Shtëpia e martirit “At Daniel Dajani” drejt rrënimit. –

“At Daniel Dajani” lindi dhe u rrit në fshatin Blinisht të Lezhës dhe pak ditë më parë u lumnua si martir i kishës nga Papa Françesku.Banorët e fshatit ku ka jetuar “At Daniel Dajani” kërkojnë që shtëpia e tij të restaurohet dhe të kthehet në një vend pelegrinazhi.

Lumnimi i 38 martirëve Shqiptarë të kishes katolike ka një tjetër emocion për banoret e fshatit Blinisht në Lezhë. Mes tyre qëndron i lumnuari kleriku martir i kishës “At Daniel Dajani” i cili ka lindur dhe jetuar në këtë fshat.

Qendra e Blinishtit mban emrin e tij, ndërsa pak metra më tutje ndodhet edhe shtëpia ku ka lindur dhe jetuar At Dajani e cila ka degraduar totalisht. Banorët e fshatit dhe të afërmit apelojnë që shtëpia e tij të restaurohet dhe të kthehet në një vend pelegrinazhi. “Shpresojmë të bie në dorë të një donatori të huaj apo një njeriu tjetër që të kujtohet për këtë kishë”. “ Të jetë shtëpia e një të lumnuari sepse po të shohim historinë botërore në të gjithë vendet ku kanë lindur të shenjtërit , shtëpitë e tyre ose janë bërë shtëpi muze ose vende peligrinazhi”. Administratori i Blinishtit Sokol Luku shprehet se ky fshat është me fat që tashmë ka një martir të fesë, duke deklaruar se të gjithë do të japin kontribut për të restauruar shtëpinë ku ai ka lindur. Sokol Luku: “Ju jap fjalën dhe flas në emër të komunitetit të Blinishtit që dhe ne do të japin kontributin tonë si fshat për ndërtimin e kësaj godine. I bëjmë thirrje Ministrisë së Kulturës, njëkohësisht edhe klerit katolik sepse At Daniel Dajani për këtë dha dhe jetën”. Vëmendja e munguar ndaj shtëpisë ku ka lindur “At Daniel Dajani” ishte risjellë në vëmendje kohë më parë nga media. Prej asaj kohe shtëpia është amortizuar më shumë, ndërsa ende shpresohet se rrënimi i plotë i saj nuk do të ndodhë. /