Zevendesimi i administrates e keqja e shoqerise

'Zevendesimi i administrates, e keqja e shoqerise'

Zëvendësimi i administratës sa herë ndryshohen qeveritë është e keqja e madhe e shoqërisë shqiptare. Kështu pohon në një intervistë për “Studio e Hapur” shkrimtari Dritëro Agolli. Sipas tij gjithmonë ka ndodhur kështu edhe pse ndryshimet kanë qenë herë të plota e herë të pjesshme. “Kur them administratë kam parasysh edhe drejtësinë dhe pse quhet e pavarur dhe gjithë hallkat e tjera. Kjo është ajo plaga më e madhe e shoqërisë sonë”, - ka pohuar ai. Agolli ka komentuar më tej problemet sociale të shoqërisë shqiptare, si falja, dhuna ndaj grave etj. Ai vlerëson vendimin e Ramës për rritjen e numri të grave në pozicione drejtuese. “Është pozitive, duhet të ketë më shumë gra në funksione të rëndësishme. Megjithatë kjo duhet provuar si do të dalë. Por unë mendoj që disa janë mjaft të përgatitura dhe do të luajnë një rol të rëndësishëm”, - ka pohuar Agolli.

Zoti Agolli mirëmbrëma dhe faleminderit që na pritet në shtëpinë tuaj.

Faleminderit ju qe erdhët.

A mendoni se në shoqërinë tonë ka ardhur koha që institucioni i faljes apo edhe humanizimi të ndjehet pak më shumë? A jemi ne pak si shumë agresiv me njëri-tjetrin dhe sidomos me femrën në këto kohë, pse po ndodh kjo?

Po ndodh për disa arsye, njëra për shkak të varfërisë së madhe të popullit të thjeshtë që përbëjnë pjesën më të madhe të shoqërisë nga vetë institucionet shtetërore që nuk veprojnë, që korruptohen që nuk marrin vendime të drejta dhe prandaj bëhen këto. Por ka edhe një arsye tjetër që njerëzit janë larguar nga libri, nga kultura nuk lexojnë nuk hapin librat por vetëm shohin dhe dëgjojnë, është një kulturë që nuk merret nga faqet e librit. Fatkeqësisht kjo sjell edhe tragjedi, është një gjë nxitëse për këtë gjë.

 Ky lloj agresiviteti ndaj femrës shqiptarë zoti Agolli është diçka që ke ekzistuar dhe ne nuk e dinim apo është një fenomen i ditëve moderne?

Nuk ka qenë kështu, nuk i ka vajtur kujt në mendje mbase atëherë ka qenë edhe frika, ndoshta dëshirë kishin, por kishin frikë se kishte ligje të tjera.

Edhe krimi në familjet shqiptare është bërë shumë shqetësues zoti Agolli?

Po por ato kanë një karakter më shumë ekonomik, sepse nuk gjejnë rrugëdalje.

Zoti Agolli a duhet sidoqoftë shoqëria shqiptare të emancipojë vetveten duke folur dhe duke pranuar të flasë për tema të tilla të mëdha qoftë për dhunën brenda familjes, përdhunimin e të miturve por edhe për fenomene sociale që ndodhin përditë, të mos ketë frikë, turp të flasë dhe sidomos modele të tilla sjelljeje siç ishte letra të përqafohen edhe nga persona të tjerë që kanë zë për të ndryshuar fate të trihta si kjo e Nazimes?

Duhet më shumë njerëz të flasin për këtë gjë dhe të zgjerojnë mendimin edhe për të tjera gjëra sociale. Kjo temë që po flasim ne ka mundësi për tu zgjeruar brenda saj, është njëlloj si një pellg me ujë, ku hedh një gur dhe hapet vala e parë pastaj rrathë –rrathë dhe bëhet.

Qeveria e Edi Ramës ka përfshirë në kabinetin qeveritar dhe jo vetëm aty por edhe në institucione të tjera shumë emra femërorë. Mendoni ju se kjo mjafton për të zgjidhur dhe për të sensibilizuar për problemin e gruas në Shqipëri?

Kjo është shumë pozitive sepse respektohet gruaja dhe arrijmë tek ajo që të ketë një barazi në mos barazi një shumicë grash që të drejtojnë institucione, ministri, që të jenë kryeministre, presidente, siç ka në disa vende, por dhe në vende të tjera janë të rralla. Është pozitive, duhet të ketë më shumë gra në funksione të rëndësishme. Megjithatë kjo duhet provuar si do të dalë. Por unë mendoj që disa janë mjaft të përgatitura dhe do të luajnë një rol të rëndësishëm.

Cila është e keqja më e madhe që ka shoqëria shqiptare sot?

Nuk ka vetëm një të keqe, por ka shumë. E keqja më e madhe që mendoj unë është ndërrimi i administratës sa vjen një qeveri, heqja e të gjithëve që nga roja, shoferi. Unë u plaka, jam 82 vjeç dhe gjithmonë ka ndodhur kjo, herë e plotë herë e pjesshme. Kjo është e keqja më e madhe sepse nuk i lë të formohen njerëzit, të mësohen me drejtimin e një gjëje, prandaj nuk formohet një administratë e kulturuar dhe profesionale me militantë, dhe kjo krijon dhe korrupsionin sepse ai nuk vjen nga qielli. Kur them administratë kam parasysh edhe drejtësinë, dhe pse quhet e pavarur dhe gjithë hallkat e tjera. Kjo është ajo plaga më e madhe e shoqërisë sonë.

Agolli: Nazime Vishës iu vodh fëmijëria dhe ju burgos rinia

 “Studio e Hapur” publikoi një javë më parë një letër të disa figurave të njohura ku bënit pjesë edhe ju,përmes së cilës bëhej thirrje publike për faljen e Nazime Vishës. Çfarë ju shtyu të ndërmerrnit një nismë të tillë?

Kjo nismë erdhi nga Ismail Kadareja dhe u firmos nga disa njerëz të kulturës dhe të artit. Unë mendoj që njerëzit e kësaj kategorie por edhe të tjerët do ta kishin menduar këtë por kanë hezituar për ta shprehur ose përpunuar si një deklaratë për këtë ngjarje tronditëse që ndodhi me Nazime Vishën, por që ka ndodhur edhe me të tjera por kjo ishte me tronditëse. Ai nuk i vodhi një pasuri, para por i vodhi gjënë më të çmuar dhe ia mori nëpërkëmbë këtë gjë, fëmijërinë. E di çdo të thotë të vrasësh fëmijërinë dhe jo vetëm kaq, por edhe të tjerët, institucione të drejtësisë dhe të tjera shkuan shkallë –shkallë ia prishën rininë, ia burgosën. Unë mendoj që institucionet tona të drejtësisë duhet të mendohen mirë. Nuk e kam këtë vetëm nga ana ime. Këtu në shtëpinë time vijnë shumë njerëz dhe rastësisht kur jepnit juve emisionin ishin tre-katër miqtë e mi dhe dëgjuan, dhe nuk flisnin fare megjithëse e dinin historinë e saj dhe të gjithë menduam për rininë e saj, dhe po kështu menduam pse të mos falet nga drejtësia pa ndërhyrë në kompetencat dhe punën e saj. Megjithatë edhe pa ndërhyrë nuk është gjë e drejtë sepse shoqëria është më e madhe se sa pesë-gjashtë nëpunës, kjo shoqëri ka krijuar këtë institucion dhe ka të drejtë të kërkoj moralisht apo jo.

Ka pasur disa polemika edhe në shtypin e përditshëm por edhe në rrjetet sociale dhe në përgjithësi opinionet janë të ndara, ka që mbështesin 100% këtë nismë por ka të tjerë të cilët thonë megjithatë qoftë edhe një jetë e dhunuar a mund të përligjet vrasja, a mund të falet një vrasje, cili është mesazhi që japim duhet të falim të gjithë ata që vrasim?

Ky është një mendim që ka ndokush, por rastet nuk janë të njëllojta dhe nuk mund ti barazosh si do ishte kjo vrasje njëlloj si një vrasje tjetër për një marrje haku apo për një vjedhje dhe për një gjë. Nuk janë njëlloj vrasjet prandaj ato duhen seleksionuar, të gjesh të vërtetën e plotë të këtij veprimi.

Të gjithë atyre që e kanë parë me skepticizëm letrën tuaj që bën apel për drejtësi për Nazime Vishën çfarë do t’u thoshit?

Unë do të thosha një shprehje të ungjillit që njihet që është “fali o zot se nuk dinë se ç’bëjnë”. Vetëm kaq.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama