Zbulimi i Vatikanit dhe te vertetat e pathena mbi Templaret

Zbulimi i Vatikanit dhe te vertetat e pathena mbi Templaret

Në Mesjetë ishte krijuar një organizatë sekrete, e quajtur “Kalorësit Templarë”. Ata u shpërbënë dhe shumë prej tyre u vranë me urdhrin e Papës, sepse ata dinin sekretin se Jezusi kishte një fëmijë me Maria Magdalenën. Pavarësisht vrasjes së anëtarëve të urdhrit, shoqëritë sekrete e ruajnë ende legjitimitetin e të dhënave të fshehura, edhe në ditët e sotme.

 

Mirëpo ka një problem me këtë version të ngjarjeve, të frymëzuar nga “Kodi i Da Vinçit”, i autorit Dan Braun.

 

Sot ka shumë organizata që trashëgojnë emrin e Templarëve, por shumica prej tyre janë organizata biznesi, të krijuara sipas modelit të urdhrit origjinal. Dokumentet sekrete për Maria Madgalenën nuk janë në rend të ditës. 

 

Templarët origjinalë u themeluan në shekullin e 12-të për të ruajtur pelegrinët në rrugën e tyre të gjatë dhe të rrezikshme që çonin në Jeruzalem. Anëtarët e urdhrit ishin të armatosur si kalorës-murgj dhe gëzonin privilegje ligjore dhe status të mbrojtur nga kisha. Ata njiheshin si zotërues të pasurisë dhe pushtetit.

 

Mirëpo, sipas autorit dhe folësit mbi historinë fetare, Marin Palmer, Templarët e ditëve tona janë një version i ri, me një ngjyrim të vagullt fetar. 

 

“Ata janë një lloj versioni i Rotarianëve (Klubi Rotari-një organizatë që synon të bashkojë liderët dhe organizatat për të ndërmarrë nisma bamirëse) me shpata dhe pelerina të gjata. Synimi i tyre është “ortakëria me elemente të pakta mistike”.

 

Organizata Templare jo-masone dhe jo-katolike më e madhe është Ordo Supremus Militaris Templi Hierosolymitani. Origjina e saj daton në vitin 1804 dhe grupi thekson se “është frymëzuar, por nuk ka ndonjë prejardhje të drejtpërdrejtë nga Urdhri i lashtë”. Anëtarët me të drejta të plota janë të krishterë, por edhe jo të krishterët mirëpriten si “miq dhe përkrahës”. Dega e tyre në Angli dhe Uells, “Paria e Madhe e Kalorësve Templarë” ka rreth 140 anëtarë. Mjeshtri i tyre, Geoff Beck shpjegon se ajo është larg nga të qenit “një kult sekret”. 

 

“Çelësi i pasurisë së Jeruzalemit nuk më është dhënë mua. Ne nuk bëjmë ceremoni sekrete, ceremonitë tona të hapjes bëhen në kisha publike. Çdo anëtar i kishës është i lirë të marrë pjesë.”

 

Templarët e Mesjetës kishin një reputacion, i përdorur për të negociuar me myslimanët dhe hebrenjtë dhe Templarët modernë e shohin veten në të njëjtën linjë. Ndoshta lidhja më e fortë e tyre me Templarët e shekullit të 12-të është interesi modern për Lindjen e Mesme. Paria e Madhe e Anglisë dhe Uellsit sponsorizon programin “Ndihma Mjekësore” për fëmijët e Irakut dhe Fondacionin për Pajtim në Lindjen e Mesme.

 

Shtegu tjetër kryesor i Templarëve të vonë në Mbretërinë e Bashkuar është vëllazëria e masonerisë së lirë. Organizata thotë se ka 30 mijë anëtarë si Kalorës Templarë, midis 250 mijë masonëve të lirë në Angli dhe në Uells.  Kalorësit Templarë datojnë në shekullin e 18-të dhe janë të ngjashëm me masonët e tjerë të lirë, por kanë një etikë të krishterë. Dhe (sërish) simpatizantët e Dan Braunit do të zhgënjehen!

 

“Ne nuk pretendojmë të kemi ndonjë prejardhje nga ata. Ne përkujtojmë Templarët origjinalë dhe kemi marrë si shembull disa parime masonike,” thotë John Hamill, drejtor i komunikimeve në Lozhën e Madhe të Bashkuar të Anglisë.  

 

Puna bamirëse është në rend të ditës. Spitali i syve në Jeruzalem është përfituesi më i madh i fondeve. 

 

Të gjitha këto do të paraqiten në zbulimin e fundit të Vatikanit, i cili planifikon të paraqesë dokumente nga shekulli i 14-të, që do të konfirmojnë se Templarët nuk ishin fajtorë për herezitë. 

 

Mirëpo teoricientët konspirativë do të vazhdojnë të kërkojnë për pasardhësit e sekretit dhe do të ketë dyshime të lidhura me ta. 

 

“Ne i kemi arkivat dhe do të provojmë trashëgiminë tonë, por nuk kemi nevojë t’i bëjmë ato publike,” shpjegon mjeshtri Beck, në mënyrë misterioze. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama