1938: Prapaskenat e ndërtimit të Teatrit Kombëtar, fundi i një epoke historike

Nga Erald Kapri

Kompleksi i rrethit shqiptaro-italian Skënderbeg, më pas i njohur si Teatri Kombëtar, është i lidhur simbolikisht dhe thelbësisht me historinë e shtetforimit të shqiptarëve.

Ndërtimi i këtij kompleksi futurist shënoi institucionalizimin e kulturës në Shqipëri.

Me hedhjen e  themeleve të tij, në janar 1938, parlamenti shqiptar i Mbretërisë miratoi të parin ligj mbi kinemanë dhe teatrin në Shqipëri, si edhe të parin Institut të Studimeve Shqiptare.

Përtej rëndësisë kulturore, prapaskenat për ndërtimin e tij do të shënonin fundin e një epoke të rëndësishme, atë të viteve të arta 1930-të. Shembja e tij sot mund të jetë preludi i një epoke tjetër për shqiptarët.

Faksimile e ligjit te pare shqiptar per Kinemane dhe Teatrin ne Shqiperi, janar 1938

Historia nis në viti 1937, vit vendimtar për mbretëtimin e Mbretit Zog.

Monarku festoi me pompozitet 25-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Por ujërat e marrëdhënieve me italianët, shpesh më dallgë të shumta, ishin në prag të një shtrëngate të re. Ardhja e dhëndrit të Musolinit, Kontit Galeaco Çiano, në krye të politikës së jashtme italiane do ndryshonte edhe rrymën ndaj Zogut.

I vetëdijshëm ndaj këtyre ndryshimeve në Itali dhe afrimit të saj me Jugosllavinë, Zogu reagoi duke formuar një qeveri më pro italiane, pas rrëzimit të kabinetit të Mehdi Frashërit.

Ndërkohë, italianët ishin investuar fort në dy drejtime në politikën e tyre me Shqipërinë—të martonin Zogun me një fisnike italiane dhe të realizonin bashkimin doganor mes dy vendeve, çfarë do t’u jepte atyre kontrollin mbi ekonominë shqiptare.

Italianët ishin aq këmbëngulës sa në hije ata prishën disa fejesa të mundshme të Zogut me fisnike të huaja.

Në vitin 1937, diplomatët britanikë në Romë zbuluan se njerëzit e Zogut kishin muaj që negocionin me një konteshë hungareze për ta bindur të bëhej mbretëresha e Shqiptarëve. Sapo italianët mësuan negociatat, angazhuan disa nga fisnikët e tyre që ia dolën të prishin përkohësisht planin e Zogut.

Ndërkaq, ministri shqiptar i ekonomisë Terenc Toçi i dorëzoi parlamentit shqiptar një projekligj për unifikim tarifash doganore me Italinë. Projekligji bënte pothuaj të pamundur tregtinë me vendet e tjera dhe deputetët shqiptarë e refuzuan.

Si rezultat i këtyre zhvillimeve, fundi i vitit 1937 i gjeti marrëdhëniet mes dy vendeve dukshëm të acaruara.

Të mësuar me kokëfortësinë e Zogut, italianët iu kthyen politikës së joshjes ndaj monarkut shqiptar. Atij iu propozua nga Jakomoni një plan për investime të mëdha në arsim, kaq shumë të munguara.

Mes investimeve të premtuara ishin një godinë e re për Liceun Francez të Korcës, që do të quhej Liceu Shqiptar, disa shkolla profesionale, bazë materiale e shkencore, fonde për paga mësuesish dhe ndërtimi i një biblioteke të madhe në Tiranë.

Mbretit iu sigurua, gjithashtu, financimi i plotë i pallatit të ri mbretëror, ndërsa në Durrës italianët sollën një jaht për përdorim personal të tij.

Italianët besuan se me këtë qasje të re qëlluan në shenjë dhe për t’i bërë përshtypje edhe më të madhe Zogut, nën kujdesin personal të ministrit të Jashtëm Çiano nisën punimet e kompleksit të Rrethit Italo-Shqiptar “Skënderbeg”.

Kësaj nisme për ndërtimin e qendrës më të madhe e të vetme kulturore në Shqipëri, parlamenti shqiptar iu përgjigj me miratimin e ligjit të parë kulturor shqiptar, “Mbi Kinema dhe Thearo”, i cili rregullonte dhe institucionalizonte jetën artistike në vend përmes administratorëve dhe bordeve kulturore.

Por pa u hapur mirë themelet e kompleksit kulturor, Mbreti Zog bëri publike fejesën me konteshën hungareze Geraldinë Apony, e cila kishte qenë e ftuara e tij në ballon e fundvitit.

Ndërkohë, një projektligj për tregtinë e jashtme i sponsorizuar nga italianët u bllokua sërish në parlament.

Të dyja, lëvizje tipike të Zogut pasi kishte përfituar ndërtimin e kompleksit dhe angazhimin e pakthyeshëm të italianëve për investimet e tjera të premtuara.

Por lëvizjet e Zogut, i acaruan italianët, të cilët u gjendën edhe para një zhvillimi të papritur ndërkombëtar, bashkimi i Gjermanisë me Austrinë. Investimi i madh prej dy dekadash për të kthyer Shqipërinë në “tokë” italiane po rrezikoj nga Hitleri që besohej e do shtrinte influencën mbi ish-perandorinë Austro-Hungareze dhe për rrjedhojë edhe mbi mbretin kokëfortë shqiptar.

Për këtë arsye Konti Çiano vendosi të përballej direkt me Zogun—ai pranoi të ishte dëshmitari i Mbretit Zog në martesën me Geraldinën. Gjatë dasmës, Çano u ndie i fyer nga motrat e Zogut, të cilat i vunë në dukje se vëllai i tyre nuk u martua me ndonjë çupëlinë italiane.

Për më tepër, hegjemonia austriake e manifestuar dukshëm e hijshëm në shijet e Mbretit Zog, lirshmëria e motrave të Zogut në përballjen me të dhe mundësia e rivendosjes së ndikimit austriak në Ballkan përmes gjermanëve e “tërbuan” Çianon.

Një ditë pas martesës, Çiano këmbënguli për një takim me Mbretin Zog, i cili edhe pse në muaj mjalti, e priti ministrin e jashtëm italian në vilën e pushimit në Durrës.

Takimi vetëm sa i shtoi dyshimet e ministrit. Investimi 20-vjeçar italian në Shqipëri i dukej se po shkonte dëm. Në ditarin e tij, Çano shënoi se po largohej nga Shqipëria me bindjen se tani duhej “një zgjidhje radikale për Shqipërinë”.

Me të mbërritur në Romë, takimin e parë ai e zhvilloi me Benito Musolinin. Çiano i dha përshtypjet e tij dhe kërkoi ndryshim total të politikës ndaj Shqipërisë, duke ofruar si opsion edhe luftën.

Me bashkimin e Austrisë me Gjermaninë, Çiano besonte se penetrimi gjerman në Ballkan do të ishte çështje kohe, e madje besonte se ky penetrim në Shqipëri kishte nisur me dhuratën më të veçantë në dasmën e Zogut, një mercedes mbresëlënës, që diktatori gjerman Adolf Hitler ia bëri Zogut.

Çiano i la në dorë Musolinit një copë bakri, të zbuluar së fundmi nga gërmimet në Lezhë, duke i thënë: “Ja fiqtë e Kartagjenës”, një metaforë nga Roma e lashtë për të treguar sa afër ishte armiku.

Nga ana tjetër, dhëndri i Musolinit s’e honepste dot faktin që Zogu fliste gjermanisht, porosiste kostumet në Vjenë e rrethohej nga mobilie vjeneze.

Pak ditë pas takimit kthimit nga Tirana, Çiano hartoi një memorandum formal në të cilin kërkonte aneksimin e plotë të Shqipërisë.

Pjesa tjetër e historisë është e njohur. Fashistët italianë pushtuan Shqipërinë në 7 prill 1939.

Zogu u largua nga Shqipëria pa e parë të përfunduar kompleksin e Rrethit Italo-Shqiptar Skënderbeg dhe as Pallatin e ri Mbretëror, të realizuar nga i njëjti arkitekt.

Mbarimi i ndërtimit të të parit teatër bashkëkohor në Shqipëri erdhi bashkë me mbarimin e epokës së mbretërimit të Zogut në Shqipëri.