Yjet vertetojne Odisene

Yjet vertetojne 'Odisene'

Një tentativë e re e kronologjisë së Eposeve Homerike, më e sakta deri më tani, krahason fenomenet natyrore, të cilat përshkruhen në eposet me fenomenet astronomike dhe kontrollon vërtetësinë e rrëfimit.

Si rezultat vjen gjetja e datave për ngjarje, të cilat përshkruhen në eposet homerike, si dhe një perceptim i ri për historinë e tyre, që synon të ndërhyjë në çështjen homerike.

“Besojmë se miti vërtitet rreth ngjarjeve reale”, deklaron pedagogia e Astrofizikës në Universitetin e Athinës, Panagiota Preka-Papadhima. Ajo së bashku me një ekip shkencëtarësh besojnë se disa nga ngjarjet që përshkruhen, sidomos tek "Odiseja", kanë ndodhur realisht dhe provojnë se fenomenet natyrore që përshkruhen përkojnë me kohën e rrëfimit të tyre.

“Odiseja mbërriti në Itakë në 25 tetor 1207 p.e.s. Pesë ditë më vonë, ndodhi eklipsi i diellit në 75%, eklips që mbuloi detin Jon. Atëherë ndodhi edhe vrasja e mëtonjësve”, thotë astrofizikantja, duke sqaruar se besimi për të vërtetën e asaj që ka ndodhur është personal. Eklipsi i Diellit, si edhe disa nga ngjarjet që përmenden u provuan me harta të NASA-s, që përshkruajnë fenomenet e parashikuara natyrore nga vitet 4500 para erës sonë, deri në vitet 10 000 të erës sonë.

Nga viti 1300 p.e.s deri në vitin 1130, që janë edhe vitet në të cilat vendosen dy eposet, ndodhën 14 eklipse të diellit. Të vëzhgueshme në zonën që laget nga deti Jon ishin vetëm pesë, dhe ato kishin një përqindje të mbulimit të Diellit në masën 2%; për këtë arsye nuk ishin të dukshme. Njëra ndodhi në perëndim të Diellit, prandaj neve na interesojnë vetëm dy prej tyre”, shpjegon zonja Papadhima.

Një eklips i plotë ndodhi në vitin 1143, d.m.th shumë afër epokës së zvetënimit të qendrave Mikene dhe për këtë arsye ajo u përjashtua nga shkencëtarët. Eklipsi i dytë ndodhi në 30 tetor 1207 nga ora 14:30 e mesditës deri në 17:30 të pasdites dhe këtë periudhë besojnë se përshkruhet tek Odiseja.

Në rapsodinë Y, pak përpara vrasjes, Homeri vendos Teoklimenin t’u thotë mëtonjësve: “Një e keqe po ju fshikullon, o fatkeqë dhe kokat tuaja janë mbështjellë me natë sterrë, ashtu edhe fytyrat.  Dhe u hap qielli dhe faqet tuaja me lot u mbushën, dhe muret e potisura me gjak dhe kufijtë e mbushur me hije, ashtu si edhe porta e avllisë dhe vetë avllia u mbush plot hije që zbresin nga qielli nga ku dielli ka humbur, duke shtrirë mbi ne mjegullën e rëndë!”

“Bëhet fjalë për përshkrimin e një eklipsi, që mbuloi ¾ e diellit”, thotë astrofizikantja Papadhima. “Data e eklipsit, 30 tetor 1207 p.e.s përputhet plotësisht me përshkrimet e Homerit për kushtet klimaterike natyrore, jetën bujqësore të vjeshtës dhe orën e mesditës kur u vranë mëtonjësit!”

Ekipi i shkencëtarëve që po studion eposet homerike përbëhet nga disa profesorë, fizikantë e astrofizikantë, filologë e gjuhëtarë, arkeologë dhe studiues të antikitetit.

“Ekziston një bërthamë historike në mit.”

Pyetja torturuese është nëse ngjarjet që përshkruhen në eposin homerik janë metaforike apo reale.

Sipas astrofizikantes greke Papadhima, përgjigjen e jep Plutarku, i cili shpjegon se Shkencat Natyrore, Teologjia dhe Mitologjia identifikohen në Greqinë Antike. “Fenomenin tek “Odiseja” e krijon perëndesha Athina, ndërsa tek “Iliada” perëndia Apolon. Besojmë se ekziston një bërthamë historike tek miti”, thotë ajo.

Për ta mbështetur, përmend shfaqjen e një shiu yjesh që binin nga qielli.

“Skifteri, që përshkruhet nga Homeri, të cilin ishte e pamundur ta shihte me çdo hollësi në errësirë, dhe nga larg, vendoset në vendin ku është yjësia e Korbit. Ky konstelacion vendoset në lindje (në të djathtë vërehet) dhe është mesazher i Apolonit, sipas Eratostenit. Në këmbët e tij – domethënë antidiametralisht nga Korbi - gjendet tufa e pëllumbeshave të egra, që gjenden në konstelacionin e Demit. Që andej thotë se po bien pendët, pra yjet, një përshkrim poetik i qiellit dhe i destinacionit të udhëtimit”, shpjegon ajo.

Po qe se u referohemi hartave të NASA-s, shkencëtarët kanë zbuluar se me të vërtetë kishte ndodhur një shi yjesh (meteorësh) në 28 tetor, dita e kthimit të Telemakut nga udhëtimi në Pilo dhe Spartë.

Por Korbi është i dërguar i Apolonit dhe shenjë e mirë për Telemakun, i cili kërkon të atin. 30 tetori ishte dita e festimeve të Apolonit, gjatë së cilës duhet të bëhej sakrifica e ekatombit (flijimi i njëqind demave), gjë që do të thotë se i gjithë ishulli kishte shkuar për ta ndjekur flijimin. Mëtonjësit u gjendën në kurthin më të përkryer dhe u vranë me ndihmën e dy perëndive, Atenës dhe Apolonit.

Sipas shkencëtarëve, dy ngjarje kaq të rëndësishme, sikundër vrasja e të gjithë pretenduesve të fronit të Itakës dhe eklipsi, nuk mundet të mos transmetoheshin me shpejtësi rrufeje në mbarë Greqinë, si një ngjarje shumë e shënuar...


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama