Violincelisti i talentuar dhe shumepremtues me rrenje shqiptare

Violincelisti i talentuar dhe shumepremtues, me rrenje shqiptare

Joel Blido, violinçelisti 15-vjeçar me rrënjë shqiptare u prezantua para pak ditësh në sallën e Filarmonisë së Berlinit nga legjenda e viloinçelit, profesor David Geringas. Në një intervistë për “Shekullin”, Joeli shpreh dëshirën që në të ardhmen të ketë një bashkëpunim më të gjerë me artistë shqiptarë, deri më tani ai ka interpretuar në skenë me Desar Sulejmanin, pianistin dhe dirigjentin me orgjinë nga Shkodra. Ai së bashku me prindërit, të ëmën shqiptare dhe të atin gjerman jeton në Gjermani, por vjen në Tiranë një ose dy herë në vit, për të takuar gjyshërit e tij. Joeli flet dhe shkruan shumë mirë gjuhën shqipe.

Joel kur ka lindur te ti dëshira për të hyrë në botën e artit?

Unë kam filluar në moshën 5-vjeçare të luaj celo, por atëherë sigurisht që nuk mund të parashikohej akoma që unë, edhe profesionalisht më vonë do të shkoja në atë drejtim. Kur fillova të doja të merresha seriozisht me muzikën (në mënyrë të ndërgjegjshme), kam qenë më duket afër 12 vjeç. Edhe nëse nuk do të kisha vendosur për muzikën, dëshira ime për profesionin do të kishte qenë sidoqoftë në një drejtim artistik, për shembull do të kisha zgjedhur artet vizive.

Të kujtohet violinçeli i parë që i ke renë?

Po. Ka qenë një celo gjysmë (kështu quhet), të cilën e patëm marrë hua nga mësuesja ime e atëhershme, sepse një më e vogël që duhej për mua, akoma nuk e patëm gjetur. Edhe violinçeli gjysmë ishte shumë i madh për mua, prandaj shkopin (në të cilin mbështet poshtë celo), e mbaja fare të ulët, që të më arrinin duart tek tastiera dhe telat. Pas një kohe të shkurtër, më dhanë një violinçel më të vogël, për masën time.

Cili është kompozitori yt i preferuar?

Dmitrij Shostakovich dhe Ludwig van Beethoven. Shostakovich është një nga gjenit më të mëdhenj të kohës moderne. Koncerti i tij nr. 1 për violinçel dhe orkestër është prej një kohe të gjatë absolutisht pjesa me e preferuar imja. Muzika e tij më entuziazmon, shumë nga veprat e tij janë bërë, që pas herës së parë që i kam dëgjuar pjesët e mia të preferuara. Më pëlqen veçanërisht mungesa e sentimentalizmit të sëmurë në stilin e tij si dhe zhvillimet e papritura që e bëjnë kaq interesante muzikën e tij. Unë kam edhe fatin e madh të punoj me një mësues, prof Geringas që Shostakovicin e ka njohur vetë, personalisht si dhe ka punuar me të. Beethoven: Megjithëse ai u përket klasës së kompozitorëve klasikë, për mua ai dallon dhe ngrihet më lart se ata sepse ai nuk kompozoi sipas klisheve( shtampat), siç kanë bërë shumë prej tyre, edhe ata më të mirët. Ai është një nga kompozitorët më të gjithanshëm dhe që pikërisht edhe për këtë, është shumë udhërrëfyes për të ardhmen.

Kujt ia dedikon arritjet e tua?

Kryesisht prindërve të mi dhe mësuesit tim, prof. Orfeo Mandozzi. Prindërit e mi i kanë dhënë lojës sime në violinçel gjithmonë prioritet e nuk kanë kursyer asnjëherë as paratë për të financuar gjithçka dhe as mundimet e studimeve dhe aktiviteteve të mia. Kur kam qenë fëmijë, kanë qenë edhe të rreptë domethënë janë kujdesur që unë të studioj sistematikisht. Megjithëse atëherë kjo gjë më ka bezdisur shumë, sot jam shumë mirënjohës për këtë, sepse në të kundërt sot nuk do të kisha këtë nivel në instrumentin që kam. Nga ana tjetër, edhe nxënësi më punëtor, nuk arrin dot shumë, nëse nuk ka një mësues shumë të aftë.

Nga bashkëpunimet me artistë të tjerë, cilin do të veçonit si më mbresëlënësin?

Atë me prof. David Geringas. Është e papërshkrueshme sa fantastike është të punosh me të. Së fundmi pata edhe nderin e madh të luaj duo me të (dy herë, në Interlaken, Zvicër dhe në Filarmoninë e Berlinit). Ai ka një influencë absolutisht “elektrizuese” dhe të merr me vete muzikalisht si askush tjetër. Pasuria e njohurive të tij është e pabesueshme. Jo më kot ai është momentalisht një nga celistët dhe pedagogët udhëheqës në botë, thuajse tashmë legjendë, përfaqësues i traditës së madhe të shkollës së vjetër.

Cilat janë synimet e tua për të ardhmen?

Duke filluar që nga vjeshta e ardhshme do të filloj studimet e plota në violinçel dhe do t’i përkushtohem krejtësisht vetëm violinçelit. Qëllimi im është ndërtimi i një karriere si solist, po kjo është sigurisht e lidhur me shumë punë si dhe pak fat.

Çfarë ndikimi ka familja jote në zgjedhjet dhe sukseset e tua?

Ata më mbështesin shumë sigurisht, po kjo nuk do të thotë që më detyrojnë të bej gjëra që unë vetë nuk dua t`i bëj. Nëse unë do të vendosja të studioja mjekësi apo fizikë ( fizika është në shkollë lënda ime e preferuar, pas matematikës), prindërit e mi do të më mbështetnin në këtë vendim njëlloj. Po sigurisht, duke qenë se janë vetë që të dy muzikantë, janë të dy shumë të lumtur që unë kam vendosur t´i qëndroj besnik muzikës.

Cilat janë lidhjet e tua me Shqipërinë?

Gjyshi dhe gjyshja ime jetojnë në Shqipëri, si dhe daja im. Një ose dy herë në vit përpiqem t`i vizitoj. Përveç kësaj unë vetë kam disa miq e mikesha në Tiranë, me të cilët takohem me shumë dëshirë. Duke i parë të gjitha së bashku, mund të them që për mua Shqipëria është një Atdhe i dytë dhe mendoj që gjithmonë do të vij edhe në të ardhmen me shumë dëshirë në Shqipëri. Më pëlqen Tirana, është një qytet vital. Aty ka edhe shume kafene dhe restorante të shkëlqyera dhe shqiptarët janë njerëz shumë të ngrohtë e të çiltër.

Si ndihesh kur në publik përmendet fakti se ke rrënjë shqiptare?

Shumë këtu e dinë këtë fakt, por nuk e kanë menduar që në fillim dhe çuditen paksa. Duke qenë se nëna ime Fedra flet thuajse perfekt gjermanisht, shumica mendojnë fillimisht që unë jam 100 për qind gjerman. Mund të them që jam krenar për origjinën time shqiptare! Të jesh shqiptar është “cool”.

A do të pëlqente që të bëje ndonjë koncert në Shqipëri?

Absolutisht po! Unë do të isha shumë i lumtur nëse do të më ftojnë të luaj në Shqipëri! Deri tani kam qenë katër herë i ftuar për intervista në Radion e Televizionin Shqiptar. Do të kisha shumë dëshirë të vija njëherë, me gjithë violinçelin tim për të luajtur në Shqipëri, që publiku shqiptar, familja ime, miqtë dhe dashamirësit e shumtë që kam në Shqipëri të më dëgjojnë “live”.

Kë nga instrumentistët shqiptarë do të veçoje?

Këtu mund të flas vetëm për disa nga ata të cilët më ka rënë rasti t`i dëgjoj. Desar Sulejmani është një mik i familjes. Unë kam luajtur dy herë me të dhe mendoj që Desari është një dirigjent klasi ( dmth. i klasit të parë). Jonian Kadesha ka qenë deri para pak kohësh në Akademinë ku unë studioj, edhe ai si student. Ai është një violinist jashtëzakonisht i mirë.

Çfarë do t´iu këshilloje moshatarëve të tu?

Të punojnë shumë! Sigurisht që çdonjëri prej nesh ka nevojë edhe për pak fat e të tjera si këto, por vetëm studimi të çon tek të qenit në mënyrë ekstreme i aftë, ajo që në fakt të duhet sot, kudo që të jesh. 

 
Biografia 

Prof. Geringas: Joeli është një violinçelist i talentuar 

Joel Blido lindi në 24 tetor 1998 në Marburg an der Lahn të Gjermanisë në një familje muzikantësh. Nëna, Fedra Blido është pianiste shqiptare dhe babai, Stefan Blido (i lindur Dahlbüdding) pianist gjerman. Joeli filloi të luajë violinçel në moshën 5-vjeçare. Koncertin i parë si solist me orkestër e realizoi në vitin 2008, në moshën 10-vjeçare. Që nga viti 2008 e në vazhdim, Joeli ka marrë pjesë thuajse çdo vit në kategori të ndryshme të konkursit gjerman më të rëndësishëm për të rinj "Jugend musiziert", " Rinia muzikon" . Trofetë e tij në këtë konkurs kanë qenë vetëm çmime të para.

Joeli numëron deri tani gjashtë çmime të para në kuadrin regjional, tre çmime të para në kuadrin e Landit dhe dy çmime të para nacionale. Në shtator të vitit 2011, Joeli fitoi çmimin special në Konkursin WESPE. Në vitin 2013 iu akordua një çmim special nga Kryesia e Bankave "Sparkasse" të Landit Baden Württemberg. Që nga tetori 2009, në moshën 10-vjeçare Joeli u pranua si Jungstudent ne Akademinë e Lartë të Muzikës në Würzburg, Pre- College dhe studion në klasën e prof. Orfeo Mandozzi. Joeli ka vizituar shumë masterklasa në Gjermani dhe jashtë saj dhe marrë mësim nga: Pieter Wispelwey, Kira Kraftzoff, Sergej Drabkin dhe David Grigorian  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama