6.2 ton mish pule me salmonelë u përpunuan në një fabrikë sallami. AKU jep informacione kontradiktore

23 Janar 2026
Italia ka dhënë alarmin se pas kontrolleve te kryera te mishi i pulës me origjinë nga Rumania është konstatuar prezenca e “Salmonella infantis”.
Ky produkt i importuar në Shqipëri ka kaluar për përpunim në një fabrikë sallami.
Pas kërkesës për informacion që “Ora News” i drejtoi Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ky institucion na bën me dije se sasia e mishit të pulës me salmonelë e importuar në vendin tonë është 6257 kg.
Pas kontrollit të AKU-t në fabrikën e sallamit ka rezultuar se mishi i pulës ishte futur në trajtim termik dhe produktet përfundimtare të hedhura në treg ishin: kremviçe pule, sallam popullor, sallam popullor pikant dhe sallam i tymosur.
Fabrika e përpunimit të mishit e ka shpërndarë sallamin në 17 qytete të vendit.
Pas njoftimit të ardhur nga Italia, këto produkte janë analizuar në ISUV.
AKU shprehet se të gjitha produktet përfundimtare të prodhuara kanë rezultuar konform, pa prezencë të “Salmonella infantis”.
Institucioni, i cili duhet të garantojë sigurinë ushqimore në vend është kontradiktor në informacionet që jep. Fillimisht te njoftimi zyrtar, AKU bën me dije se pas kryerjes së kontrolleve dhe ndjekjes së gjurmueshmërisë ka bllokuar sasinë gjendje të lëndës së parë, pra mishin e pulës të importuar nga Rumania të cilin subjekti nuk kishte kaluar ende në përpunim.
Por në përgjigjen zyrtare për televizionin “Ora News” ky institucion shprehte se nga sasia 6257 kg mish pule nuk është bllokuar asnjë gram, sepse i gjithë produkti kishte kaluar në prodhim.
Cilit variant duhet t’i besojë konsumatori? Asaj që AKU deklaron në njoftimin zyrtar se ka bllokuar sasinë në gjendje të lëndës së parë? Apo variantit të dytë, kur shprehet se nuk është bllokuar asnjë sasi e produktit?
Një tjetër shqetësim lidhet me faktin se AKU nuk kryen analiza për çdo sasi mishi të importuar, duke lënë të hapur mundësinë e hyrjes në vend të produkteve që nuk garantojnë siguri ushqimore.
