Thashethemet jane me te fuqishme se e verteta

Thashethemet, janë më të fuqishme se e vërteta

Kështu mendon dhe kështu sillet shoqëria e ditëve të sotme. Këtë fakt e vërteton edhe një studim shkencor i "Max Planck" nga Instituti i Ploenit, një filial i "Max Planck Gesellschaft", që është institucioni shkencor më autoritar gjerman. Ata kanë kryer një studim, duke përdorur studentët si kavie. Psikologët gjermanë kanë pohuar se "thashethemet kanë më shumë efekte kundrejt asaj që kemi parë vetë me sy". Studiuesit kanë përfshirë 126 studentë të shkollave të mesme dhe universiteteve, të ndarë në grupe, ku në secilin grup kanë futur nëntë djem, duke u thënë thashetheme mbi të rinjtë e grupeve të tjera. Është vënë re se dy në tri persona ishin të prirur t‘u besonin më shumë "shpifjeve" nga të tjerët, se sa atyre që kishin eksperimentuar vetë, ose dinin për palën tjetër.

Rezultati i dytë: sipas 95 për qind të rasteve, thashethemet i korrespondojnë ose i afrohen realitetit. Por kjo nuk është e gjitha. Sipas kërkimit, thashethemet nuk influencojnë vetëm në gjykimet e yjeve të spektaklit, por përfshijnë edhe opinione dhe sjellje të jetës së përditshme.

Je gjykues i besueshëm dhe besnik? Këtë do ta gjykojë thashethemi që flet për ty, jo sjellja jote e vërtetë. Je një vartës i besuar për kompaninë tënde, apo një partner ku miqtë mund të besojnë? Lëre që përgjigjen "ta japë" thashethemi. Studimi tregon në veçanti se ajo që e rëndon më shumë problemin është shoqëria. Fuqia e thashethemeve na kthen prapa në kohët paramoderne të fshatit, pra në komunitetet e vogla, aty ku shtatëdhjetë ose njëqind persona janë pa telekomunikacion, tv ose internet, mjete të cilat janë shumë të domosdoshme dhe funksionale për jetën e njeriut. Këta persona janë pyetur për tema të veçanta dhe ka rezultuar se dy të tretat e tyre janë të gatshëm t‘u besojnë më shumë zërave që flasin për një çështje të caktuar, se sa realitetit që shfaqet në të vërtetë.

"Të rinjtë, ‘kaviet‘ e sondazhit, njiheshin më parë me njëri-tjetrin, por pavarësisht kësaj, ata ishin të prirur t‘u besonin gënjeshtrave më shumë se sa të vërtetave", shpjegon një nga kërkuesit.

Studiuesit e "Max Planck Institut" pohojnë se një gjë e tillë është mjaft e rrezikshme. Fuqia e thashethemeve tregon "pushtetin" e saj në çdo rreth të jetës së përditshme. "Kjo tendencë, e cila po rritet gjithnjë e më shumë, tregon se thashethemexhinjtë janë të "mirinformuar" për atë çka tregojnë. Eksperimenti i kryer ka spikatur vërtet ekstreme. Nëse pyet një person për një sondazh dhe ai ka përballë vetes një mur të pikturuar dhe një palë sy që e ndjekin përtej këtij muri, reagimet dhe përgjigjet e tij ndryshojnë. Përgjigjja që jep ai është e transformuar", pohojnë sërish kërkuesit. Në këtë rast, vlen të përmenden proverbat e mesjetës: "Sillu mirë kur dikush po të sheh".

"Në një tjetër sondazh të bërë kohët e fundit nga Ralf Sommerfeld, që gjithashtu e ka publikuar atë në revistën e Akademisë së Shkencave Amerikane, "PNAS", është evidentuar se një në dy persona i përdorin thashethemet për të kuptuar gjërat e reja. Në fund të fundit, nuk është e rëndësishme nëse thashethemet janë të vërteta apo jo. Fundja ato bëhen realitet. Kërkuesit e "Max Planck Institute", në Gjermani, kanë zbuluar gjithashtu se thashethemet luajnë një rol shumë të rëndësishëm kur supozohen si të vërteta dhe madje edhe në marrjen e vendimeve.

Për këtë arsye thashethemet i janë nënshtruar një loje, ku studiuesit u kanë ofruar para studentëve, duke u thënë se duhet t‘ua jepnin ato studentëve të tjerë në raundet pasardhëse. Studentët shkruanin opinionin për lojtarët e tjerë, pikërisht se ishin të gatshëm për të bërë gjithçka. Duke ndjekur këtë taktikë, ata u jepnin më pak para lojtarëve që cilësoheshin si "kurnacë" dhe sasi më të mëdha atyre që cilësoheshin si "lojtarë bujarë".

"Edhe këtë herë vërtetuam se njerëzit u besojnë verbërisht thashethemeve dhe jo të vërtetave", pohojnë ata. Madje, në një fazë tjetër të lojës, kërkuesit u kanë treguar studentëve vendimet që kishte marrë secili prej tyre. Më pas u kanë treguar atyre vendimet e gabuara, që kundërshtonin ato që ishin evidente, duke vërtetuar përfundimisht mbizotërimin e thashethemeve.
Megjithatë atë janë optimistë, sepse, në fund të fundit, në 95% të rasteve thashethemet i korrespondojnë realitetit.

Instituti

Shkencëtarit gjerman, Max Planck, babait të fizikës kuantike, i cili ka marrë edhe çmimin "Nobel" në vitin 1918, i është dedikuar një nga laboratorët më avangard të Evropës. Shoqëria "Max Planck", e themeluar në vitin 1948, përfshin 80 nëndegë të tjera në të gjithë Gjermaninë. Aty punojnë 4400 shkencëtarë dhe më shumë se 10 mijë studentë. Disiplinat që ndiqen në këtë shoqëri janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga studimi i sistemit nervor e deri te lindja e galaktikave

Avantazhi i mospasjes së provave

Nëse e thonë të gjithë, duhet patjetër të jetë kështu

"E more vesh? Nuk ke për ta besuar, por...". Është pikërisht kjo ajo që besohet gjithmonë, sepse një lajm që transmetohet si sekret dhe i rezervuar, merr pushtet, magji, një besueshmëri që komunikimi "apertis verbis", "me zemër në dorë" dhe "nuk kam asgjë për të fshehur!", e ëndërron "me bollëk".

Në veçanti sekreti hedh poshtë detyrimin e provës: nëse unë do të dëshiroja të akuzoja një nga kandidatët demokratë për zgjedhjet presidenciale të Amerikës, Barak Obama, se është një mysliman i fshehtë, duhet ta provoj. Por më leverdis më shumë që ta transformoj "akuzën" në një insinuatë, të cilës do t‘i mjaftojnë të dhëna shumë të paqëndrueshme (njësoj si emri i dytë i Obamas është Husein). Për këtë fakt nuk ka prova, sepse i interesuari e mban sekretin. Por kjo mund të jetë e vërtetë, "sepse e thonë të gjithë". Njësoj si të thuash që mungesa e provave bëhet prova e parë dhe përhapja që është e garantuar, në këtë rast është garancia më e lartë.

Është një lojë e vjetër, por që nuk ka reshtur kurrë së funksionuari, madje është zhvilluar në mënyrë progresive duke përhapur jo vetëm lajmet që nuk janë të provuara mjaftueshëm, por edhe ato që kanë vërtet vlerë: Çfarë ka veshur Lenifer Lopez; kush është Paris Hilton; me kë është lidhur Stefano Rikuçi; ku i kaloi pushimet Simona Ventura dhe me kë (por mbi të gjitha!), pse?

Së fundmi, janë pikërisht thashethemet ato që do ta shoqërojnë gjithmonë dhe kudo njeriun, qofshin apo jo të vërteta.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama