11 Prill 2024

Nga Elmas BOGDANI

Janë të shumtë ata që mbrohen duke thënë se nuk kanë kryer asnjë aferë apo se nuk ka prova për emra të caktuar. Por ka një element që mund t’i fundosë të gjithë dhe ajo është pasuria. Sipas raportit zyrtar për vitin 2023, Prokuroria e Posaçme po merr ndihmë nga institucionet shqiptare, por edhe nga SHBA-BE për të rënë në gjurmët e llogarive të tyre bankare jashtë vendit.

Mësohet se SPAK ka regjistruar 22 hetime pasurore reja, krahas hetimeve pasurore të mbartura nga vitet e kaluara, si dhe krahas hetimeve pasurore, që bëhen për çdo çështje penale në kuadër të hetimit penal. Agjentë të FBI, ekspertë dhe agjenci ndërkombëtare kanë shtuar bashkëpunimin me institucionet shqiptare për të zbuluar llogaritë bankare të pushtetarëve shqiptarë, përfshirë ministra, ish-ministra, deputetë apo gjyqtarë dhe prokurorë. Në lëvizje janë vënë dhe disa agjenci ligjzbatuese europiane, të cilat po japin asistencë në këtë mision kaq të rëndësishëm.

32 Skuadra të Përbashkëta Hetimore

Në raport thuhet se SPAK-ut është vlerësuar me nota mjaft pozitive në luftën kundër pastrimit të parave nga Grupit i Posaçëm i Veprimit Financiar (ICRG)- Financial Action Task Force (FATF) ku në seancën plenare të datës 27 Tetor 2023, FATF miratoi vendimin për daljen e Shqipërisë nga lista e juridiksioneve nën monitorim të shtuar, njohur ndryshe si “lista gri”, duke veçuar kontributin e SPAK dhe rezultatet e SPAK për IO7 dhe IO8, si rezultate mjaft pozitive në luftën kundër pastrimit të parave, të cilat adresonin problematikat gjerësisht, si në drejtim të procedimeve penale dhe hetimeve pasurore në fushën e pastrimit të produkteve të veprës penale, sekuestrimeve e konfiskimeve për personat e hetuar dhe personat e tretë të lidhur me to.

Duhet theksuar fakti që Prokuroria e Posaçme kryen hetim financiar dhe pasuror paralel për të gjitha kategoritë e veprave penale në kompetencë të saj dhe si rezultat i tyre ka pasur sukses në kërkesat dhe vendimet për sekuestrime dhe konfiskime. Ka një përmirësim të dukshëm në bashkëpunimin ndërkombëtar në kuadrin e Eurojust, ku mund të nënvizohet se, Shqipëria nëpërmjet SPAK ka treguesit më të lartë në rajon në lidhje me formimin e skuadrave të përbashkëta hetimore me 32 Skuadra të Përbashkëta Hetimore në total të krijuara në vitet 2020-2023, në funksion të hetimeve të Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, ku 10 prej tyre janë krijuar në vitin 2023, nga 25 skuadra që janë aktive që prej fillimit krijimit të Prokurorisë së Posaçme.

Detajet

“Është rritur ndjeshëm edhe komunikimi i drejtpërdrejtë i Prokurorisë së Posaçme me autoritetet homologe qoftë ato Evropiane, Amerikane, gjithashtu edhe me autoritetet homologe të vendeve të Amerikës Qendrore dhe të Amerikës së Jugut.

Është rritur ndjeshëm shkëmbimi informacionit edhe nëpërmjet rrjeteve dhe kanaleve të ndryshme të komunikimit si Eurojust, Interpol, Europol etj. Vazhdon gjithashtu intensiv dhe në rritje komunikimi me oficerët ndërlidhës atashuar pranë Ambasadave të Huaja në Tiranë, i cili ndikon në forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e efektivitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë vitit 2023, nga ana e Sektori për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta të Prokurorisë së Posaçme, janë trajtuar 48 kërkesa për ndihmë të ndërsjellët juridike nga autoritetet gjyqësore të huaja, në bazë të konventave të Këshillit të Europës dhe Konventave të Kombeve të Bashkuara, si dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare dhe dypalëshe ku Republika e Shqipërisë është palë. Nga këto janë ekzekutuar 41 kërkesa për ndihmë juridike. Këto kërkesa janë drejtuar nga ana e autoriteteve gjyqësore të huaja, për kryerjen e veprimeve në Republikën e Shqipërisë lidhur me hetime në kuadër të veprave penale kryesisht në fushën e korrupsionit, trafikimeve të lëndës narkotike, pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, mashtrimit, mashtrimit kompjuterik, vjedhje, të kryera në formën e bashkëpunimit asaj të grupit të strukturuar kriminal.

Një tjetër aspekt i punës së Prokurorisë së Posaçme në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, ka qenë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të përbashkëta të bashkëpunimit me prokuroritë e shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe vendeve fqinje ku më datë 29.06.2023, është nënshkruar Marrëveshja për bashkëpunim ndërmjet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë dhe Prokurorit Publik Evropian. Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional gjatë vitit 2023, Prokuroria e Posaçme bazuar në ligjin nr. 95/2016, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, të ndryshuar, në kushtet e ndryshimeve ligjore të bëra në ligjin nr. 10193, datë 3.12.2009 “Për Marrëdhëniet Juridiksionale me Autoritetet e Huaja në Çështjet Penale”, të ndryshuar, ka vijuar punën në grupin e përbashkët me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, për Hartimin e Udhëzimit të Përbashkët me këto institucione “Për përcaktimin e rregullave të detajuara për formën e kërkesës, procedurën dhe përkthimin e akteve në marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, thuhet në raportin e SPAK.

Gazeta Sot