Veliaj-Kosova dy breza ne gare

Veliaj-Kosova, dy breza ne gare

Enigma e Tiranës u zgjidh. Një ndër ministrat më të suksesshëm të qeverisë Rama do të garojë me mjekun e njohur të së Djathtës. Dueli Veliaj-Kosova pritet të kthejë të majtën në bashkinë e kryeqytetit, por gara është e gjatë dhe jo e lehtë. Kostot e qeverisjes nga njëra anë dhe ç'organizimi i opozitës nga ana tjetër, do të jenë koeficientët e panjohur të betejës elektorale për Tiranën

Më në fund mësuam se në Tiranë do të garojnë Erion Veliaj dhe Halim Kosova. Një ministër me një ish-ministër. E vetmja ngjashmëri mes dy figurash publike të njohura, por të largëta mes tyre. Ashtu siç janë aktualisht edhe grupimet politike që i kandiduan pas javësh të tëra supozimesh. Në 21 qershor e djathta i ka besuar sërish një mjeku, kurse e majta ka preferuar të vijojë rrugën e triumfit të gjeneratës së re të menaxherëve, që u ngjitën në shkallët e qeverisjes pas 23 qershorit të 2013. Nëse do të kërkonim me pak imagjinatë dy kandidatë të largët mes tyre, Kosova dhe Veliaj do të ishte padyshim dyshja perfekte. Do të konkurojnë mes tyre një mjek i njohur e me përvojë, me një aktivist energjik që i përket brezit të ri të politikës. Dy gjenerata të ndryshme, do persona me qasje krejt të ndryshme publike, me angazhime dhe vizione të ndryshme.  Nga njëra anë qëndron Erion Veliaj djali rebel i Mjaftit, që acaronte skajshëm Fatos Nanon dhe që turbullonte qendrën e Tiranës me aktivistët e tij të zhurmshëm, për të kaluar më pas, në zgjedhjet e vitit 2009, në jetën politike aktive. Në anën tjetër paraqitet Halim Kosova, gjinekologu i njohur i kryeqytetit, një emër i njohur profesionisti, por një politikan i “improvizuar” dhe jo fort i rehatshëm në kostumin e parlamentarit.


Jo se nuk e dinim që kjo do ishte dyshja e Tiranës. Megjithë kandidaturat konkurente (Grida Duma djathtas dhe Blendi Klosi majtas), Veliaj dhe Kosova dukeshin që në krye të herës si dy figurat që do të dilnin fitues në garën e brendshme të partive të tyre. Për profilin që përfaqësojnë, për situatat konkrete që kalojnë PS e PD në këtë moment, për ambicjen për të garuar e për ta provuar veten në korsinë e shpejtësisë së 21 qershorit.
Si rrallë herë, zgjedhjet e kësaj rradhe në kryeqytet (por edhe në pjesën tjetër të vendit), konsiderohen si një film të cilit i dihet finalja. Më së shumti në Tiranë, palët, por edhe opinioni publik e mediat, parashohin një garë të pabarabartë, me kandidatin e të majtës në avantazh ndaj kundërshtarit të djathtë. Veliaj dhe Kosova janë, në një farë mënyre, produkti i kësaj pështypjeje mjaft të përhapur aktualisht në qarqet politike e mediatike të kryeqytetit. Që të dy ata mishërojnë aspiratat konkrete që palët kanë, në lidhje me bashkinë e Tiranës, në momentin aktual. Nga njëra anë, shumica, e cila e kërkon me forcë rimarrjen e qeverisjes vendore të Tiranës, pas fotofinishit të hidhur të vitit 2011, i cili i dha fund 11 vjetëve të drejtimit të Ramës në bashki. Nga ana tjetër, opozita, me vetëdijen se ka një të përpjetë të fortë në kryeqytet, ku mandati katërvjeçar i Lulzim Bashës ka lënë pas grinë e thellë të pesimizmit.


Maxhoranca erdhi tek kandidatura e Erion Veliajt, pas një stine të gjatë hezitimi, si ato me të cilat Edi Rama na ka mësuar prej kohësh. Edhe kësaj rradhe, kreu i PS nuk i zhgënjeu ata që prisnin vonesën e emrit për Tiranën. Ndryshe nga Halim Kosova, Erion Veliaj është një figurë politike që nuk të le indiferent. Për mirë apo për keq. Nuk qe e rastit që pak minuta pas njoftimit zyrtar të kandidimit të tij, rrjetet sociale vlonin nga komentet pozitive dhe negative. Angazhimi i Veliajt, profili i tij publik e politik, mënyra e tij e sjelljes, stili i hidhur e i drejtpërdrejtë ndaj kundërshtarëve, e bënë atë me kalimin e viteve, një personazh sa të dashur dhe simpatik për ndjekësit e tij brenda e jashtë PS, aq edhe negativ e të padurueshëm për një pjesë të vetë PS, e padyshim edhe të PD. Ngjitja e shpejtë politike e Veliajt dhe afërsia e tij me Ramën, vetëm sa e shtonte këtë polarizim të humoreve rreth tij.


Por kjo nuk duket një gjë që e shqetëson ministrin e përkrahjes sociale. I fokusuar në kurimin e imazhit të tij dhe në detyrën që mori në shtator të vitit 2013, ai ndodhet sot aty ku kishte synuar prej vitesh; në rrugën që çon drejt zyrës së parë të Ramës. Në atë zyrë që e lançoi kryeministrin e sotëm drejt lozhës luksoze të pushtetit politik. Sfida më e parë e kandidatit socialist, me një panel imponues prej 40 partish nga pas, është ajo e qetësimit të atyre shpirtrave që mund të jenë trazuar brenda PS, pas kandidimit të tij. Konsolidimi i indit partiak ka qenë një defekt i vjetër i tij. Në këtë fushatë ky defekt duhet riparuar sa më parë.


Në anën tjetër të llogores politike, Halim Kosova nuk e ka kërkuar me ngulm kandidimin për bashkinë e Tiranës. Figurë e respektuar e brezit të vjetër të mjekëve shqiptarë, ai nuk ka hyrë në politikë për t’i ngrysur aty ditët e tij. Kjo pikënisje krejt e ndryshme nga rivali i tij socialist, i jep formë edhe vetë garës së Halim Kosovës në Tiranë. Doktor Kosova e di që ka pak gjasa të fitojë kundër ministrit Veliaj. Ai e sheh sot veten me një koalicion pas krahëve, që erdhi duke u pakësuar me kalimin e ditëve, ndërkohë që të paktën dy kandidatë të pavarur (Bojaxhi dhe Tafaj), do të kërkojnë të marrin vota nga thesi i tij ideologjik. Duhet shtuar këtu edhe fakti se Kosova do të përballet me shumë gjasë, në fushatën e tij, me kriticizmin jo të paktë që ka shoqëruar mandatin katërvjeçar të Lulzim Bashës në Tiranë. Si e tillë, gara e Halim Kosovës merr formën e një angazhimi qytetar dhe korrekt ndaj forcës politike që e kandidon, pa ambicjet dhe ethet e skajshme që përshkojnë kampin tjetër politik.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama