinduar por mohoi kategorikisht kërcënimet dhe premtoi se do vijojë detyrën për të hetuar çdo person të dyshuar pavarësisht postit.

Sinjali amerikan

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhanë një sinjal shumë të fortë për politikën shqiptare duke i paralajmëruar se i presin “ditë të zeza”. SHBA përdori përdori pak ditë më parë një metodë për të dhënë një mesazh kërcënues që shumë zyrtarë të korruptuar nëse e shohin do të ngelen “pa gjumë” dhe do të presin se kur e kanë radhën.

Vetë SHBA publikoi pamjet se çfarë po ndodhte brenda SPAK. Ata shfaqën foto me dosje korrupsioni të përhapura në tokë, në dollapë, në sirtar dhe në tavolinë. Mesazhi i koduar i amerikanëve erdhi menjëherë sapo Altin Dumani paralajmëroi surpriza të reja në dosje me pritshmëri të lartë, sidomos ato që ju përkasin korrupsionit duke folur për çështje që mbajnë emra të peshave të rënda