Yjet e shuar qe fitojne me shume para

Yjet e shuar që fitojnë më shumë para

Pjesa më e madhe e tyre janë emra shumë të njohur (mjafton të mendosh Elvis Preslin, Merilin Monronë dhe Endi Varhol). Të gjithë personazhet e pranishëm në klasifikimin e këtij viti janë imazhi i "perandorëve" komercialë tepër fitimprurës dhe në rritje të vazhdueshme. Për shembull, emri i Ainshtajnit përdoret për shitjen e DVD-ve "Baby Einstein". Librat e Teodor Seus Gejzes "Dr. Seuss", njihen nga të gjithë fëmijët e botës. Qindra performanca të librit "Shoku im, Çarls Braun" i kanë dhënë famë autorit Çarls Shulz, krijuesi i "Peanuts" (Kikirikët), seriali vizatimor i publikuar në të gjithë botën. Kësaj liste i është bashkangjitur edhe Elvis Presli. Edhe pas vdekjes, mbreti vazhdon të mbetet numër një. Këtë vit, emri i tij ka fituar 49 milionë dollarë, shifër kjo që e pozicionon në vendin e parë të klasifikimit. "CKX Entertainment", shoqëria që drejton "perandorinë" e Elvisit, ka thënë se me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së mbretit, "Graceland" (shtëpia që i përkiste dikur Elvisit) është rinovuar e gjitha. Projektet kanë dhënë menjëherë frytet e tyre: fitimet e "Graceland" këtë vit janë rritur me 15%, duke prekur shifrën 35 milionë dollarë, pa llogaritur fitimet nga shfrytëzimi i të drejtave të muzikës së Elvisit, të DVD-ve dhe licencave të dhëna për përdorimin e emrit dhe imazhit të këngëtarit (si dhënia e licencës për koncertin e famshëm për Elvis Preslin në Las Vegas).

Por, ajo që të çudit më shumë, është pikërisht fakti se disa prej yjeve më të mëdhenj të vitit 2006 nuk kanë arritur të hyjnë në klasifikimin e këtij viti. Mes tyre është edhe Kërt Kobein, ish- solisti dhe pjesëtari i "Nirvanave", i cili vitin e kaluar qëndronte në krye të klasifikimit, pasi Kërtnej Love, ish-vejusha e tij e pangushëllueshme, mori një vendim paksa të çuditshëm për të shitur të drejtën e disa prej këngëve të tij për një shumë rreth 50 milionë dollarë. Por, nëse ky operacion brilant komercial i hapi dyert mundësive të tjera për të fituar, në vitin 2007 fitimet e Kobein nuk i dhanë mundësinë as të qëndronte në klasifikim. Ndërsa Xhon Lenon ka lëvizur nga vendi i katërt i klasifikimit ku ishte renditur vitin e kaluar, me 44 milionë dollarë. Në muajin shkurt, "Beatles" kanë mbyllur një betejë legale kundër "Apple Inc", e cila po zgjaste prej 15 vjetësh. Beteja u mbyll në favor të vendimit të shoqërisë për të punuar edhe në botën e muzikës (agjencia që administron interesat komerciale të grupit "Beatles" quhet "Apple Corps" dhe kjo mund të krijonte ngatërresa). Pas dy muajsh grupi ka nxjerrë në sipërfaqe një tjetër polemikë me "EMI", e njohur si shtëpia diskografike, për disa të drejta që nuk ishin paguar. Marrëveshja e përfunduar, e cila i kalon 100 milionë dollarë, ka mbajtur edhe sendet me vlerë të Xhorxh Herrison, një tjetër pjesëtar i zhdukur i grupit që mban vendin e katërt në klasifikim me një shumë të ardhurash prej 22 milionë dollarësh. Tani që "Apple" dhe "Beatles" kanë shpallur armëpushim, analistët e tregjeve aksionere mbështesin prezantimin e Stiv Xhobs, shefi i "Apple", mbi mundësinë që edhe pjesët e grupit legjendar mund të merren nga radiot e muzikës historike. Në fund të gushtit, aksionet e "Apple" janë rritur me pothuajse 6%, sepse prezantimi ishte i besueshëm.

Përfitimet e njerëzve të famshëm të humbur i janë referuar periudhës kohore nga tetori 2006, deri në tetor 2007, ndaj në këtë klasifikim nuk është përfshirë emri i të madhit Luçiano Pavaroti, që ndërroi jetë në shtator të këtij viti. Mes "fytyrave" të reja spikaten "Mbreti i magjisë", Stiv Mekuin (me 6 milionë dollarë) dhe "Kumbari i shpirtit", Xhejms Braun (me 5 milionë dollarë). Ish-reperi Tupak Shakur zotëron 9 milionë dollarë. Debutimi i tij në këtë klasifikim është shfaqur në vitin 2002. Që pas vrasjes së tij, ku kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet, Tupak mbetet një ndër emrat më të kërkuar të muzikës hip-hop. Madje, këngëtarit po i kushtohet edhe një film biografik, një videolojë dhe një show në Broduej.

Të vlerësosh përfitimet e njerëzve të famshëm nuk është një punë e lehtë. Ndërkohë, për ata që nuk jetojnë më mund të jetë diçka më e mërzitshme. Ashtu siç edhe ka ndodhur me Aron Spelling, producentin e madh që ka ndërruar jetë pak kohë më parë, pasardhësit e të cilit vazhdojnë të kontrollojnë të drejtat e riprogramimit të "Love Boat" dhe "Melrose Place" në të gjithë botën.

Shfrytëzimi i të drejtave përfaqëson "copën më të madhe të fitimeve" të yjeve të shuar dhe kush i ka trashëguar këto pasuri është gjithnjë objekt i polemikave të forta.

Ana Strasberg, vejusha e mjeshtrit të famshëm të recitimit, Li Strasberg, trashëgoi nga burri i saj i fundit të gjitha të drejtat për shfrytëzimin e emrit dhe imazhit të Merilin Monrosë.

Dy vite më parë ajo hodhi në gjyq dy agjenci fotografike, të administruara nga trashëgimtarët e fotografëve të Merilin Monrosë, sepse përdorën disa fotografi pa lejen e saj. Njëri prej tyre, i madhi Sem Sheu, e kishte përjetësuar divën në foton e famshme të filmit "Kur gruaja është me pushime". Strasberg ka thënë se fotoja ishte pjesë e një "pronësie intelektuale" të Merilinit, e si pasojë përfitimet i kalonin vetëm trashëgimtarëve të divës. Por, në muajin maj, Gjykata e Kalifornisë dhe e shtetit të Nju-Jorkut nuk i dhanë të drejtë, duke konfirmuar se koncepti i së drejtës për autopsi në legjislacionin amerikan është lejuar vetëm nga viti 1984, ndaj edhe vetë Merilin nuk mund t‘i jepte një të drejtë të tillë pasardhësve të saj. Dhe kjo normativë vijon edhe në "Dead Celebrities Act", që garanton të drejtat pas vdekjes për 70 vjet. Vendimet e gjykatës i japin mundësinë shoqërive të tjera t‘i japin licencën e imazheve të Monrosë, pa autorizimin e pasardhësve.

Të drejtat e yjeve të shuar, përpara vitit 1984, mund të shfrytëzohen pa asnjë detyrim. Në tetor, ndërkohë, Kalifornia ka lëshuar një ligj që bie në kundërshtim me vendimet e mëparshme të gjykatës dhe u lejon pasardhësve shfrytëzimin e të drejtave të yjeve të shuar para vitit 1984. Nuk është ende e qartë se cili do të jetë efekti që ka ky ligj në debatin për imazhin e Merilin Monrosë.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama