23 Janar 2026

Donald Trump tërhoqi të enjten ftesën për Kanadanë për t’iu bashkuar iniciativës së tij të Bordit të Paqes, e cila synon zgjidhjen e konflikteve globale.

“Ju lutem, kjo letër shërben për t’ju njoftuar se Bordi i Paqes po tërheq ftesën për ju për bashkimin e Kanadasë në atë që do të jetë Bordi më prestigjioz i Liderëve ndonjëherë të grumbulluar”, shkroi Trump në një postim në Truth Social, drejtuar kryeministrit kanadez Mark Carney.

Trump lançoi iniciativën e Bordit të Paqes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke pretenduar se do të jetë “një nga trupat më vendimtarë ndonjëherë krijuar në historinë e botës”. Bordi, i cili do të udhëhiqet nga Trump, u përshkrua fillimisht si një trupë e përkohshme për të mbikëqyrur qeverisjen dhe rindërtimin e Gazës.

Ndërkohë liderë të shumë demokracive liberale kanë refuzuar të bashkohen me organizatën e re ndërkombëtare të Trump.

Carney e kishte pranuar në parim para Davosit, megjithëse kishte thënë të dielën se zyrtarët e tij nuk kishin shqyrtuar ende “të gjitha detajet e strukturës, si do të funksionojë, për çfarë shërben financimi, etj.”

“Kanadaja kërkon të ketë impakt maksimal me paratë”, tha Carney për gazetarët.

Ministri i Financave të Kanadasë, François-Philippe Champagne, njoftoi të martën se Kanadaja nuk planifikonte të paguante 1 miliard dollarët që kërkoheshin për një vend permanent në bord.

Në një fjalim të hapur për liderët botërorë në Davos të martën, Carney përshkroi atë që e quajti “një shpërthim” në rendin botëror të mëparshëm të bazuar në rregulla, i shkaktuar nga sjellja agresive e Trump.

Kur mbërriti në Davos, Trump bëri të qartë se kishte dëgjuar për fjalimin viral të Carney-t.

“Kanadaja jeton për shkak të Shteteve të Bashkuara. Mos e harro, Mark, herën tjetër që bën deklarata të tilla”, tha Trump të mërkurën.

“Kanadaja nuk jeton për shkak të Shteteve të Bashkuara. Kanadaja prosperon sepse jemi kanadezë”, u përgjigj Carney të enjten.

As zyra e Carney-t dhe as Shtëpia e Bardhë nuk kanë komentuar menjëherë për Reuters.

“Sapo ky bord të formohet plotësisht, mund të bëjmë thuajse çfarë të duam. Dhe do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara”, tha Trump të enjten në Zvicër.

Krijimi i bordit u miratua nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së si pjesë e planit të paqes së Trump për Gazën, dhe zëdhënësi i OKB-së, Rolando Gomez, tha të enjten se angazhimi i OKB-së me bordin do të jetë vetëm në këtë kontekst.

Kombet që janë anëtare përfshijnë Argjentinën, Bahrejnin, Marokun, Pakistanin dhe Turqinë. Aleatët e tjerë të SHBA-ve, si Britania, Franca dhe Italia, kanë treguar se nuk do të bashkohen për momentin.