Ukraina drejt Luftes se Ftohte

Ukraina drejt Luftes se Ftohte

Ukraina po përjeton një konflikt të stilit të Luftës së Ftohtë mes SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik. Edhe vetë ky konflikt që ka rilindur këto ditë, rrjedh nga e shkuara e Luftës së Ftohtë. Dhoma e Lartë e Parlamentit rus, i dha dritën jeshile inkursionit ushtarak në gadishullin e Krimesë. Presidenti Vladimir Putin justifikohet se lëvizja është e nevojshme për të mbrojtur qytetarët rus atje, si edhe personelin ushtarak që Moska ka në jug të Krimesë.

Nga ana tjetër, qeveria e përkohshme e Kievit e cilësuar lëvizjen e Rusisë si cenim të sovranitetit të saj. Nga ana tjetër, Presidenti Obama ka paralajmëruar Rusinë se aksionet e saj do të kenë kosto mjaft të mëdha. Ndërkohë që Ukraina është buzë luftës, më poshtë renditen tri gjëra që duhen ditur për këtë konflikt:

Çfarë është flota e zezë?

Justifikimi i Rusisë për të dërguar trupa në rajonin e Krimesë ka në qendër pikërisht flotën e zezë. E vendosur në Sevastopol, kjo flotë detare është më e vogla nga katër flotat që ka Rusia. Ajo përbëhet nga 18 nëndetëse, 2 anije të mëdha aeroplanmbajtëse, 30 avionë luftarakë, dhe 100 anije të vogla lufte. 

Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë amortizuar dhe nuk mund të përdoren plotësisht në rast sulmi. Ushtria ruse ka 230 vjet që ka vendosur bazë detare në Sevastopol. Anijet dhe nëndetëset ndodhen pranë veriut të Turqisë dhe mund ta arrijnë detin Mesdhe shumë shpejtë.

Kjo flotë ka qenë e kontestuar që nga viti 1954, kur Bashkimi Sovjetik ia bashkëngjiti Krimenë Ukrainës. Në vitin 2010, qeveria ukrainase dhe ajo ruse arritën një marrëveshje që flota të qëndronte në Sevastopol deri në vitin 2042.  Sipas kësaj marrëveshjeje, Ukraina përfitoi 30 % ulje të gazit që blinte nga Rusia, duke kursyer 40 miliardë dollarë për 10 vjet.

Flota e zezë i ka lejuar Moskës që të shtrijë influencën e saj në Mesdheun Lindor dhe në Ballkan. Rëndësinë që ka Mesdheu për të, Rusia e zbuloi në vitin 2013, kur shpërtheu lufta civile në Siri. Moska formoi një task-forcë të përhershme dhe shtoi numrat e anijeve në këtë flotë.

A mund të dërgojë Rusia trupa të tjera?

Sipas Kushtetutës ruse, përdorimi i forcave të armatosura jashtë territorit rus, vjen me propozim nga presidenti dhe ky propozim duhet t’i nënshtrohet debateve dhe votimit në Këshillin Federal.

Pas miratimit në Këshillin Federal, propozimi dërgohet në Dhomën e Lartë të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe në Komitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Pasi këshilli merr në shqyrtim propozimin, Presidenti dhe kryeministri ftohen në mbledhjet e Këshillit Federal për debate. Pasi hartohet raporti, ai dërgohet te Komiteti i Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe te Komiteti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Pas shqyrtimit të tyre, drafti kalon sërish te Këshilli Federal, i cili duhet ta miratojë me shumicë votash një rezolutë për këtë çështje dhe t’ia dërgojë dhomës së lartë të Dumës. Kjo e fundit duhet ta miratojë po me shumicë votash.

A ka precedentë për ndarjen?

Në vitin 2008, inkursioni rus në ish-republikën sovjetike të Gjeorgjisë solli edhe masat drastike që morri qeveria e Tbilisit kundër separatistëve të Osetisë Jugore.

Trupat ruse, tanket dhe mjete të tjera ushtarake hynë në Osetinë Jugore dhe në Abkhazia, një territor tjetër separatist të Gjeorgjisë.  Të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën për nisjen e konfliktit. Por më pas, Rusia dhe Gjeorgjia firmosën një marrëveshje nën garancinë e Francës, në të cilën thuhet se në kuadër të armëpushimit, forcat ruse mund të krijojnë një bazë në brendësi të Gjeorgjisë, vetëm pak kilometra nga Osetia Jugore.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama