Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj prezantoi sot fushatën "Përfshihu” duke bërë publik edhe faqen e tij zyrtare, erionveliaj.al. Gjatë një aktiviteti në Amfiteatrin e Akademisë së Arteve, Veliaj tha se, në këtë portal, mund të hyjë kushdo e të ndjekë aktivitetet dhe planet e tij, si dhe të japë ide për fushatën.
"Ne nuk mund të lëmë dikë të na diktojë fushatën. Fushatën do ta çojmë në çdo shtëpi, në çdo derë, sepse janë halle të të gjithë qytetarëve të Tiranës. Unë kam nevojë për ju. Unë kam nevojë për ty, për secilin prej jush, që të bëhet krahë për të çuar Tiranën në drejtimin e duhur. 70 vite më parë Qemal Stafës i duhej të luftonte me armë, sot mund të luftojmë me teknologjinë, duke qenë aktive. Ne nga sot do të kemi një portal, ku secili mund të futet dhe të bëhet menaxher i fushatës, të jetë vetë kandidat, anëtar i këshillit bashkiak. Të gjithë mund të bëhen pjesë”, ishte ftesa e Veliajt, drejtuar pjesëmarrësve.
Veliaj foli edhe për këshillin bashkiak, duke u shprehur se, ai do të ketë në përbërje më tepër femra, sesa meshkuj.
“Ka ardhur koha të kemi 50% të grave në Këshillat Bashkiak. Ka ardhur koha të kemi bashki të emancipuar. Të kemi vajza dhe djem 50 me 50. Në këshillin bashkiak të PS ka vajza më shumë se djem. Punoni njësoj si për kandidatin dhe për këshillin bashkiak, që çdo kërkesë e juaja në portalin tonë, të vlerësohet. Ne kemi zbritur në fushë dhe duam fitoren. Nëse duan të ndeshen të vijnë në fushë dhe të shohin si luftohet për të fituar qytetin"- theksoi Veliaj.