Vangjel Dule Kryepeshkopi se shpejti shqiptar

Vangjel Dule: Kryepeshkopi, se shpejti shqiptar

Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Duke flet për politikën shqiptare, për pritshmëritë dhe zhgënjimet me qeverisjen dhe koalicionin, flet për të sotmen me Edi Ramën dhe të shkuarën e politikës shqiptare. Dule afron një gjykim të veçantë për çfarë po ndodh në Athinë mbas zgjedhjeve të përgjithshme dhe mundësitë e ndikimit për mirë apo për keq në Tiranë dhe në gjithë rajonin. “Kryepeshkopi Anastas? Shpresoj që së shpejti të marrë shtetësinë shqiptare”, thotë ai në një intervistë për revistën JAVA.

Qeverisja e majtë e vendit po mbërrin në gjysmën e mandatit të saj, si e gjykoni në përgjithësi punën e saj, e cila si shumëçka tjetër në Shqipëri i ka ndarë opinionet në dysh, ose shumë mirë, ose shumë keq?


Besoj se ka vend edhe për një opinion të tretë që nuk ka të bëjë me këtë ndarje direkte dhe të fortë që sheh vetëm bardh e zi. Opinioni im është në mes, natyrisht nuk është shumë keq, por as shumë mirë nuk është. Padyshim që Shqipëria që prej vitit 2013 ka një qeverisje shumë më të mirë se në tetë vjetët e dikurshëm, por në të njëjtën kohë, vendi nuk ka atë qeverisje që i ishte premtuar se do të kishte në rast të fitores së koalicionit të majtë. Kjo ka ndodhur për disa arsye, nga të cilat kryesorja është situata tejet problematike e trashëguar nga qeverisja Berisha. Janë të panumurta gropat që duhet të mbyllte qeveria e majtë, në të gjitha drejtimet. E megjithatë ka progres. Ajo që e shoh ende problematike dhe që normalisht ka të bëjë me natyrën e të majtës në përgjithësi, është dimensioni social i qeverisjes. Këtë dimension nuk po e shoh ende. Ka një paradoks të çuditshëm në Tiranën zyrtare; e djathta bën kryesisht politika të majta dhe e majta në pushtet, e detyruar edhe për të korrigjuar bëmat dhe gjëmat e të djathtës, bën të kundërtën, kryen dhe realizon politika konservatore. Pagesa e energjisë elektrike, sa për të dhënë një shembull, tolerohej në mënyrë gati kriminale dikur. Madje mospagimi i saj jo vetëm justifikohej, por edhe inkurajohej. Energji për vota ishte një slogan jo fort i panjohur. Tani jo vetëm që kërkohet pagesa e energjisë, por vjedhja e saj ndëshkohet edhe me burg. Edhe varfëria nuk konsiderohet si justifikim për të mos paguar.
 
Çfarë do të duhej të bënte ndryshe, sipas jush kryeministri Rama, çfarë po bën më mirë apo më keq nga sa ka premtuar në fushatë?


Raporti që Rama ka me mediatizimin e asaj që bën është i shkëlqyer. Me këtë që po them nuk kam parasysh të nënvizoj që bën mirë apo keq që e bën një gjë të tillë, por që ky është një komponent i rëndësishëm i sjelljes së tij politike, qoftë brenda, qoftë jashtë vendit. Tre lapsat e tij me ngjyra në Paris apo konferencat në magazinat me ndihma në zonat e përmbytura janë të zakonshme dhe tipike të Ramës. Më kujton muajt e parë të qeverisjes së Papandreut në Greqi në vitin 2009 kur bënte mbledhjet e qeverisë në magazinat e portit të Selanikut. Por kjo, pavarësisht se mua më pëlqen si formë, është një rrugë që nuk të çon shumë larg dhe nuk të adreson shpesh në thelbin e problemit. Sot, sipas meje, ky thelb është sfida e madhe dhe lufta kundër varfërisë dhe papunësisë, dy armiqtë më të egër tanët në këto kohëra të vështira. Sfida me teleqeverisje duhet të pushojë për t’i dhënë më shumë hapësirë jetës dhe shqetësimit real të qytetarit shqiptar. Shqetësimet estetike janë shumë më të vogla se hallet jetike që ka vendi.
 
Cili është raporti juaj me maxhorancën, sa kohë ju keni kërcënuar deri me braktisje të koalicionit qeveritar në kohën kur diskutohej dhe miratohej reforma territoriale?


Qëndrimi i partisë sonë nuk ka ndryshuar. Ne jemi të bindur se reforma territoriale-administrative ishte një hap i domosdoshëm dhe i rëndësishëm për vendin. Dhe kjo duke pasur parasysh filozofinë e saj, por kjo nuk do të thotë se edhe elementë të veçantë të saj janë në koherencë me këtë filozofi. Ka zona të ndara dhe të bashkuara në mënyrë artificiale që nuk respektojnë as historinë, as gjeografinë dhe as ndjeshmëri të tjera. Nuk dua të zgjatem shumë në këtë temë sepse është një fakt i njohur kundërshtia jonë mbi një gjë të tillë.


A ka një ndikim dhe a do të kishte ndikim një mundësi teorike dhe praktike e afrimit me koalicionin qeverisës e partisë së zotit Idrizi, PDIU-së?
Një lajm i tillë shfaqet dhe harrohet në mënyrë ciklike në Tiranë. Nuk e di dhe nuk jam i sigurt sesa është një lajm i vërtetë e real, sa është një kulisë dhe taktikë politike dhe sa është i mundur në thelb. Pyetja juaj më duket cinike sepse në gazetarinë shqiptare lajm i mirë duket vetëm ai që është lajm i keq. Shpresoj të mos kishit një gjë të tillë parasysh kur bëtë një pyetje të tillë. Pra, të prisnit ndonjë deklaratë lufte nga ana ime.
 
Asnjë pyetje nuk është e fajshme dhe asnjë pyetje nuk është e gabuar. Nuk e morra përgjigjen që kërkova, mund ta ketë lexuesi atë?


Natyrisht që do ta ketë. Ky nuk është rasti që unë të flas për armiqësi, për konflikte dhe kundërshti. Mund t’ju them me bindje se ne, PBDNJ-ja nuk kemi absolutisht asnjë problem me të gjitha ato parti, brenda apo jashtë koalicionit që në thelb ndajnë të njëjtat qëndrime si ne, kryesisht në vizionin për Evropën dhe rrugëtimin e mundimshëm të Shqipërisë drejt Evropës për antarësim të plotë në të. Dhe jo thjesht për të shtuar një yll më shumë në flamurin blu, por për t’i dhënë Shqipërisë përmasën e merituar evropiane, në standartet e jetesës dhe të të sjellit, në standartet e shtetit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Nga kjo pikpamje, ju përsëris se ne nuk kemi probleme me askënd. Emocionet politike dhe politika e emocioneve që janë ende shumë të forta në Shqipëri, ndonëse na prekin të gjithëve, besoj se janë disi më të largëta për PBDNJ-në. Nuk më takon mua të bëj publikisht llogari se çfarë fiton maxhoranca nga afrimi i një partie opozitare në qeverisje dhe sa ndikon një gjë e tillë jo vetëm në raportet e reja që krijohen jo vetëm me opozitën e mbetur, por dhe me aktorë dhe faktorë të tjerë të maxhorancës. Sepse edhe brenda saj ndryshojnë disa raporte të krijuara që në rezultatin e 23 qershorit 2013.
 
Ka dy qëndrime që ndahen qartas në Tiranë për mënyrën e sjelljes me minoritetet në Shqipëri dhe pakicat e tjera; ka ankesa, por ka dhe bindje që respektimi i tyre është maksimal, sidomos nëse shihen kushtet e përgjithshme të vendit. Ju si e gjykoni?


Sërish kërkoni të më vini të zgjedh mes dy të kundërtave dhe unë sërish do të zgjedh një mënyrë të tretë për përgjigjen time. Së pari dua t’ju them se respektimi i të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe i pakicave në veçanti është një proces në vijimësi dhe jo një realitet i ngurtë dhe i pandryshueshëm. Që do të thotë se nëse një gjë mund të konsiderohet mirë në një kontekst të caktuar kohor, mund të jetë një gjë e keqe në një kontekst tjetër nëse nuk afron dinamikë dhe zhvillim pozitiv. Besoj se pakënaqësia dhe kritikat në këtë drejtim janë shumë më të shëndetshëm sesa vetëkënaqësia dhe symbyllja përpara tyre. Njoh padyshim progresin e padikutueshëm të Shqipërisë në këtë fushë të rëndësisë universale, por kjo nuk më pengon të them se duhet edhe më shumë. Kjo është botë kontrastesh; jemi shumë më mirë se shumë vende të tjera, por jemi shumë më keq se një tjetër kategori vendesh. Mua do të më pëlqente ta krahasoja vendin tonë me Suedinë, për shembull. Ndaj insistoj se Shqipëria duhet të matet me standartet më të larta në respektimin e të drejtave të njeriut, ndaj theksoj se pakënaqësia është një qasje e shëndetshme ndaj këtij problemi.


Çfarë do të bëni në zgjedhjet lokale, do të garoni vetëm apo do të jeni sërish pjesë e koalicionit të majtë?


As nuk është herët dhe as nuk është vonë për të pasur një përgjigje për këtë pyetje. Mund t’ju them se PBDNJ ka kohë që ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale. Ka një proces të tërë që po bën seleksion të kandidatëve që mendojmë të prezantojmë si në nivel drejtuesisht lokalë, ashtu dhe tek këshilltarët lokalë. Jemi ende në pritje të një vendimmarrje të përgjithshme të koalicionit për formulën sesi do të duhet të hyjmë në zgjedhje. Ne jemi të përgatitur për të dy skenarët e mundshëm, qoftë për konkurimin brenda koalicionit, qoftë për konkurimin më vete dhe jashtë tij. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për shumë arsye, jo vetëm për të matur temperaturën politike të publikut, por edhe sepse bëhen për herë të parë me ndarjen e re territoriale. Gara do të jetë më e ashpër dhe pavarësisht se do të kërkohet të shmanget, edhe zgjedhjet administrative në Shqipëri, si çdo gjë tjetër, nuk i shpëtojnë përmasës politike.
 
Ju jeni një njohës i mirë, natyrisht, i politikës greke. A mund të thoni se çfarë po ndodh në Greqi sipas jush, cilat janë rrisqet dhe favoret që pritet të kalojë Athina me qeverinë e saj të re?


Eshtë një temë shumë e gjerë që është shumë e vështirë t’i përgjigjesh me pak fjalë. Edhe sepse nuk bëhet fjalë për një histori thjesht greke, por për një copëzë të historisë evropiane. Ajo për të cilën bien të gjithë dakort është se Athina tashmë ka një situatë tërësisht të re dhe ka kryer një rotacion të plotë të elitës së vjetër qeverisëse.


Një thelb kjo është një dinamikë pozitive. Edhe uji që nuk lëviz ka probleme. Mendoni se çfarë ndodh me njerëzit dhe me mendësitë njerëzore. Sidomos në politikë, kur pushteti i zgjatur duket se të jep dhe monopolin e të vërtetës. Në Greqi ndodhi një rifreskim i demokracisë. Se çfarë ndodh më pas është tjetër gjë dhe nuk ka shumë lidhje me këto të vërteta të pranuara nga të gjithë. Për të nesërmen është e vështirë të vihet bast dhe ky është një nga ato raste kur të gjithë do të donin që të ndodhte më e mira në këtë të nesërme.
 
Çfarë ndikimi mendoni se do të ketë në rajon në përgjithësi dhe në Shqipëri në veçanti një riorientim i mundshëm i politikës greke?


Varet se cili gjykohet se mund të quhet riorientim i politikës greke. Greqia është antare e BE-së, NATO-s dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare perëndimore dhe sjellja e saj është e tillë, perëndimore. Dhe ka një ndikim të caktuar, ku më shumë dhe ku më pak edhe në rajonin tonë. Në mendësinë e Ballkanit të vjetër, sa për të marrë një shembull, mendohej shpesh se nëse Zagrebi do të ishte mirë, Beogradi do të duhej të ndjehej keq, që kur Podgorica kishte probleme, Tirana duhet të gëzohej, se kur Prishtina fitonte diçka, patjetër duhet të kishte një humbje diku në Bukuresht e kështu me rradhë. Ballkani i ri duhet të jetë ndryshe dhe vetëm nëse shihet me një sy ndryshe, do të jetë më evropian ky rajon i trazuar. Që do të thotë se e mira dhe e liga e një vendi, reflektohet pikërisht si e tillë edhe në vende të tjera. Zgjedhjet e reja në Greqi, së paku kanë prodhuar një të mirë për të gjithë rajonin: kanë rikthyer vëmendjen e Evropës edhe njëherë në këtë zonë. Si dikur gjatë dhe mbas luftës së Kosovës në 1999-ën, kur kësaj zone me histori të trazuar, kërkohej t’i ndryshohej dhe emri: e quanim të gjithë me emrin tingëllues Evropa JugLindore.
 
Keni qenë për një periudhë të gjatë kohe shumë afër me Kryepeshkopin Anastas. Gjykoni se ka ende një paragjykim të fortë ndaj tij, kryesisht për shkak të nacionalitetit?


Nuk e kam gjetur një ngarkesë të tillë siç thoni tek njerëzit e thjeshtë, pavarësisht besimit. Në aktivitetin dhe misionin e tij, të djeshëm dhe të sotëm, objekt i paragjykimeve nuk ka qenë figura e tij që për shkak të përmasës ndërkombëtare është e imunizuar nga gjëra të tilla. Ka vetëm segmente të caktuar që shpesh nga padija, e më pak edhe nga ligësia, që në fakt nuk sulmojnë kryepeshkopin, por synojnë të venë mina njerëzore në harmoninë tonë të mrekullueshme fetare. Sot më pak, por me siguri nesër më shumë, njerëzit që do të flasin për historinë, do të gjykojnë se varësisht veprës së tij, për Kryepeshkopin do të flitet edhe si për një shqiptar që do Shqipërinë. T’ju bëj një krahasim: pak kohë më parë Turqia i afroi shtetësinë turke një numri të madh klerikësh ortodoksë nga e gjithë bota. Shpresoj që një gjë e tillë, shtetësia shqiptare t’i jepet edhe Kryepeshkopit Anastas. Si një të vërtetë reale dhe shumëvjeçare tashmë. Si një realitet që është i pandryshueshëm, si një marrëdhënie reciproke dashurie.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama