14 Prill 2024

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 5 të arrestuarit për tjetërsimin e pronave në Spitallë. Në qeli është lënë ish-zv.drejtori iKadastrës, Leonard Kadrimi dhe 4 personave të tjerë, Lirim Xhameta, Dashnor Taulla, Ardit Kërtusha dhe Gjovalin Ndoci, të cilët akuzohen se tjetërsuan 448 mijë m2 tokë në Spitallë.

Leonard Kadrimi ka qene drejtor i Kadastres Durrës dhe akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Po në kuadër të këtij procedimi penal, është ekzekutuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për veprën “Përvetësimi i produkteve ose mallrave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale”, për 9 persona të tjerë.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tjetërsuar dokumentet e një pasurie të paluajtshme (tokë), me sipërfaqe 151 000 m2, në lagjen nr.15, Durrës”, njoftoi policia.

Lirim Xhameta 58-vjeç dhe Dashnor Taulla 61-vjeç, të dy banues në Durrës, akuzohen për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;

Ardit Kërtusha, 33-vjeç dhe Gjovalin Ndoci, 44-vjeç, të dy banues në Durrës, akuzohen për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Skema e tjetërsimit

Në shkurt 2023, një denoncues u paraqit para prokurorit Pali Deçolli në Durrës dhe kallëzoi se një sipërfaqe toke, për të cilën ai dhe të afërm të tij pretendojnë pronësinë dhe për të cilën ndodhen në proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë, ishte rrethuar me mure betoni nga persona të panjohur.

Prona sipas denoncuesit ndodhej në Spitallë, por ai nuk e dinte se kush ishte zaptuesi. E vënë në lëvizje pas këtij denoncimi prokuroria gjeti se prona ishte shitur dy herë dhe i kishte kaluar një kompanie që kishte bërë rrethimin dhe shtrimin e saj me çakull.

Por hetimet gjetën se procedurat e regjistrimit të kësaj prone në emër të Lirim Xhametës ishin të paligjshme, ashtu si dhe pasuria në emër të të ndjerit Dilaver Taulla.

Prokuroria zbuloi nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe marrja në pyetje e personave të përfshirë se fillimisht pronat ishin regjistruar në emër të Xhametës dhe Taullës dhe përmes falsifikimit të dokumentave ishin përfshirë në regjistrat kadastralë në vitin 2010. Drejtuesi i kadastrës në atë kohë dhe një punonjëse, emri i të cilës përdoret ne praktika, mohuan që t’i kishin nënshkruar aktet.

Vetë prokuroria gjeti se në fakt këto akte ishin futur në regjistra përmes shënimeve me dorë vetëm në vitin 2019.

Prokuroria nuk diferencon rolet që personat e arrestuar dhe akuzuar kanë luajtur, por Kërtusha duket se është nyja lidhëse. Emri i tij përmendet nga Xhameta si “Diti” dhe po ashtu edhe nga Dashnor Taulla, trashëgimtar i Dilaver Taullës, si personi që premtonte të rregullonte dokumentet për tokë.

“Më pas janë takuar Dashnori dhe Krenari me shtetasin Ardit Kërtusha dhe ky i fundit i ka marrë përsipër që t’i rregullonte tokë, pasi sipas Arditit, i takonte sipas ligjit. Arditi i ka kërkuar kartat e identitetit të tij dhe të vëllezërve dhe motrave duke i thënë se ‘ju takonin të gjithëve”, citohet në dosje Dashnor Taulla, i cili thotë se u përfshi në këtë histori në vitin 2019 sëbashku me Krenar Karatin, që i kishte premtuar se njihte dikë që mund t’i rregullonte tokën.

Në këtë kohë, Kërtusha ishte drejtues i FRESSH-it të Partisë Socialiste të Durrësit, mbante një post drejtues në OSHEE-në lokale dhe po ashtu kishte kandiduar për t’u punësuar si regjistrues në kadastër, por ishte skualifikuar për shkak të mungesës së eksperiencës.  Në vitin 2020, ai garoi për t’u zgjedhur si kryetar i Partisë Socialiste në Durrës, por më pas u tërhoq nga gara.

Në profilin e tij në Facebook, Kërtusha akuzoi ish-kryebashkiakun Vangjush Dako për ndërhyrje në garë dhe akuzon se rivali i tij që fitoi zgjedhjet ishte marionetë e Dakos. Pas tërheqjes nga gara, Kërtusha mbështeti opozitën në zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa në vitin 2022 mbeti i plagosur në një atentat.

I pyetur nga prokuroria për tjetërsimin e pronës, Kërtusha që njihet publikisht edhe si lektor në Universitetin e Durrësit, ka mohuar çdo dijeni.