Halimi Ja nje video e manipulimit te zgjedhjeve prokuroria te hetoje

Halimi: Ja nje video e manipulimit te zgjedhjeve, prokuroria te hetoje

Partia Demokratike nis të zbardhë provat e dokumentuara që lidhen me manipulimin e procesit zgjedhor të 21 qershorit. Nga selia blu deputeti demokrat, Eduart Halimi ka folur për fakte të dokumentuara përmes materialeve filmike, se si në komunën Pult të Bashkisë së Shkodrës, një kuti votimi është tejmbushur me vota nga komisionerët e të majtës ndërsa komisionerët e opozitës janë nxjerre jashtë qendrës.

“Partia Demokratike publikon sot një provë se si pushteti masakroi standardin për zgjedhje të lira më 21 Qershor.

Në komunën Pult të bashkisë së re të Shkodrës, kutia e votimit nr 0092 të fshatit Bruçaj është tejmbushur me vota nga komisionerët e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në videon që po transmetojmë dhe që po ia vëmë në dispozicion gjithë medias, duket qartë që komisionerët e majtë kanë mbushur duart me fletë votimi dhe votojnë në masë dhe me qetësi të plotë. 2 komisionerët e Partisë Demokratike janë nxjerrë forcërisht jashtë komisionit të votimit.
Në kutinë e votimit u gjetën 388 fletë votimi, kur në votim kishin firmosur 377 persona”, - tha Halimi.

Demokratët thonë se para dy viteve kanë votuar 125 zgjedhës, ndërsa në këtë kuti u gjetën më shumë fletë votimi madje edhe sa sa numri total i zgjedhësve.
Në zgjedhjet e vitit 2013, në këtë qendër votimi morën pjesë 125 votues.

“Rezultati për këtë qendër votimi me fletë të hedhura në kuti flet qartë për shkallën e madhe të manipulimit të zgjedhjeve nga pushteti. Për kandidaten e majtë Keti Bazhdari janë 331 vota ose rreth 88 %, 2 vota për kandidatin e pavarur ndërsa për kandidaten fituese Voltana Ademi vetëm 44 vota”, - tha ai.

Për këtë rast PD i bën thirrje prokurorisë të nisë hetimet dhe procedimin penal të komisionerëve , ndërsa OSBE ODIHR të marrë si provë këtë material filmik.

“Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal ndaj komisionerëve që me urdhër mbushën kutinë e votimit për kandidaten e pushtetit. I bëjmë thirrje misionit të OSBE/ODIHR të marrë në ngarkim këtë provë të shkatërrimit të standardit të zgjedhjeve të lira në Shqipëri.
Partia Demokratike nuk do të ndalet në denoncimin e çdo akti kriminal të shkatërrimit të zgjedhjeve të 21 Qershorit dhe dyshen e pushtetit që minuan demokracinë shqiptare duke mbushur kutitë e votimit”, - tha Halimi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama