Xhorxh Soros per here te dyte ne Tirane

Xhorxh Soros per here te dyte ne Tirane

Themeluesi dhe drejtuesi i fondacionit “Soros Fund Management LLC”, Xhorxh Soros në datën 6 dhjetor vjen në Tiranë. Sipas burimeve të gazetës “Shekulli” arsyeja e vizitës së Sorosit në Shqipëri është promovimi i librit të tij më të fundit i përkthyer në gjuhën shqipe. Mësohet se prezantimi i librit do të bëhet në ambientet e Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros”.

 

Kjo është vizita e dytë e Xhorxh Sorosit në Shqipëri. Në vitin 2005 Soros vizitoi Tiranën me një mision të veçantë, nxitjen e qeverisë shqiptare në zbatimin e programit për integrimin ekonomiko-social të romëve si dhe prezantoi strukturën e re të Fondacionit Soros në Shqipëri. Gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, Soros u takua me kryeministri e asaj kohe, Sali Berisha dhe kryetarin e bashkisë së Tiranës në atë kohë, Edi Rama. Ndërkohë gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, Bashkia e Tiranës i dha Sorosit titullin “Qytetar Nderi”.

 

Me propozim të kryetarit të Bashkisë të asaj kohe, Edi Rama, Këshilli Bashkiak mori vendimin për ta shpallur Xhorxh Sorosin, Qytetar Nderi të qytetit të Tiranës me motivacionin: “Për kontributin e shquar humanitar nëpërmjet Fondacionit “Soros”, në përmirësimin e kushteve të institucioneve arsimore, shëndetësore, kulturore, sociale të qytetit të Tiranës dhe vendit, për bashkëpunimin e vyer me organet e pushtetit lokal dhe zhvillimin e shoqërisë civile si dhe për ndihmesën e shquar në arsimimin e një numri të madh të rinjsh në vendin tonë dhe në universitete të ndryshme të botës”.

 

Kush është Xhorxh Soros

 

Xhorxh Soros ka lindur në Budapest të Hungarisë, më 12 gusht 1930. Në 1956-ën, z. Soros u vendos në Shtetet e Bashkuara, ku nisi të grumbullojë pasuri të madhe, nëpërmjet një fondi investimesh ndërkombëtar, të themeluar dhe të drejtuar prej tij. Sot ai është kryetari i “Soros Fund Management LLC”. Soros ka qenë aktiv si filantropist që prej vitit 1979, kur ai nisi të japë fonde për të ndihmuar studentët zezakë që të ndjekin studimet në Universitetin e Kejptaunit. Sot ai është kryetar i Institutit “Për një Shoqëri të Hapur”, si dhe themeluesi i një rrjeti organizatash filantropike e fillon aktivitetin bamirës më 1979, kur krijon në Nju Jork Fondin e Shoqërisë së Hapur dhe nis themelimin e Fondacioneve Lokale të Shoqërisë së Hapur fillimisht në Hungari.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama