6 autorë në garë për veprën monografike më të mirë për Skënderbeun, Xhufi: Për fat të keq, Ministria e Arsimit është jashtë loje. –

Akademia e Shkencave shpalli gjashtë autorët e nominuar për konkursin për veprën më të mirë monografike dedikuar Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Akademia e Shkencave shpalli gjashtë autorët e nominuar për konkursin për veprën më të mirë monografike dedikuar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Për veprën më të mirë shkencore ose dokumentare autorët shqiptarë janë Aurel Plasari për veprën “Skënderbeu, një histori politike”, Kasem Biçoku me veprën “Toponimet mesjetare për studimet historike”, Petrika Thëngjilli me veprën “Skënderbeu, arritje, mangësi pikëpamje të ndryshme. Për veprën me të mirë shkencore ose dokumentare shkruar nga autorë të huaj, shqip ose në gjuhë tjetër janë përzgjedhur tre autorët, që janë;  Jose Manuel Floristan, me veprën “Marrëdhëniet mes Mbretërisë së Napolit me Shqipërinë, Lucia Nadin (Luçia Nadin) me veprën “Shqipëria e rigjetur” dhe Oliver Schmitt (Oliver Shmid) me veprën “Shqipëria venedikase” sjell në shqip nga Adrian Klosi. Këto vepra janë përzgjedhur nga 30 të tilla, që u paraqitën në këtë konkurs. Për secilin çminim vlera është 500 000 lekë.

Historiani Pëllumb Xhufi i konsideron aktivitetet për 550-vjetorin e ndarjes nga jeta të Gjergj Kastriot Skënderbeut një rast shumë të mirë, për shkencat albanologjike.

Profesor, sa u shërbejnë njerëzve aktivitetet që bëhen për 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut?

Mendoj se ky ishte një rast shumë i mirë që të vlerësoj mbështetjen që më në fund qeveria i dha shkencave albanologjike për organizimin e aktiviteteve të ndryshme për 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Nuk është çështja vetëm në përfitimin e konferencave që janë bërë deri tani, brenda Shqipërisë, por edhe jashtë në Kosovë, Maqedoni edhe në diasporë për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Por këto konferenca kanë shërbyer për të sensibilizuar njerëzit, që përtej vlerave madhore edhe të përditshme ka edhe disa vlera madhore, që na mbajnë gjallë edhe na mbajnë bashkë. Kjo në radhë të parë është shkenca albanologjike, që në 30 vitet e saj ka pësuar edhe goditjet e saj, si shumë sektorë të tjerë të jetës në vendin tonë. Ka pasur një bjerrje të njerëzve shkencorë, që merren me studimet albanologjike, në fushën e historisë, gjuhësisë apo të antropologjisë. Ka pasur një vëmendje të pakësuar të organeve drejtuese të Ministrisë së Arsimit, por edhe të qeverisë për përgatitjen e kuadrove të reja që duhet që të zëvendësojnë edhe brezin e dytë të studiuesve albanologë. Në këtë kuptim këto kanë krijuar edhe një sensibilitet,kam parasysh këtë edhe pjesëmarrjen në serinë e leksioneve magjistrale, që u zhvilluan në Pallatin e Kongreseve, ku studiues të huaj edhe shqiptarë paraqitën gjëra interesante edhe të reja për Skënderbeun edhe për epokën e tij.

Cmimet që ndahen në kuadër të 550-vjetorit të ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar, çfarë rëndësie kanë?

Edhe ndarja e çmimit të nominuar emrit të heroit tonë kombëtar ka rëndësinë e saj, sepse përfshinë studiuesit më të merituar jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, të cilët ndihen të begenisur.

Ngelet shpresa e madhe, që organet qeveritare, institucionet e ngarkuara për të ndjekur shkencat albanologjike do të sensibilizohen për të kuptuar që albanologjia është një drejtim shkencor me rëndësi të madhe kombëtare.

Ne themi që do të organizohemi me Kosovën në kuadër e integrimeve të madha evropiane, por ne kemi një fushë që jemi që tashmë të integruar dhe kjo është pikërisht albanologjia. Studiuesit kanë krijuar ura komunikimi që në kohë të hershme, gjë që fatkeqësisht nuk ndodh sot, sepse shpeshherë institutet trajojnë tema të ngjashme. Nëse do të kishte borde të përbashkëta ndarja e punës do të përcaktohej. Në këtë drejtim ka shumë gjëra për t’u bërë, natyrisht që këtu është përgjegjësia e vet institucioneve tona shkencore, por edhe e atyre vendimarrëvse të institucioneve qeveritare, që kanë në dorë thesarin e shtetit. Këto gjëra duan një minimum shpenzimi edhe një lloj parapërgatitje dhe planifikimi, sidomos për përgatitjen e kuadrove të reja.  Albanologjia do njerëz të përkushtuar, njerëz të sakrificës, sepse kjo fushë nuk të bën të pasur. Në këtë aspekt shteti duhet që të vërë dorë për ta përgatitur gjeneratën e re të osmanologëve, latinizve, helenizëve, sllavologëve, të cilët janë të domosdoshëm për të lëvruar fushën e antropologjisë.

Çfarë roli duhet që të ketë Ministria e Arsimit në botimin e teksteve të reja?

Për fat të keq Ministria e Arsimit është jashtë loje, nuk ka gjetur pikë takimi me kërkimin shkencor pavarësisht se me ligj e mbulon ajo kërkimin shkencor. Ka raporte fare të ftohta me institucionet kërkimore shkencore dhe ato që merren posaçërisht me albanologjinë. Në vitin 2013 kur erdhi qeveria e re që vazhdon që të jetë në fuqi, erdhi me një premtim që do të bënte një rishikim të teksteve, gjë që nuk ndodhi, pati një tërheqje sot dhe janë lënë tekstet e vjetra sot kësaj dite. Tekste me boshllëqe, por edhe me gabime skandalozë në raport me shkencën, të cilat janë denoncuar vazhdimisht nga njerëzit edhe nga njerëzit e shkencës.

Po librat e autorëve në garë çfarë vendi zënë në bibliotekat e shkollave?

Mjafton që të shihni bibliotekat e shkollave se çfarë librash blihen nga Ministria e Arsimit dhe të jeni të sigurt, që nuk gjendet asnjë nga librat e autorëve, që u përmendën pak më parë. Përkundrazi janë autorë të padomethënshëm, që shpeshherë nuk i lidh edhe nuk duhet që t’i lidh asgjë me shkollën edhe me edukimin e nxënësve tanë, që janë futur aty politikisht nga ministri i radhës apo drejtorët, që kanë pushtetin e tyre. Duhet të jetë një prioritet i Ministrisë së Arsimit që të pajisë bibliotekat e shkollave me vepra që u japin dije nxënësve, por edhe i informojnë si qytetarë, për të përgatitur një brez të ri që do të drejtojë këtë vend edhe në dekadat e ardhshme.

Cili është dëmi që u bëhet brezave të rinj?

Dëmi është jashtëzakonisht i madh. Të rinjtë tanë që mërzejnë nëpër klubet e Tiranës nuk dinë as datat më të lehta për figurat, që duhet që të njihen nga të gjithë shqiptarët, e çdo formimi qofshin. Kanë  boshllëqe të frikshme edhe gabime të jashtëzakonshme. Është një turp për ata vetë, për nxënësit edhe për familjet e tyre, por në radhë të parë është një dobësi e madhe e sistemit tonë arsimor, i cili vazhdon për fat të keq të lëndojë.