29 Nentor 2023

Mijëra shqiptarë në Londër kanë festuar mbrëmjen e djeshme pavarësinë, duke “pushtuar” rrugët e kryeqytetit britanik. Por mediat në Britaninë e Madhe raportojnë se policia ka arrestuar disa persona, të cilët kanë hedhur fishekzjarrë.

Sipas Daily Mail, rrugët rreth Westminsterit u bllokuan nga turmat e njerëzve që valëvitnin flamuj shqiptarë dhe ndiznin fishekzjarrë, me Audi, Mercedes dhe makina sportive të konvertueshme që shiheshin duke lëvizur në trotuar dhe duke i rënë borive.

“Disa njerëz u panë duke valëvitur flamuj teksa qëndronin sipër automjeteve në lëvizje, ndërsa trafiku i rregullt në përpjekje për të kaluar nëpër kryeqytet u ndal pasi tubimi shkaktoi mbylljen e rrugëve”, shkruan tabloidi britanik.

Policia Metropolitane  konfirmoi se arrestoi shumë persona që hodhën fishekzjarre drejt turmës, ndërsa të tjerë dyshohet se hodhën shishe drejt oficerëve.

Policia lëshoi ​​një urdhër shpërndarjeje në rrugët e Londrës qendrore, duke u dhënë oficerëve më shumë fuqi për t’i detyruar njerëzit të largohen nga zona ose t’i ndalojnë nëse refuzojnë.