Tony Blair fajtor per luften e Irakut

Tony Blair fajtor për luftën e Irakut

Venidmi i ish-Kryeministri britanik Tony Blair për t'ju bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër Irakut, në vitin 2003, ishte një vendim i pabazuar në fakte.

Ky ishte përfundimi kryesor të raportit Chilcot, raporti zyrtar i hetimit të vendimit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-Kryeministrit Tony Blair për të marrë pjesë në pushtimin e Irakut dhe largimin e Saddam Hussein nga pushteti, bërë publik një ditë më parë.

Duket se publikimi i raportit ka lëkundur reputacionin e ish-kryeministrit Tony Blair.

Raporti pavarësisht se nuk arrin t'i japë përgjigje dy pyetjeve kryesore: "A gënjeu kryeministri Blair për ta dërguar vendin në luftë?" dhe "A ishte lufta e paligjshme?", "fajëson" ish-kryeministrin Blair për vendimmarrje të pabazuar mbi fakte, për besnikëri të pajustifikuar ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për drejtim të një qeverie që nuk arriti objektivat e saj.

Pretendimet e inteligjencës britanike se Iraku mund të përdorte armë të shkatërrimit në masë nuk ishin plotësisht të bazuara në fakte dhe pavarësisht të gjithave, planifikimi dhe përgatitjet ushtarake për të sulmuar Irakun nuk ishin të mjaftueshme.

Ndërhyrjet ushtarake në Irak mund të ishin të nevojshme në një pikë të caktuar, por në mars 2003, nuk kishte ende një kërcënim serioz nga lideri Hussein dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së mbështeste ende inspektimin dhe monitorimin e situatës në Irak, por jo ndërhyrje të armatosur, theksohet në raport.

Bërja publike e deklaratave të Tony Blair pas sulmeve të 11 shtatorit tregojnë se dhe ai vetë nuk ishte i bindur se një luftë e armatosur mund të ishte zgjidhja, por ndoqi vendimin e SHBA-ve pa menduar mirë për pasojat për vendin e tij.

"Ende nuk arrij ta kuptoj se si opsion ushtarak mund të funksionojë, por besoj se duhet të ketë një përgjigje," shprej ai në vitin 2012.

Kjo të bën të mendosh se Blair mori një vendim më shumë emocional se racional dhe e bën atë të duket si një viktimë e presidentit amerikan Bush.

Duke ju përgjigjur raportit, në një dalje publike dy orëshe, shumë pranë lotëve, Tony Blair u mundua të shfajësojë veten për një ndër vendimet më të rëndësishme të qeverisjes së tij.

"Ju kërkoj ta vini veten tuaj në vendim tim si kryeministër. E mora atë vendim sepse besova se ishte i drejti. Mund të pendohem për shumë vendime, por vërtetë besoj se jo vetëm u nisa nga qëllime të mira, por dhe se tani do të ishim në një pozicion më të keq nëse nuk do të kishim vepruar ashtu. E di që familjarët e ushtarëve të rënë në luftë nuk do ta harrojnë dhe nuk do të ma falin kurrë këtë vendim!" deklaroi ish-Kryeministri Blair.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama