Kisha e Shën Mërisë dhe ajo e Shën Premtes rrezikojnë shembjen.

Kisha e Shën Mërisë në manastirin e Krorezës, e cila daton që prej viteve 1600 rrezikon shembjen. Shkak për këtë është bërë moskujdesi nga strukturat përkatëse, duke bërë që rrënjët e pemëve të depërtojnë në mure, që sjell për pasojë edhe degradimin e tyre. I ndodhur rreth 2 orë me këmbë larg rrugës, ky manastir vizitohet kryesisht nga turistë të aventurës, të cilët shtohen dita-ditës. Ndërkohë edhe kisha e Shën e Premtes në Lukovë po shkon drejt rrënimit total. Kryetari i fshatit Lukovë ka pohuar se rrënimi i kishës ka filluar prej kohësh, por prej 6 muajsh ajo është drejt shembjes totale. “Kisha e Shën Premtes në Shën Koll ka nisur rrugën e rrëzimit prej kohësh. Kanë ardhur arkitektë nga Vlora dhe Saranda, na kanë dhënë fjalën se do të riparohet. Asnjëri nuk e dëgjoi llafin tonë, ky s’është vetëm llafi im, por i gjithë banorëve në Lukovës.

Të dëgjohet llafi, të bëhet diçka, jo vetëm të vidhet”, pohon Niqifor Butsi, kryetar i  fshatit Lukovë. Por dhe pse herë pas here raportohet për degradime në monumentet e e trashëgimisë kulturore, duket se ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vijon të përmendë projekte dhe investimet që sipas saj janë arritje. “Këtë vit, falë investimeve dhe restaurimeve që kemi kryer, e kemi shtuar në 28 numrin  e tyre që nga Labova e Kryqit e deri në Theth në Shkodër”, tha Kumbaro nga Vlora. Por pohimet e saj për specialistë të trashëgimisë më shumë janë propagandë. Edhe pse me pohimet e saj më të fundit Kumbaro përmend projekte dhe investime, për specialistët janë shumë pak krahasuar me kërkesat që ka trashëgimia. Me reagimet e tyre specialistët i kujtojnë ministres së Kulturës, që gjendja e monumenteve të kulturës lë për të dëshiruar. Mungojnë investimet, ndërhyrjet dhe restaurimet, duke bërë që degradimet të vijojnë dhe Ministria e Kulturës si dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës janë përgjegjës për situatën e krijuar.