Veliaj pas fitores Kemi fituar si koalicion dhe do qeverisim si koalicion te pakten ne pozicionet politike

Veliaj pas fitores: Kemi fituar si koalicion dhe do qeverisim si koalicion, te pakten ne pozicionet politike

Erion Veliaj, kryebashkiakiu i ardhshëm i Tiranës si i ftuar dje në emisionin ‘Top Story’ të gazetarit Sokol Balla, tregon planin e tij për bashkinë e Tiranës. Veliaj foli për fushatën dhe punët e para që do të bëjë si kryetar bashkie. Ai e nisi fjalën e tij me përvojën e fituar nga fushata zgjedhore, një fushatë e gjatë, por edhe mjaft intensive.

“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme e gjithë fushata. Ka qenë edhe nga koalicionet më të suksesshme, duke pasur parasysh gjithë partitë e ASHE-­së, dhe një sfidë për ndarjen e re territoriale. Ndaj këtu luheshin disa beteja. Ishte një mënyrë për të konfirmuar disa nga nismat që kemi, a jemi në drejtimin e duhur dhe a kemi një ofertë më të mirë se pesë kandidatët e tjerë për Bashkinë e Tiranës? Ky mund u shpërblye në fund”, tha ai.

Veliaj iu rikthye apelit që lëshoi menjëherë pas fitores, ku bëri thirrje që me pushtetin dhe buxhetin e bashkisë të mos veprohet njësoj si në rastin e ndryshimit të qeverisë në vitin 2013.

“Qyteti nuk i ka punët mirë. Është pak a shumë në të njëjtën situatë siç trashëguam shtetin në 2013, me një faturë financiare që jam kurioz të shoh se sa do të jetë debia e Bashkisë së Tiranës”, u shpreh ai.

Gjatë fushatës, Veliaj thotë se i ka bërë përshtypje hendeku i madh mes Tiranës rurale dhe asaj urbane, madje edhe mes vetë Tiranës informale dhe pjesës tjetër të qytetit.

“Ka një hendek shumë të madh mes Tiranës qytet dhe Tiranës fshat. Kemi një nivel ndryshe të theksuar shërbimesh në nivel lokal dhe qendror. Duhet të gjejmë një mënyrë për të zhdukur këtë hendek, mes pjesës rurale dhe asaj urbane në shërbime. Tirana informale ka probleme të mëdha me kanalizimet, me rrugët, ujin e pijshëm. Roli i bashkisë për të çuar në një marzh më të shpejtë legalizimin dhe më pas rehabilitimin është jetik. Kemi një ide shumë të mirë të Tiranës që do administrojmë. Rekrutuam në mënyrë vullnetare 80 të rinj që arritën të identifikonin problemet e vogla dhe kemi sot një inventar me 4500 problematika të vogla. Sot kemi një bazë të dhënash që duhet ta kishte Bashkia e Tiranës”, tha ai.

Sa i takon fushatës, Veliaj, tha se zgjodhi që të mos premtonte gjëra të mëdha, për të mos ofenduar elektoratin. Ai shtoi se fakti që koalicioni do të ketë shumicën e nevojshme në këshillin e ri bashkiak për të marrë disa vendime të rëndësishme, që në të shkuarën janë penguar prej këtij këshilli, është mjaft pozitiv. Më tej Veliaj u ndal tek tri emergjencat e qytetit.

“Tirana është qyteti më i ndotur në Shqipëri dhe rajon. Me gjasa do të kemi edhe një mobilizim të ushtrisë për këtë. Jemi në emergjencë civile sa i takon pastrimit. E dyta është transporti publik, i cili duhet adresuar menjëherë. Jemi në periudhën kur kanë përfunduar kontratat, ndërkohë që bashkia i rilidh duke vazhduar me ndarjen e vjetër. Sfida e tretë, na duhet që në një kohë rekord, të integrojmë në një administratë të përbashkët, ndërmarrje të përbashkët shumë shërbime që deri dje ofroheshin në mënyrë të fragmentarizuar”, deklaroi Veliaj.

Veliaj u zotua të ndërmarrë një audit transparent për buxhetin e bashkisë dhe paralajmëroi se me gjasa do të gjejë bashkinë e kryeqytetit njësoj siç u gjet arka e shtetit në 2013, kur e majta erdhi në pushtet.

“Do të kemi borxhe të padeklaruara, kontrata që janë lidhur me 10 përqind të shumës, ku 90 përqind duhet ta paguajë bashkia në të ardhmen, që besoj se do të kemi shumë. Një audit i mirëfilltë do ta tregojë këtë. Auditi do të bëjë një transparencë për buxhetin. Do të bëjmë një audit për të parë se ku janë shkeljet dhe ku është gabuar”, deklaroi Veliaj.

Veliaj tha se muajt e verës do të përdoren për të ngritur administratën. Ai tha se do të ketë 3 ose 4 nënkryetarë bashkie dhe 24 administratorë që do të caktohen për 24 njësitë e reja të Tiranës, duke lënë të kuptohet se do të ketë një ndarje postesh në bazë të koalicionit. “Kemi fituar si koalicion dhe do të qeverisim si koalicion, të paktën në pozicionet politike”, tha ai.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama