Zgjedhjet me 9 femra fituese derrmojne rivalet e PD ne Jug

Zgjedhjet me 9 femra fituese, derrmojne rivalet e PD ne Jug

Kandidatet femra në zgjedhjet vendore kanë rezultuar më të forta ndaj rivalëve meshkuj. Nga 15 gjithsej që garuan për mandatin e kryebashkiakes, 9 prej tyre janë shpallur fituese dhe 6 humbëse. Vetëm në një bashki, atë të Shkodrës, gara ishte mes dy femrave, Keti Bazhdari e koalicionit të majtë dhe ish-deputetja Voltana Ademi e së djathtës, ku kjo e fundit i prin fitores me diferencë të thellë votash, sipas rezultateve të deritanishme. Në fakt, gjatë këtyre javëve, Bazhdari krijoi një profil prej triumfueseje në opinion dhe në rrjetet sociale, por terreni dëshmoi për të kundërtën.

E njëjta situatë është përsëritur edhe për kandidaten e PD-së në Durrës, Grida Duma, si dhe kryebashkiaken socialiste të Burrelit, që kërkonte një mandat të dytë, Adelina Fariçi. Këto dy zonja dominonin në sondazhe, por humbën përballë dy kandidatëve, respektivisht Vangjush Dako në Durrës dhe Nezir Rizvani në Burrel. Por Fariçi ka kërkuar pezullimin e procesit të nxjerrjes së rezultatit, duke shtuar në kërkesën e saj edhe ankimimin për 5 kuti votimi, të cilat i argumenton si të parregullta.

Ndërsa rezultati përfundimtar Duma-Dako ende nuk ka dalë, por kryebashkiaku aktual që konkurron për mandatin e tretë në Durrës është mbi 5 mijë vota para. Ndërkaq, tri femrat e tjera që dështuan në zgjedhje janë: Valbona Kola e PS-së ndaj Basir Çupës të PD-së, Lefteri Prifti e PD-së në Himarë përballë 4 kandidatëve të tjerë dhe Diana Mile e LSIsë në Pogradec kundrejt Eduard Kaprit të PD-së. Edhe Mile pati gjithë lobimin publicitar e qeveritar dhe u krijua ideja se do të fitonte, por humbi me 1623 vota.

FITUESET


Në jug kandidatet femra kanë shkëlqyer. Dhe janë të gjitha të koalicionit të majtë, konkretisht 7 të PS-së dhe 1 e LSI-së. Ato jo vetëm që i kanë mundur rivalët e djathtë, por edhe i kanë “shkërmoqur” në diferencën e rezultatit. Për shembull, në Bashkinë Gramsh, Luljeta Dollani, që vjen nga fusha e arsimit, ka marrë 59.38 % kundrejt 40.62 % të kandidadit demokrat Kodhel Çala, ose “e përkthyer” në vota janë 2764 më shumë. Njësoj edhe në Bashkinë Patos, ku Rajmonda Balilaj e ASHE-së i ka bërë “spektakël” rivalit të djathtë Luan Mustafaj, me 3579 vota më tepër, duke e rikonfirmuar veten për herë të dytë si kryebashkiake. Në Sarandë, ishgazetarja dhe drejtoresha e Burimeve Njerëzore në këtë bashki, Florjana Koka, e PSsë ka dominuar ndaj rivalit Kreshnik Bozho me 1286 vota.

Në Përrenjas, deputetja socialiste që la mandatin për t’u bërë kryebashkiake Miranda Rira, ia doli me sukses me mbi 2000 vota kundrejt Bajazit Karriqit. Nga e njëjta përvojë vjen edhe Majlinda Bufi, që pasi dorëzoi mandatin e deputetes, tashmë do të marrë atë të kryebashkiakes që ia japin 643 votat, të cilat i mori më tepër sesa kundërshtari demokrat Gëzim Çaushi.

Për Urën Vajgurore, Juliana Mema e PS braktisi punën në Tiranë si avokate e shtetit dhe këshilltare në disa ministri, për të garuar si kryebashkiake dhe ia vleu rreziku, pasi ka dominuar me mbi 2000 vota ndaj Bujar Hoxhaj. Asaj i pati rënë të fikët gjatë prezantimit të 61 kandidatëve të majtë nga Edi Rama në Pallatin e Kongreseve, por siç tregojnë rezultatet përfundimtare, ajo është bërë më e fortë se kurrë.

Ndërsa Bashkia Libohovë mbetet më e vogla sa i përket sipërfaqes, por 4 vitet e ardhshme do të drejtohet nga Luiza Mandi e koalicionit të majtë. Ajo i mori mandatin demokratit Altin Çomos së koalicionit të djathtë, me një rezultat të ngushtë prej 230 votash. Ndërkaq, femra nga LSI që i jep një bashki kësaj force politike është Zamira Rami e Gjirokastrës.

Financierja me përvojë, ish-prefekte e qarkut Gjirokastër, qe paragjykuar për shkak të një tatuazhi në trup, që sipas saj, ia kishte kërkuar e bija. Por epërsia me mbi 1000 votat i dhanë asaj fitoren ndaj paragjykimeve dhe ndaj Igli Kokalarit të koalicionit të djathtë… ELISABETA ILNICA

HIMARË, LEFTERI PRIFTI ME REZULTAT TURPËRUES

Koalicioni i djathtë është ndarë shumë keq në Bashkinë e Himarës. Jorgo Goro i PS-së ka “shpartalluar” me rreth 5000 vota Lefteri Priftin e PD-së me një rezultat turpërues, pasi ajo nuk i kap as 1000 vota. Lefteria madje paraqitet më dobët edhe se kandidatët e tjerë, ai i pavarur, Vladimir Kumi dhe i PBDNJ-së, Dhionisios Beleri. Ky i fundit ka qenë realisht rivali i Goros së PS-së, pasi ka marrë mbi 2000 vota. Megjithatë, diferenca ka qenë e thellë dhe paracaktuese e fitores për Goron si kryebashkiak për të dytën herë.

 

ALMA GOLEMAJ, E VETMJA KANDIDATE E PAVARUR

Zgjedhjet vendore të këtij viti kanë pasur kandidatë të pavarur në disa bashki, por të gjithë kanë qenë të gjinisë mashkullore. E vetmja që ka thyer tabunë ishte Alma Golemaj, e cila garoi në këto zgjedhje si e pavarur për Bashkinë e Selenicës, por që arriti të marrë vetëm 151 vota kundrejt 6096 votave fituese të Përparim Shametaj të koalicionit të djathtë dhe 5078 votave (humbëse) të Kasëm Cenaj të ASHE-së. Nuk ka shumë të dhëna rreth Almës, përveçse ka origjinën nga Selenica dhe ka jetuar në Vlorë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama