Veliaj falenderon Ramen Meten dhe Kosoven Meriton respekt!

Veliaj falenderon Ramen, Meten dhe Kosoven: Meriton respekt!

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, doli në një konferencë për shtyp, duke falenderuar të gjithë votuesit për fitoren e thellë në Tiranë.

“Kjo është një ditë e rëndëisshme për mua, pasi na kanë ndryshuar me përgjegjësinë e madhe të ndryshimit historik të Tiranës. Nëse ka ndonjë dyshues për reformën e re administrative, nëse ishte dikush cinik dhe skeptik për demokracinë tonë, ka një përgjigje: qytetarët dolën masivisht në votime dhe na dhanë fitoren në 46 bashki të Shqipërisë. Kjo fitore në 46 bashki është fitorja më mbresëlënëse e viteve të fundit e socialistëve dhe progresistëve. Me këtë fitore, shumica e shqiptarëve vendosi ta çojë Shqipërinë në drejtimin e duhur dhe u jemi mirënjohës dhe u përulemi,” tha Veliaj.

Ai falenderoi jo vetëm përkrahësit e tij dhe votuesit, por në radhë të parë Edi Ramën dhe Ilir Metën.

“Dua të falenderoj kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, në mbështetjen për këtë fitore spektakolare. Dua të falenderoj mikun dhe vëllain tim, Saimir Tahirin. Dua të falenderoj me gjithë zemër ekipin tonë të deputetëve,” tha Veliaj.

Një falenderim e kishte edhe për rivalin e tij, Halim Kosova, duke theksuar se u nda nga linja e partisë së tij.

“Halim Kosova meriton të gjithë respektin tonë, pasi u nda nga politika e shpifjeve që helmojnë politikën tonë. Faleminderit Halim Kosova,” tha Veliaj.

Ai falenderoi edhe rivalët e tjerë në garën e Tiranës dhe tha se pret bashkëpunim me ta.

“Fitorja jonë me mbi 43 mijë vota është shumë e madhe, por ne jemi të përulur. Në vend që të festojmë, duhet të përveshim mëngët dhe ta çojmë Tiranën në drejtimin e duhur. Duhet të jemi modestë në fitoren tonë, ne nuk jemi pushtues të qytetit, jemi administratorë,” tha Veliaj.

“Ne do u shërbejmë të gjithëve, edhe atyre që nuk na dhanë votën, duke i parë të gjithë njësoj. Ne do të ndërtojmë një bashki që i bashkon njerëzit”.

Në fund, ai bëri një thirrje për Bashkinë e Tiranës që të vazhdojë punën dhe të mos veprojë siç është bërë në zgjedhjet e shkuara, kur humbësit kanë lënë pas ‘tokën e djegur’.

Veliaj tha se ai është i bekuar për mbështetjen, duke theksuar se e arriti këtë pa një mbiemër të njohur apo pa qenë dikush në këtë qytet.

Duke dhënë shembullin se të gjithë mund t’ia dalin, Veliaj falenderoi sërish të gjithë zgjedhësit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama